Harry Bajraktari: Eliot Engel, mik i madh i Kombit Shqiptar

84

Shqiptarët, në mbarë Ballkanin, kanë fituar shumë të drejta që u ishin mohuar historikisht, kanë partitë e tyre politike, e mund të mbështeten në shumë miq e partnerë në gjithë botën. Ndryshimet historike të këtyre përmasave nuk erdhën lehtë. Ndërmjet faktorëve kryesorë, shkëlqen roli i madh që luajti komuniteti shqiptaro-amerikan si dhe miqtë dhe përkrahësit që bëmë e gjetëm në Washington DC. Dhe mes tyre, vetëm një udhëheqës amerikan ka qenë pranë nesh nga fillimi në fund të këtij udhëtimi të gjatë: kongresisti Eliot Engel. Kemi pasur shumë miq të mëdhenj, nga të dy partitë politike, të cilët na ndihmuan bashkë me të dhe me të cilët kemi ndarë momente të rëndësishme historike. Do të doja të përmendja këtu senatorët e Amerikës: Dole, D’Amato, Biden apo anëtarët e Dhomës së Kongresit, Lantos, Molinari, King e lista është shumë e gjatë. Mirëpo, vetëm kongresisti Engel ishte gjithmonë me ne, në çdo hap të rugës sonë, një ndikim thelbësor, në sukseset e kohës sonë. Kongresisti Engel është themeluesi dhe drejtuesi i përhershëm i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, mjeti më i fuqishëm politik që kemi pasur që nga Noli dhe Konica. Që në vitet e para si kongresist ai u bë një mbështetës i hapur i pavarësisë së Kosovës, shpesh duke qenë zëri i vetëm që e shqiptonte atë si e vetmja zgjidhje e pranueshme e konfliktit. Ishte ndër të parët që priti Ibrahim Rugovën në Ëashington DC, në 1991 dhe lidhi me të një miqësi që vazhdoi deri në fund të jetës së Presidentit të Kosovës. Në 1994, ai drejtoi dëgjesën e parë kushtuar në mënyrë të posaçme Kosovës, në Komitetin e Dhomës për Çështjet e Jashtme dhe së bashku me kongresistin Ben Gilman ushtruan presion mbi Administratën Clinton që të mbështeste më fuqimisht Kosovën kundër shtypjes nga Millosheviçi. Ai udhëtoi në Kosovë, në prill 1993, dhe u kthye përsëri aty në korrik 1996, për të inauguruar hapjen e Zyrës Amerikane të Informacionit, të njohur nga populli si “Zyra Amerikane”. Ai ngriti flamurin amerikan në mes të Prishtinës, në atë korrik 1996, duke ngritur bashkë me të peshë edhe zemrat e shqiptarëve të Kosovës, në një prej periudhave më të rënda për ta. E kam dëgjuar kongresistin Engel t’i referohej shpesh herë asaj si “Ambasada e parë e SHBA-së”, në Kosovë. Me kolegët e tij të kaukusit, ai e detyroi Administratën Clinton që të kushtëzonte murin e jashtëm të sanksioneve ndaj Beogradit me zgjidhjen e situatës në Kosovë. Ai punoi shumë që të pengonte emërtimin zyrtar të UÇK-së si terroriste nga Administrata duke i shkaktuar një goditje të rëndë përpjekjeve të propagandës dhe lobimit serb. Sugjerimet nga kongresisti Engel ishin kyçe në procesin kur Administrata Clinton shqyrtonte alternativat me të cilat mund të ndalte spastrimin etnik në Kosovë dhe mbështeti fuqimisht ndërhyrjen ushtarake në 1999. Ai udhëhoqi kolegët e tij në debate dhe rezoluta madhore në Kongresin Amerikan lidhur me luftën. Pas çlirimit të Kosovës, u bashkua me ne në vizitën e parë të organizuar si grup në Kosovën e lirë për të shkatërruar keq nga lufta. U përqafuam me lot në sy, kur kaluam për herë të parë kufirin dhe shkelëm në tokën e lirë, vetëm pak javë pasi trupat serbo-jugosllave ishin larguar të mposhtur nga NATO. Që atëhere, kongresisti Engel ka shkuar pothuajse çdo vit në Ballkan dhe ka vijuar punën e tij në dekadën që vijoi për të bindur Administratën Bush që të njihte pavarësinë e Kosovës. Dhe që prej pavarësisë ka lobuar nga një vend në tjetrin që të njohin republikën e re dhe organizatat e mëdha që ta pranojnë Kosovën si anëtare, përfshi këtu edhe Bankën Botërore, FMN-në, FIFA-n etj. Ai është ende duke lobuar për ne pranë Interpolit dhe UNESCO-s. Pas pavarësimit të Kosovës, ai punoi ngushtë me një tjetër agjensi qeveritare amerikane, Programin për Sfidën e Milleniumit, për t’i siguruar vendit të drejtën për të konkurruar për një paketë shume të madhe ndihmëse. Nuk ka të dytë si kongresisti Engel. Puna e tij nuk kufizohet te Kosova. Si themelues i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare, ai u përqendrua menjëherë me problemet e demokracisë në lindje të Shqipërisë. Ndihmoi në jetësimin e Fondit Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve dhe ka punuar ngushtë me çdo qeveri shqiptare në 27 vitet e fundit. Ai loboi shumë që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s dhe u ftua personalisht nga Presidenti W Bush në ceremoninë e nënshkrimit në Washington DC. Ai ka udhëtuar shpesh në Shqipëri, si vëzhgues zgjedhjesh, si pjesë misionesh faktmbledhëse, si dhe për t’u takuar me të gjithë udhëheqësit politikë të vendit përgjatë viteve. Kongresisti Engel loboi që Presidenti Sali Berisha të ftohej në Shtëpinë e Bardhë, në 1995, si dhe për të siguruar ndihma për Shqipërinë gjatë dhe pas krizës së vitit 1997. Në mes të konfliktit të atij viti të rëndë, ndërsa Shqipëria rrezikohej të rrokullisej në luftë civile, ai udhëtoi për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në negocitat e drejtuara nga ish-kancelari Franz Vranitzky, duke ndihmuar që të arrihej kompromisi politik që shpëtoi Shqipërinë. Më etj u angazhua që të garantoheshin paprekshmëria e kufijve dhe e integritetit territorial të Shqipërisë. Kongresisti Engel ka punuar në vite me shqiptarë të Malit të Zi dhe ka vizituar vendbanime shqiptare atje, sidomos Ulqinin dhe Tuzin. Ai ka qenë shumë herë edhe në Maqedoninë e Veriut, ku ka zhvilluar marrëdhënie të rëndësishme bashkëpunimi me një numër udhëheqësish shqiptarë dhe ka ndihmuar që të sigurojë një përfshire më të madhe të shqiptarëve në qeverisje, nëpërmjet jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në ditën e tij të parë, si kryetari i ri i Komitetit të Dhomës për Punët e Jashtme, ai u takua me një grup shqiptaro-amerikanësh nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, për të diskutuar me ta pikëpamjet dhe aspiratat e tyre politike. Në korrik, rrugës për në Prishtinë, ndaloi në Luginën e Preshevës, për t’u takuar me udhëheqës lokalë të komunitetit shqiptar në Serbi. Ai kërkoi nga ky komunitet prej kohësh i injoruar dhe harruar që t’ia shpjegonin shqetësimet dhe shpresat që kishin për të ardhmen e tyre politike. Askush, ndonjëherë më parë, në historinë e gjatë të kombit shqiptar, nuk ka qenë kaq shumë i përfshirë, për një kohë kaq të gjatë dhe këtë nivel suksesi. Kjo ndihmë nga kongresisti Engel, nuk është diçka që e kemi blerë me para, si thonë disa propagandist serbë po edhe disa shqiptarë të keqkuptuar. Fondet që kemi mbledhur për të përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të shumave që ka mbledhur rregulisht ai vetë, gjatë viteve në zonën e tij zgjedhore dhe në mbarë vendin. Edhe përqindjet apo numrat e votave tona nuk kanë qenë ndonjëherë vendimtare për zgjedhjen e tij në Kongres. Ai na ka mbështetur përpara se të mësonte për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri.  Kongresisti Engel ka mbështetur dhe ndihmuar çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës sepse e ka parë si një kauzë të drejtë. Me kalimin e viteve, prej angazhimit ai është miqësuar me shumë shqiptarë në komunitetin tonë dhe është lidhur emocionalisht me Kosovën dhe shqiptarët. Tani kur e pyesin nëse është me origjinë shqiptare, i bie shkurt dhe thotë: “Po”. Agjenda e Kongresistit Engel si kryetari i ri i Komitetit të Punëve të Jashtme, është pothuajse e mbushur plot. Fakti që mes të gjitha këtyre, ai gjeti kohë për t’i bërë vend një seance dëgjimore kushtuar krimeve të luftës në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të tij për temat që ne jemi të përkushtuar. Kongresisti Engel – Kryetari Engel i Komitetit të Punëve të Jashtme — është aleati ynë më i fortë në Washington, DC. Ju lutem bashkohuni me mua për t’i thënë faleminderit shumë për përpjekjet e tij në vite në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe shqiptarëve të Ballkanit.