Hyqmet Zane: Kush do dhe kush nuk do të futemi në Evropë?!

871
Sigal

Kush do dhe kush nuk do për t’u futur në Evropë?

Nga Hyqmet Zane

 

Është një pyetje retorike që e ka përgjigjen brenda, radhëve të fjalëve, por duhet thënë se është një pyetje që po shtrohet dhe komentohet dendur në rrethet intelektuale dhe ato mediatike. Fakti që kemi 28 vjet në qorrsokakun tonë dhe që kemi mbetur në vend numëro në një tollovi të madhe, ka krijuar vërtet pikëpyetje të tilla. Mos-orientimi në kohë dhe në hapësirë, tejzgjatja e tranzicionit për kalimin nga gjendja e një sistemi në një sistem tjetër, të ashtuquajtur demokratik, reminishencat e tepërta të së shkuarës, por edhe praktika e modelit të njohur kur subkoshienca sulmon koshiencën si dominim i të marrëve, janë disa nga elementët që kanë bërë që të largohemi nga Evropa edhe pse tentojmë t’i afrohemi asaj.

Ikjet pambarimisht në emigrim që nga 1990 e deri më sot 2019, kryesisht në Evropë dhe mosgjetja e qetësisë sociale dhe politike në Shqipëri kanë krijuar edhe prishjen e raporteve mes atyre që e donin Shqipërinë si gjithë Evropa me vepra dhe atyre që e duan me fjalë dhe më the të thashë. Më keq raportet u prishën në familje nga ikja e burrit dhe mosarritja e bashkimeve familjare dhe kriza që ka shoqëruar shpesh klimën brenda familjes kanë dhënë rezultate të papranueshme për psikologjinë shqiptare dhe mospërshtatshmëri me ligjet e reja të vendeve demokratike. Puna dhe fitimi me djersën e ballit në raport me ata që donin fitimet e shpejta në jetë dhe krijimi i problemeve me kundravajtjet ligjore dhe morale, janë një situatë konfliktualiteti që kanë krijuar një kriminalizim të shoqërisë në forma të ndryshme, e cila ka lënë pasoja dhe ka krijuar probleme jo thjesht të çastit, por me pasoja afatgjata për shqiptarët.

E megjithatë, shqiptarët që kanë ikur në emigrim kanë mundur ta gjejnë veten dhe janë integruar në vendet evropiane, duke fituar një cilësi të veçantë për të krijuar mendësi dhe sjellje, praktika dhe gjykime reale dhe demokratike. Me një fjalë, shqiptarët e ikur që nuk janë pak, por mbi një milion e gjysmë në Evropë janë kthyer në evropianë, kanë hyrë në Evropë dhe janë bërë pjesë e natyrshme e jetës dhe praktikës demokratike, sa në Itali e sa në Greqi, sa në Angli aq edhe në Francë, sa në Gjermani edhe në Zvicër dhe gjetkë kudo ku kanë mundur të shkojnë.

Përballë një realiteti të tillë, ato që kanë mbetur pas janë; politika dhe realiteti i qeverisjes në Shqipëri që flasin për Evropë, por me praktikat e tyre kanë mbetur në klasë gjithnjë dhe Evropa as nuk i hap negociatat dhe, mesa duket, as që kanë ndër mend të bëjnë një gjë të tillë me mënyrën se si veprohet nga politika. Hapur, kjo do të thotë, që shqiptarët e duan dhe e kanë përqafuar Evropën dhe europianizimi i tyre ka marrë rrugën e mbarë, porse politika dhe qeverisja e mbrapsht në Shqipëri jo vetëm nuk kanë tentuar të shkojnë drejt Evropës, por me sjelljet e praktikat e tyre e kanë larguar ose nuk e duan Evropën.

Nëse ka një vlerë të madhe të atyre që janë në vendet evropiane është edhe niveli i përfaqësimit të tyre me profesionet që kanë përqafuar shqiptarët, por edhe me shkollimet e tyre sa nuk ka asnjë lidhje me vendin amë. Postulatit kryeministror “punë ka, profesionistë nuk ka” realiteti flet për të kundërtën se “punë nuk ka, por profesionistë ka” sa shqiptarët janë bërë mjeshtra në profesionet e tyre, ndaj dhe ikin për ta gjetur punën në Evropë.

Para disa ditësh një vajzë shqiptare në Gjermani që ka arritur lartësitë e përfaqësimit demokratik në atë vend që e kishin lakuar njerëz të qeverisjes apo të medias, ajo është irrituar keqas dhe ka kundërshtuar atë mendësinë se kemi të drejtën të krenohemi me ato personalitete të rinjsh që jo vetëm nuk u kemi dhënë gjë, por edhe i marrim nëpër gojë me pa të drejtë. Gjithçka që ka arritur ajo vajzë dhe propaganda e bërë nga Ministria e Diasporës në profilin e saj, ishte e papranueshme dhe tinëzare sepse ishte bërë pa dijeninë e znj. Nano. Thjesht, ishte një arritje e saj nga jeta në Gjermani pa asnjë ndihmë dhe asnjë mbështetje nga qeverisja aktuale që përmes saj kërkon të krenohet, duke e kuadratizuar si arritje qeveritare. Ky ishte thelbi i saj.

Domethënë kjo vajzë e nderuar dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë që dëgjojmë shpesh se bëhen shembull i arritjeve në shtete të ndryshme evropiane nuk mund të jenë kurrsesi kontribut qeveritar, përkundrazi, është kontribut i dëshirës së shqiptarëve që emigruan për “Shqipërinë e lirë dhe demokratike”. Ata e arritën, politika jo.

Shpesh e më shpesh kemi dëgjuar kryeministrin tonë Edi Rama apo edhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj që bëjnë krahasime me Evropën, me standardet evropiane dhe me vendet e përparuara të kontinentit. E di që është një oratori e mirë dhe e këndshme që ta dëgjojë Evropa dhe ta kuptojnë evropianët se drejtuesit e shtetit shqiptar janë me Evropën dhe duan të bëhen evropianë. Por kur dëgjon se sa pas kemi mbetur dhe sa mashtrime bëhen në sektorë jetikë të vendit tonë sipas statistikave të institucioneve ndërkombëtare evropiane. Në mjekësi, në arsim, në ushqimet, në administratë të mbushur me të paaftë dhe të korruptuar , në ilaçe jashtë standardeve evropiane, por edhe talljet e qeveritarëve me hallet e njerëzve me paga e pensionet e ulëta dhe çmime mallrash si në Evropë, janë disa nga ato elementë që nuk hapin dritën jeshile për në Evropë.

Shpesh e më shpesh bëhen etiketime si nga Kim Mehmeti dhe Artan Fuga, por edhe nga personalitete kombëtare si Arbër Xhaferi, që në një citim të tij është shprehur se “Grekët kanë vënë zap mbi periudhën antike, sllavët mbi periudhën mesjetare, turqit për pjesën tjetër, ndërkaq qenia shqiptare, gjithnjë e më shumë po merr trajtën e një të sëmuri paraplegjik, që nuk arrin të lëvizë gjymtyrët qafë e poshtë?”. Fakti që shqiptarët e shohin realitetin me sy dhe heshtin, e pranojnë dhe i bëhen bashkudhëtar këtij realiteti, kjo është trishtuese dhe nuk mund të mendohet se kjo Evropë që duam të shkojmë nuk e kupton dhe nuk ka se si ta pranojë modelin autokratik tipik diktatorial si një qasje për të bërë që qeveritarët dhe politika shqiptare të shpresojnë për Evropën.

Atëherë kush e do dhe kush nuk e do Evropën dhe hapjen e negociatave këtë e lexojnë çdo ditë shqiptarët, por nuk kanë zë, nuk kanë fyt, nuk kanë para dhe nuk kanë mendje për të ndryshuar realitetin dhe kjo është e padurueshmja që hapur do të thotë, protestë popullore. Nuk di se sa i njohur është një citim anonim që do të desha ta ndaja me lexuesit, por në të thuhet se “Nëse arrin të kesh nivel, inteligjencë dhe kulturë më të madhe se turma, duhet të jesh i sigurt që turma do të tërheqë mbrapa në llum”.

Në këtë realitet, kujt i duhet Evropa më shumë, qytetarëve shqiptarë apo politikës? Nëse politika i do negociatat për të rregulluar “biografinë” në sytë e popullit që ka vuajtur pasojat e keqqeverisjes dhe moshapjes së negociatave, shqiptarët e duan Evropën si mundësi jo për të rregulluar ndonjë “biografi”, por për jetën dhe realizimin e një ëndrre popullore. Për t’i marrë mirësitë dhe për ta rikthyer Evropën me kontributet reale dhe të sinqerta larg politikës mashtruese dhe ngatërrestare.