Heronjtë e Luftës së Vlorës, të lënë në harresë

1372
Sigal

Nga Besnik Imeri

Nuk do shumë kohë, trembëdhjetë muaj, dhe mbushen 100 vjet nga Epopeja e lavdishme e Luftës së Vlorës, Epope që pati jehonë në të gjithë Europën Plakë që kishte dalë e përgjakur nga Lufta e Parë e Madhe me vetveten. Vlonjatët dhe Labëria kishin gati 500 vjet që nuk kishin bërë një bëmë kaq të madhe.

Para gati 500 vjetësh Labëria (Arbëria) kishte bërë një bëmë e tillë. Ishte moti 1431 kur Gjergj Arianiti (Golemi), në sajë të mbështetjes tek Labëria kishte korrur një sukses të jashtëzakonshëm kundër hordhive osmane. Edhe atëhere Evropa Plakë e trembur nga egërsia dhe fuqia e osmanëve dhe selxukëve dridhej dhe i kidhte hyrë frika në palcë. Jehona e fitoreve të Gjergj Arianitit, edhe sot pas gati 600 vjetësh, ndihet në Evropë. Labëria ishte e para krahinë në Ballkan që u tha ndal turqve osmanë.

Ata kishin fituar kudo: Kishin vënë nën thundër Sërbinë në Fushën e Mëllenjave në motin 1389; Kishin mposhtur Balshajt (1385), Topiajt, Muzakajt, Kastriotët etë tjerë princa shqiptarë; Kishin vënë nën thundër Greqinë, Bullgarinë. Por në Labëri iu tha: “Ndalu beg se ka hendek!”.

Kjo është Vlora, e cila pas 500 vjetësh hyri prapë në histori. Këtë epope e shpreh në vargje patrioti, Kapedan Nase Beni nga Vunoi i Himarës:

Evropa shkruajnë e thonë

Ç’është kështu si dëgjojmë?

Bënet-ë dyfek në Vlorë!

Shqiptarët po lëftojnë

Me një mbret 40 milionë.

Po me se lëftojnë vallë?

Me sëpatë dhe me hanxharë,

Dyfekët lidhur me gjalmë,

Fishekët në xhep i mbajnë.

Ç’paskan pjellë ato nëna!

Paskan pjell’ e bërë drëra!

Lëftojn’ e s’u tundet këmba.

Digjen si qiri në këmbë,

E hanë barutin me dhëmbë.

Qeveritë shqiptare e kanë harruar Luftën e Vlorës

Por megjithëse kanë kaluar 100 vjet nga kjo Epope e fundit asnjë qeveri shqiptare nuk u ka shprehur mirënjohjen lebërve dhe vlonjatëve për këtë epope. Qeveritë e Ahmet Zogollit pothuajse nuk bënë asgjë dhe nuk kishin si të bënin, pasi Ahmet Zogolli kishte alergji nga vlonjatët dhe Labëria. Para viteve ’90 qeveritë e kohës ngritën një lapidar dhe një bazoreliev tek “Qafa e Koçiut”, atje ku nuk shpie rruga njeri.

Por, për hir të së vërtetës, atëhere u respektua Lufta e Vlorës dhe luftëtarët e saj, dhe një pjesë etë cilëve që kishin bërë emër në këtë Luftë të Madhe, si Selam Musa Salaria, Sali Murat Vranishti, Sado Koshena, Kanan Maze, iu dha titulli më i lartë “Hero i Popullit”. Madje në Tepelenë u ngrit edhe një shtatore e bukur e Selam Musait, të cilës sot i bën hije hajduti i Beshishtit.

Por para viteve ’90, për hir të së vërtetës, u lanë në hije drejtuesit e kësaj Lufte, të cilët, pavarësisht se nuk ishin në rreshtat e parë dhe nuk dhanë jetën për Shqipërinë, kanë merita të mëdha. Ata janë: Komandanti i kësaj Lufte Ahmet Lepenica; drejtuesi politik i saj, Osmën Haxhiu; si dhe Qazim Koculi etj., figura të larta të kësaj epopeje.

Por edhe ajo që u bë, nuk ishte e plotë. Brenda në qytetin e Vlorës pothuajse asgjë, asnjë përmendore, asnjë shtatore, asnjë grup skulpturor ose monument të madh, të paktën për ata që ishin heronjtë e kësaj Lufte. A nuk e meriton Sado Koshena një shtatore në Vlorë. Selami me “çika që e kapi topin nga grika”.

Po legjendari Sali Vranishti (që sa rroi i punoi gishti). Po Zigur Lelo, Kanan Maze, Mehmet Selim Mallkeqi, i cili “pa i bërë syri tërr”, në mes të ushtrisë italiane në qytetin e Vlorës i dorëzoi gjeneralit Italian, Piaçentinit, Ultimatumin.

Kuptohet u ngrit Monumenti i Pavarësisë, i cili për hir të së vërtetës është madhështor dhe i paarritshëm, monumental për të gjitha trojet shqipfolësë, një hierore ku vinë dhe falen të gjithë shqiptarët kudo që janë. Por edhe Epopeja e 1920, kërkonte edhe ajo një monument të madh brenda qytetit të Vlorës. Kjo nuk u bë.

Por që duhet bërë me se s’bën. Këtë e kërkon koha. Këtë e kërkojnë brezat. Këtë e kërkon me domosdo historia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 përcaktoi fatin e Shqipërisë. Me këtë luftë, pas 500 vjetësh Vlora hyri përsëri me dinjitet në histori.

Pas viteve 90-të, asnjë qeveri nuk e kujtoi dhe nuk e zuri në gojë Luftën e Vlorës. Sali Berisha, njësoj si Ahmet Zogolli, kishte alergji nga vlonjatët. Fatos Nanua kur erdhi në Vlorë në vitin 1997, nga “Sheshi i Flamurit” deklaroi se – ju vlonjatët vulosët daljen time nga burgu. Por, edhe ai si gjithë tjetër, sa mbaroi hallin, e haroi Vlorën.

Ky që kemi tani, për turp të zotit, megjithëse Vlora e ngriti, vjen para varrit të Ismail Qemalit më 28 Nëntor 2018 me çitjane. Faqeziu. Ai nuk turpëron Ismail Qemalin, as vlonjatët, por veten e vet. Ismail Qemali që nga varri lëvizi kockat dhe bërtiti: “Ma largoni këtë birbo që këtu!”

Më 5 shtator 2018 prefekti i Vlorës dhe ai i Gjirokastrës, në nder të tyre, kujtuan Luftën e Vlorës. Ndërsa kryetari bashkisë së Vlorës, për turp të tij, nuk dihet se në çfarë skute u fsheh. Ndoshta nuk i dha leje kryeministri që të vinte në atë përkujtimore.

Tani po ju drejtohemi juve, qytetarë të Vlorës dhe të Labërisë: Meqenëse qeveria dhe bashkia nuk ju trajtojnë me dinjitetin qe ju takon, kërkoni nga ato që në vitin 2020 të përkujtohet 100-vjetori i Epopesë legjendare të Luftës së Vlorës me respektin që i takon!

Për këtë, perveç aktiviteteve festive, që janë diçka minimale, të ngrihet një Panteon Madhështor ku të qëndrojnë me dinjitet heronjtë legjendarë të kësaj lufte, duke filluar me Sali Vranishtin, Sado Koshenën, këtë Bubulinë të Labërisë, dhe deri tek më i fundit.

Ata heronj, që ka 100 vjet që nuk kanë një shtatore në qytet, madje as një bust që t’i kujtojë njeri. Fëmijët në Vlorë mund të shijojnë “Lungo-Maren” dhe shëtitoren “Vlorë-Skelë”, mund të kujtojnë edhe “Rrugën e Ebrenjëve” dhe me siguri do të ndihen qytetarë evropianë.

Por ata, fatkeqësisht, do të harojnë që janë qytetarë vlonjatë dhe stërnipër të atyre gjigantëve të atdhetarizmës si Sali Murati (Vranishti), Selam Musa (Salaria), Sado Koshena (Dukati), Kanan Maze, Zigur Lelo etj., etj., të cilët ashtu si Prometheu dhe Herkuli, heronjtë e lashtësisë, i vunë gjoksin luftës dhe kokën e tyre e vunë në këmbët e Shqipërisë.

Në qoftë se qeveria dhe bashkia nuk e bëjnë këtë, atëhere ju vlonjatë dilni e protestoni para bashkisë dhe në “Sheshin e Flamurit”. Gjyshërit Tuaj u vranë për Vlorën, juve një protestë ju kërkohet.

Edhe një diçka tjetër. Kjo qeveri pa ndjenja kombëtare, me sebepin e rregullimit të “Qendrës Historike” në Vlorë, mund të cenojë “Sheshin e Flamurit”, simbolin e pavarësisë të të gjithë shqiptarëve. Mund ta deformojë dhe shpërfytyrojë atë.

MOS E LEJONI! Po e latë do të kini mallkimin e brezave që do të vijnë dhe të të gjithë shqiptarëve. T’u pritet dora atyre që duan të shëmtojnë “Sheshin e Flamurit”. Ky shesh nuk u përket vetëm vlonjatëve, por gjithë shqiptarëve.

Por vlonjatëve, të parëve, ju kërkohet që ta mbrojnë. Në qoftë se vlonjatët e sotëm nuk e bëjnë këtë; atëhere të mblidhen gjithë shqiptarët, kudo që janë, dhe ashtu si më 2012-n, që u bënë bashkë 1 milion, ta mbrojnë Hieroren e Pavarësisë. Lavdi Dëshmorëve të Atdheut!