Hazizaj: “Venecia” pranoi dekretin si akt, që do të thotë se në formë është tërësisht i drejtë

509
Sigal

Raporti paraprak i Venecias për vendimet e Presidentit Ilir Meta interpretohet ndryshe nga mazhoranca dhe ndryshe nga Presidenca dhe nga opozita.

Për qeverinë, gjetjet e raportit justifikojnë shkarkimin e tij, ndërsa Presidenca thotë se ka zero shkelje në vendimet e Metës dhe po ashtu edhe opozita.

Por, çfarë mendimi kanë ekspertët për draft-opinionin e Venecias?

Gazeta “Si” bisedoi me konstitucionalistin Sokol Hazizaj, i cili shprehet se komisionerët nuk mund të difektohen nga asnjë palë, ndaj kanë përdorur një nocion ndryshe nga kërkesa e mazhorancës politike dhe koncepti i prodhimit të një dekreti me përmbajtje mohuese për dekretin e mëparshëm.

“Koncepti i tejkalimit është thjesht pranim i dekretit si akt, të cilin e ka të drejtë dhe detyrim i vetmi organ kushtetues siç është Presidenti, që do të thotë se në formë është tërësisht i drejtë, por në përmbajtje ka qenë jo në përputhje të drejtën e shtetasve për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Në këtë kuptim, sa kohë kjo e drejtë u realizua e ceduar politikisht, përkundër dekretit të shfuqizimit, palët kanë të drejtën të rivendosin paqësisht, apo rregullojnë mangësitë e konstatuara në zgjedhjet e 30 qershorit. Sa më sipër, Komisioni Venecias ka konstatuar me të drejtë papjekurinë e klasës politike ndaj demokracisë nëpërmjet respektimit të ligjit”, thekson Hazizaj.

Intervista

Raporti paraprak i Komisionit të Venecias ka konkluduar se Presidenti Meta ka tejkaluar kompetencën me nxjerrjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë thekson se kjo nuk mund të përbëjë shkak për ta shkarkuar atë për shkelje të Kushtetutës. Cili është mendimi juaj mbi këtë raport paraprak, hapi që mund të marrë Parlamenti? A mos vallë ekspertët e Venecias kanë ndjekur një linjë “neutrale” të vlerësimit?

Përpara se të përgjigjem kësaj pyetje, duhet të bëj me dije se Komisioni Venecias është një organ këshillimor pranë Këshillit të Europës, që në fokusin e vet mbart, interpreton dhe këshillon mbi probleme rreth demokracisë dhe ligjit, ose inspiron rritjen e të drejtave nëpërmjet ligjit. Në këtë kuptim interpretimet e tij mbi çfarëdo polemike ligjore me karakter politik vijnë ndryshe nga polarizimi theksuar patologjik, i sëmurë në vendin tonë. Sa më sipër, komisionerët nuk mund të difektohen nga asnjë palë, ndaj kanë përdorur një nocion ndryshe nga kërkesa e mazhorancës politike dhe koncepti i prodhimit të një dekreti me përmbajtje mohuese për dekretin e mëparshëm. Koncepti i tejkalimit është thjesht pranim i dekretit si akt, të cilin e ka të drejtë dhe detyrim i vetmi organ kushtetues siç është Presidenti, që do të thotë se në formë është tërësisht i drejtë, por në përmbajtje ka qenë jo në përputhje të drejtën e shtetasve për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Në këtë kuptim, sa kohë kjo e drejtë u realizua e ceduar politikisht, përkundër dekretit të shfuqizimit, palët kanë të drejtën të rivendosin paqësisht, apo rregullojnë mangësitë e konstatuara në zgjedhjet e 30 qershorit. Sa më sipër Komisioni Venecias ka konstatuar me të drejtë papjekurinë e klasës politike ndaj demokracisë nëpërmjet respektimit të ligjit. Duke mos e konceptuar papjekurinë si gabim të rëndë, lënë të kuptohet që origjinën e ka te mungesa e zotësisë juridike të palëve për t’u dhënë mundësi shtetasve të vet garanci juridike. Kaq. Ndaj theksoj se Komisioni Venecias duke kuptuar grykësinë e moshës së papjekur të demokracisë, ende nuk është lodhur me këshillime, por në asnjë mënyrë nuk ka qenë njëanës. Ata përhershmërisht i qëndrojnë parimit të “check and balance” të pushteteve, pa u interesuar se çfarë interesash qëndrojnë pas tyre. Ky qëndrim nuk tregon neutralitet, por thjesht mësim abetareje nëpërmjet ligjit.

Gjithsesi fjalën e fundit pritet ta thotë Gjykata Kushtetuese, kjo në rast të ndonjë vendimi të Parlamentit për shkarkimin e Presidentit. Në vlerësimin tuaj, a përbën një material shterues raporti i Venecias për Kushtetuesën për marrjen një vendimi mbi legjitimitetin e aktit të Presidentit?

Neni 90, pika 3 e Kushtetutës duke parashikuar se “vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”, e disiplinon çdo propozim të karakterit të Kuvendit të Shqipërisë. Padyshim Komisioni Venecias në konceptin e tij ka provokuar papërgjegjshmërinë e Kuvendit në sipërmarrjen e tij dhe në të njëjtën kohë i ka treguar Gjykatës Kushtetuese kufijtë e shqyrtimit të propozimit, në qoftë se ai do të shkojë pranë saj. Ritheksoj se Komisioni Venecias në mënyrë të qartë dhe të thjeshtë ka treguar se aksesi i Presidentit për prodhimin e dekreteve dhe kur ai ka efekt në kohë, jo në hapësirë, nuk përbën gabim të rëndë në raport me aksesin absolut të një mazhorance që materialisht nuk krijon kushtet për pjesëmarrje në votim. Pra, Komisioni Venecias ndryshe nga konceptet tona vulgare, përbën një mësim të madh mbi sensin e masës.

Në skenën politike ka nisur një debat për faktin se Parlamenti më parë duhet të presë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas të marrë vendimin nëse Presidenti ka kryer shkelje të Kushtetutës ose jo? Sipas gjykimit tuaj, a duhet pritur më parë ngritja e Gjykatës dhe më pas të merret vendimi, pasi në të kundërt do të kishim një vakuum tjetër institucional?

Ky është diskutimi më bosh që mund të ketë në arenën tonë politike, për më tepër që ligji mbi Gjykatën Kushtetuese nuk lidh ankimin me qënien, ose jo të kësaj gjykate, por e lidh me llojin e shkeljes dhe kohen e konstatimit të saj dhe ankimit. Polemika e sipërcituar është thjeshtë, ose tregon se faktorët kushtetues të themelimit të Gjykatës Kushtetuese ende nuk duan ta krijojnë atë.

Mazhoranca dhe opozita, pjesa joparlamentare, duket se po japin sinjale për një bashkëpunim për reformën zgjedhore. A mendoni se ka ardhur koha për të realizuar një reformë të thellë, duke ndryshuar Kushtetutën dhe ndryshuar ato që një pjesë e cilësojnë pakt të keq, konsensusin PS e PD Kushtetutën e vitit 2008? Ekziston vullneti politik nga PS dhe PD për të ndryshuar? Dhe e fundit, ky raport i Venecias mund të shërbejë si një shkak për të nisur ndryshimet e mëdha, pse jo edhe prekjen e Kushtetutës për kompetencat e Presidentit? Mazhoranca ka hedhur idenë e një hartimi të një ligji të posaçëm për kompetencat e Presidentit.

Komisioni Venecias ka dhënë mesazh të madh ligjor dhe demokratik, jo vetëm sot por gjithmonë, që nga themelimi Kushtetutës në vitin 1998. Përkundër këtij misioni, konstatoj se Komisioni Reformës Zgjedhore nuk është krijuar për të ndryshuar klimën e vitit 2008, por është krijuar për klimën teknike që opozita të hyjë në Parlament, ose në një marrëveshje tjetër si e vitit 2008, pa ndryshuar Kodin Zgjedhor. Mjafton të lexosh Kodin, konstaton se kapitujt e artikuluar të tij nuk kanë nevojë për ndryshime teknike, sepse jane thuajse parashikuar të gjitha, madje më tepër se nevoja. Vota në vendin tonë nuk deformohet nga Kodi, por nga vullneti që nuk respekton atë.