Hipokriza e Ramës, satirikja “Charlie Hebdo” dhe publicisti Ylli Dylgjeri

879
Sigal

Ëngjëll Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

E drejta për shprehjen e lirë të mendimit nuk është luks. Liria e pakufizuar e shtypit nuk është diçka, nga e cila demokracia mund të heqë dorë, por që duhet mbrojtur me të gjitha forcat. Sepse ajo është një shtyllë themelore e demokracisë, që i jep çdo qytetari lirinë më të madhe të mundshme e pakicave apo opozitarëve mbrojtjen më të mirë. Vetëm nëse ekziston mundësia për të shprehur mendimin e lirë, nëse ekziston kritika, investigimi, publikimi i drejtë, i saktë dhe i paanshëm për abuzimet në politikë dhe ekonomi, vetëm atëherë ekziston mundësia që korrupsioni dhe keqqeverisja të zbulohen e të pengohen në të ardhmen. Edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon mbrojtjen e Lirisë së Fjalës dhe të Shtypit , dhe në përgjithësi qeveritë shqiptare janë munduar t’i respektojnë, por deri në atë masë sa nuk preket lideri i partisë në pushtet dhe imazhi i njollosur i qeverisjes qendrore dhe asaj lokale. Opinion ndërkombëtar, organizatat e ndryshme, por mbi të gjitha, Departamenti Amerikanë i Shtetit ka qenë shumë vigjilent që kjo liri dhe e drejta e fjalës të mos cenohet nga presioni i qeverisë dhe mekanizmit të pushtetit të saj. Madje organizmat ndërkombëtare të të drejtave të gazetarëve dhe lirisë së shtypit kanë ushtruar ndikim tek qeveritë e vendeve të ndryshme dhe, sidomos ato të ardhura nga sistemet një partiake të Lindjes që individët në përgjithësi të kenë të drejtën e shprehjes së lirë të fjalës dhe të mund t’i kritikojnë qeveritë e tyre publikisht. Por në Shqipëri nuk qenka e thënë që Liria e Fjalës dhe e Shtypit të ushtrohet dhe, aq më tepër, kur bëhet fjalë për të kritikuar qeverisjen, fenomenet abuzuese mbi financat e taksapaguesve, emërimeve, fenomeneve negative, mediokritetit, nepotizmit apo sikurse quhet sot rëndomë punësimit në nivelin më të lartë të “kollovarëve” të qeverisë. Pikërisht kjo reprezalje, dhunë verbale dhe ky presion është ushtruar ditën e djeshme ndaj njërit prej figurave më të respektuara të shtypit dhe medias së lirë Ylli Dylgjeri. Shkrimet e Ylli Dylgjerit dhe satira therëse e tij, me sa duket, ka tronditur dhe po lë pa gjumë qeveritarët dhe të gjithë oligarkët që ndodhen pranë interesave financiare, korruptive dhe klienteliste të tyre. Madje përveç statuseve, publicisti Dylgjeri është ndëshkuar edhe për faktin se, përse këto statuse ia ka botuar edhe gazeta “Telegraf”, e cila është një e përditshme që ushtron aktivitetin e saj mediatik prej vitesh, madje në këtë 28 Nëntor, i cili shënon edhe ditëlindjen e “Telegraf” që do festojë 15-vjetorin e saj. Publicisti por edhe modeli i fjalës së lirë me një përvojë 35-vjeçare ka qenë kritik ndaj të gjitha qeverive jo vetëm post demokratike, por edhe në periudhën e diktaturës, edhe pse ai dhe familja e tij janë nga simbolet e LANÇ, dhe familje dëshmorësh si Heroi i Popullit, Qemal Stafa etj. Por ajo që të bën përshtypje në hedhjen në rrugë të Ylli Dylgjerit veç misionit tonë gazetaresk dhe informues, ka të bëjë edhe me faktin që administrata e Kryeministrit Rama ishte kujdesur që të merrte si provë për shkarkimin e tij edhe botimet që “Telegraf” i ka bërë shkrimeve të tij në rrjetet sociale. E paimagjinueshme, kur mendon që për fjalën e lirë janë dënuar dhe persekutuar me qindra mijëra shqiptarë në këto 50 vite të diktaturës, një pjesë të këtij faji kanë edhe familjarët e kryeministrit.

Në 8 janar 2015, në Paris u godit liria e shtypit dhe fjalës së lirë. Terrorizmi goditi në zemër të Francës dhe dhjetëra punonjës policie, gazetarë dhe redaktor të revistës satirike “Charlie Hebdo” u ekzekutuan. Në ditën e lamtumirës, përveç komuniteteve fetare nga Shqipëria ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, për të treguar solidaritetin e tij me viktimat e shkaktuara nga terrorizmi, i cili nuk njehe as fe, as ligje dhe as respektin e fjalës së lirë. Por me sa duket kryeministri Rama i harroi shpejt fjalët që tha para mediave në atë vizitë ngushëlluese dhe koha po tregon se ai me ashpërsinë e vetë po fyen, dënon dhe hedh në rrugë profesionistë të publicistikës, gazetarë dhe këdo që kërkon të shprehi lirshëm qëndrimet e tij ndaj abuzimeve, qeverisjes së keqe dhe mediokritetit të administratës. Dje kurora e kryeministrit Rama në nderim të tragjedisë së gazetarëve të satirikes së “Charlie Hebdo” u zhvlerësua dhe Rama u kthye në origjinën dhe në realitetin nga i cili ai erdhi e po ikën në këto ditë të fundit të qeverisjes së tij si Kryeministër. Shkrimet e Mjeshtrit të publicistikës që Gazeta “Telegraf”, mori dhe botoi nga rrjeti i tij social, duhet pranuar se ishin nga më të preferuarat, çka tregon gjetjet profesionale të një ikone të gazetarisë moderne, por edhe të personalitetit që qëndron pranë halleve të qytetarëve. Ndaj nga sot mendoj se rrjetet sociale do të mbushem me simbolet e Ylli Dylgjerit duke deklaruar dhe shkruar “Je suis Ylli Dylgjeri”…, çka do të nxjerrë zbuluar edhe hipokrizinë e Ramës ne udhëtimin e tij pranë të ndjerëve të satirikes “Charlie Hebdo”, kolegëve të Dylgjerit, të “Telegrafit” dhe të gjithë qytetarëve që duan të thonë lirshëm dhe pa kufizime të vërtetën për çdo shkelje dhe abuzim të kësaj qeverie të lidhur me krimin dhe të kapur nga korrupsioni.

Presidenti i SHBA-ve Barak Obama duke folur ditën e masakrës ndaj gazetarëve të satirikes “Charlie Hebdo”, e cilësoi gjithashtu aktin barbar në Paris si një sulm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi. Fakti se ky sulm u bë kundër gazetarëve, kundër lirisë tonë të medias, nënvizon gjithashtu frikën që këta terroristë kanë nga liria e fjalës dhe nga liria e shtypit”. Shpresojmë që edhe shkrimet satirike të Ylli Dylgjerit të jenë fundi i kësaj qeverisjeje dhe këtij kryeministri që me këtë akt po shkruan edhe fundin e tij. Edi Rama nuk e do fjalën e lirë, as raportimin e pavarur, pasi ai e di mirë se edhe në kohën Hitlerit ajo që e mbajti në fron përkohësisht diktatorin e botës ishte bllokimi i mediave dhe raportimit të tyre të lirë. Dhe sipas një studiueseje gjermane ka qenë një llogari e menduar mirë, që fillimi i sundimit të tij të tmerrshëm shënoi fundin e shtypit të pavarur.

Por, çfarë do të thotë ky mësim në kohët e sotme?

Në radhë të parë, që ne nuk duhet të ndalim së raportuari për gazetarët që përndiqen, nuk duhet të lëkundemi kur bëhet fjalë për lirimin nga burgimi të gazetarëve, nuk duhet t’i lemë të qetë pushtetmbajtësit që përpiqen të shtypin fjalën e lirë.

Kjo do të thotë, që ne duhet t’u kërkojmë qeverive tona dhe opozitës të angazhohen për këtë liri. Me mënyra demokratike, por edhe me veprime konkrete, kur e kërkon puna. Është pikërisht BE-ja që duhet të pyesë veten, se si duhet të veprojë me vendet që e kufizojnë gjithnjë e më tej lirinë e shtypit, kur për këtë ndryshohen ligjet, lirohen nga puna juristë, specialist, publicist, kritikë dhe mënjanohen kundërshtarë të qeverisë. Në negociatat e ardhshme duhet të jetë e pa negociueshme, që pa shtypin e lirë as që mund të mendohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE, e cila është edhe një nga pesë kriteret e vendosura prej saj si kusht për integrimin e vendit. Nënvleftësimi dhe vëmendja e vogël që treguan shumë diplomatë “miq qokëbërës të Ramës”, komisionerë, të deleguar dhe reporterët e BE-së për Shqipërinë tani po sjell frytet e hidhura. Rasti i publicistit Ylli Dylgjeri dhe botimeve të shkrimeve të tij nga Gazeta “Telegraf” , po tregon imazhin e vërtetë të Edi Ramës.