Hyqmet Zane: Të lindur për të vuajtur apo vetëdënim historik?!

231

Opinioni shqiptar dhe ai botëror po bëhet gjithnjë e më shumë dëshmitar i një rrethimi me tel me gjemba, jo thjesht të Parlamentit Shqiptar në prag të protestës së 21 shkurtit, por edhe të një rrethimi në plan më të gjerë. Në rastin konkret, u tha se ishte një e ashtuquajtur parapërgatitje për një protestë të dhunshme që mund të ndodhte nga qytetarët protestues. Porosia e kryeministrit Edi Rama u krye me korrektesë dhe rrethimi i Parlamentit me tela me gjemba u realizua me sukses të plotë, po ashtu si edhe bllokimi i sinjalit telefonik që nuk u mor vesh, përse dhe se çfarë rreziku vinte nga ai. Nga ana tjetër Shqipëria dhe shqiptarët po gjenden të izoluar dhe e rrethuar gjithnjë e më shumë nga modeli arrogant i qeverisjes dhe nga sjellja si diktator i një lidershipi të ngushtë të mazhorancës së majtë qeverisëse. Gjithsesi, prania e policisë para dhe pas telave me gjemba sigurisht më solli ndër mend 45 vitet e drejtimit nga Enver Hoxha që rrethoi me tela me gjemba dhe izoloi gjithë Shqipërinë dhe bëri diktaturë për 45 vjet. Rinia e sotme nuk e di, por as edhe nuk mund ta imagjinojë, se si rrethimi dhe izolimi i vendit me tela me gjemba në diktaturë ishte një izolim tërësor nga bota e jashtme dhe një rrethim ideologjik që bëri të nënshtroheshin brenda territorit me 28 mijë km2, rreth 3 milionë njerëz. Opinioni ndërkombëtar shkruante dhe shprehej aso kohe se në Shqipëri ka 3 milionë skllevër që trajtohen si të tillë nga partia e diktaturës enveriste. Të gjithë këto elementë kishin në mbështetje policinë dhe ushtrinë që ishin të bashkuar rreth partisë dhe Enver Hoxhës dhe sot rreth Edi Ramës, në një kohë që duhet të jenë të depolitizuar.

Pyetja e parë që lind në këtë rast është se, përse një realitet i tillë i përsëritur në kohë dhe në hapësirë, përse kjo përsëritje e historisë dhe, aq më tepër si në 1991, një ditë pas atij 20 shkurti që shënoi edhe rënin e diktaturës? Përsëri lind pyetja, se jemi të lindur për të vuajtur apo kemi të bëjmë me një vetëdënimi historik me një izolim nga bota?! Nëse atëherë fryma e fituesit të luftës mposhtte çdo zë opozitar siç eliminoi edhe Ballin Kombëtar të Mit’at Frashërit dhe Legalitetin e Abaz Kupit dhe, pak më vonë, edhe Socialdemokratët e Mysine Kokalarit, sot shqiptarët nuk dihet se cila frymë “fitoreje” po i sundon? Dua të them, se më 1944-ën Enver Hoxha e rrethoi Shqipërinë që të mos lidhej me botën e vendeve të përparuara dhe që zhvilloheshin pas Luftës II Botërore. Ndërsa sot, pas 75 vjetësh, duket se është bota që po e rrethon Shqipërinë si një e keqe që solli në pushtet, një të ashtuquajtur “Rilindje” me drogën dhe trafikimin e saj, me kriminalitetin dhe vjedhjet, me drejtësinë e kapur sipas modelit sorrosian dhe me administratën e paaftë deri në konceptimin e shtetit. Nëse themi se sot është e pamundur të prononcohesh në atë çka ndodh në Shqipëri, pasi pushteti që pretendon se ka mazhorancën përdor armët anti-opozitë në çdo drejtim, me të drejtë, por më shumë me pa të drejtë si model që është huazuar nga koha e fillim-diktaturës kur për çdo intelektual që do të duhej të gjendej një akuzë, shpikej diçka. Kjo më kujton një bisedë më një ish-të përndjekur politik, Aqif Selimi, që bëri rreth 33 vjet burg, i cili më thoshte për kohën kur ministër i brendshëm ishte Koçi Xoxe, që rreth vitit 1946 thirri në zyrë shefin e degës së punëve të brendshme të Tiranës së asaj kohe dhe i kërkoi prerë “deri nesër mbrëma dua 300 të arrestuar!”. “Po me çfarë akuze shoku ministër?” “Të krijohen!”, i tha prerë ai dhe, këtu kuptohet se, më pas e morëm vesh se si bëheshin akuzat dhe si pushkatoheshin për asgjë intelektualët që kishin mbaruar studimet në Evropë.

Gjuha që përdor sot kryeministri dhe papagajtë e tij tipikë të sëmurë dhe të pabesueshëm në ato çfarë thonë, është një gjuhë e ashpër kundër mendimit tënd, se kështu thotë kryeministri siç thoshte partia e Enver Hoxhës.

I njohur shumë herët për ashpërsinë e gjuhës së tij, kryeministri i sotëm është po ai kryebashkiaku i djeshëm i bashkisë së Tiranës që është gjithnjë gjuhë e ashpër, fyese, barbare, diskriminuese, aq sa tjetri qorton veten, se përse hyri në mes të kësaj lufte politike dhe të ndyrë për të thënë mendimin e tij. Realisht ka një banalitet ekstrem, një banalitet që ka hipur në piedestal, ka një luftë ekstreme që mund ta cilësosh – vëllavrasëse, një përdhosje ekstreme, një shpifje ekstreme, ku të gjithë në qeverisjen e sotme mendojnë dhe veprojnë si hajdutë dhe si kriminelët më të mëdhenj që po lenë nam në sy të botës.

Në këtë përballje që shkrimtari ynë i respektuar Ismail Kadare e ka përçuar përmes vargjeve të poezisë së tij

“Të huaj jemi” ku shprehet:

 

Të huaj jemi ne prej kohësh,

Ç’ish për t’u thënë, është thënë.

Si gurët që zënë vend në tokë

Një jetë vend ne kemi zënë.

 

Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur

Të gjitha rrugët edhe shtigjet.

Si dy qytete mesjetarë;

Me mure, heshta dhe me pirgje.”

 

Për fatin e keq kështu jemi sot edhe në një shekull të ri ku era e demokracisë është dominuese në Evropë. Në këtë realitet dhe përballë kësaj klase politike që vjen me të ashtuquajturën “Rilindje” dhe bën “Ridiktaturë” ata që janë më të mençur se ne, ata që quhen intelektualë, nuk guxojnë të dalin në arenë dhe të tregojnë të vërtetën. Dhe kjo nga frika e britmës së madhe, nga frika e shpurës qeveritare me kryeministrin në krye, e cila do të thërrasë për vdekjen e tyre, si në kohë të dyluftimeve në arenat romake. Ç’fatkeqësi e madhe për një popull që ka vuajtur aq shumë si në diktaturë dhe në demokraci, si në monopartizëm dhe në pluralizëm, si në kohëra me sigurimin e shtetit, ashtu edhe në këto kohëra me “bij bastard të etërve dinakë”. Dhe atëherë njeriu shqiptar dhe intelektual, njeriu opozitar dhe jo opozitar tërhiqet dhe qëndron në trishtim duke kundruar se si vetë-ndëshkohet kombi i tij në sytë e botës. A thua se paskemi lindur për të vuajtur apo dimë vetëm të vetë-dënojmë të ardhmen në emër të së djeshmes?!

Më shumë dhe përditë bindem se këto rrethime me tela me gjemba dhe këto izolime të mendjeve diabolike janë bashkëshoqëruesit e një historie që prodhojmë mes nesh, a thua se jemi të destinuar të vijmë nga një diktaturë me gardhe tokësore dhe ideologjike dhe të rrethuar dhe të izoluar të mbetemi nga mendjet tona, nga vetja jonë për shkak të pushtetit që konsolidohet me krime, me para të pista, me drogë dhe vjedhje galopante dhe populli që duhet vetëm të durojë dhe të dëgjojë se si ligjëron një kryeministër apo një deputete që kujdeset për të si në një kopsht fëmijësh?! Shohim se ky apo ai politikan, sidomos kryeministri ynë me diplomë artisti, gjen shprehje filozofike dhe i përdor para “popullit” nëpunës zyrash shteti të ulur në karrige dhe ata e duartrokasin. Ndërkohë që gjendja e këtij vendi dhe këtij populli po shkon si mos e më keq sa opozita nuk do që të bëhet bashkudhëtare e ligësive, nëse vërtet ka në mendje atë shprehjen e filozofit amerikan, George Orwell kur ka shkruar se “Një popull që zgjedh në krye të vendit njerëz të korruptuar, hajdutë, maskarenj dhe tradhtarë…, nuk është “viktimë”, por … është “bashkëpunëtor” i tyre!”.

I pamëshirshëm pushteti dhe oligarkët e tij me popullin dhe me fondet publike që dokumentohen gjithnjë si vjedhje miliona euroshe. E pamëshirshëm qeverisja me brezat e së ardhmes që protestojnë. Pamëshira ka hyrë thellë sa më vjen në mendje ajo thënia e Mike Tyson kur thoshte se, “Mos ki mëshirë për dikë që të ka bërë keq, sepse as ai nuk kishte mëshirë për ty! “.