Hajro Limaj: Pse nuk mund të bëhet shkencë në Shqipëri?

133

Amerikën e bën Amerika, ose kush e fuqizon Kinën, Gjermaninë, Francën, Rusinë, Korenë e Jugut ose Anglinë? Popujt, fuqitë ushtarake, pasuritë nëntokësore apo zhvillimet që kanë arritur në shkencë dhe në teknologji? Natyrisht nivelet e larta që kanë në shkencë dhe në teknologji! Mirë, po kush janë ndryshimet e Amerikës nga të tjerat? Universitetet dhe qendrat shkencore më të mira të botës janë atje.

Dhe më e rëndësishmja është se janë pikërisht ato vende që harxhojnë më shumë para në fushën e kërkimeve dhe zhvillimeve! Për këtë arsye, në radhitjen e kompanive më të mëdha të botës në radhë të parë janë tek ato. Shumica e kompanive më të mëdha të të shkruarit global janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ato harxhojnë më shumë para në fushën e kërkimeve dhe të zhvillimeve. 43 % të shpenzimeve të kërkim-zhvillimeve që bëhen në fushën e kompjuterave, elektronikës dhe njohurive të thella i bën Amerika!.. Dalja nga Amerika e gjigantëve të botës si IBM, Microsoft, Oracle, Cisco, HP, Apple, EMC, Alphabet (Google), Intel, Amazon nuk është rastësi !..

Xheneti i diplomave false!

Diploma false te doktorëve, inxhinierëve, mësuesve, juristëve, farmacistëve dhe të fakulteteve të tjera nuk janë 3 apo 500. Janë me dhjetëra e mijëra. Për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Kohët e fundit u vërtetua se në administratën shtetërore janë të punësuar 830 kuadro me diploma false. Kjo e dhënë vinte sipas burimeve të SHIK-ut. Po ka shumë më tepër: politikanë, deputetë, biznesmenë e në çdo nivel tjetër.

Zgjidhja është e lehtë. Ministria e Arsimit të kalojë në provime shtetërore të gjithë të diplomuarit, siç po bën në disa degë. Le të kalojnë në provim të gjithë gjykatësit, prokurorët, avokatët, noterët, sekretaret me juridik dhe rezultati do të jetë i qartë… Për diplomat false u mbyllën disa universitete, por fatkeqësisht u përdoren dy standarde. Është edhe një universitet “Europian” që skandali shpërtheu në Kosove me diplomat e doktoraturës. Pse u hesht dhe fatkeqësisht ky është universiteti që mbështetet më shumë nga ministria e Arsimit dhe Sportit ?!. Diplomat dhe provimet që shiten me para po rishfaqen dhe këto shpesh kthehen në organizata. Edhe me keq akoma. Një pjesë e rëndësishme e diplomave që kanë ardhur nga jashtë janë false. Sidomos nga Maqedonia! Shumë prej tyre kanë bërë njehsimin e diplomave ne MAS, ka nga ata që vazhdojnë pa e bërë fare këtë njehsim.

Po përse vallë? Problemi i diplomave false ka qenë dje dhe sot dhe përpjekje do të ketë në vazhdimësi. Edhe pse shumë universitete u mbyllën pikërisht për këtë punë, si do të zgjidhet me ata që prej tyre kanë marrë diplomat false dhe sot bëjnë karrierë ose vazhdojnë doktoraturat?!. Sa prej tyre kanë marrë gradat shkencore dhe janë emëruar në poste e detyra të rëndësishme, kur ata jo vetëm janë xhahil për vete, por janë pengesa kryesore për një administratë kualitative apo për universitete kualitative. Në qoftë se dëshirojmë të mos kemi të diplomuar më doktorë, mësues, inxhinier dhe profesione të tjera me diploma false, të blerë, ka ardhur koha që kjo punë të merret seriozisht. Bile pa kaluar aspak kohë. Sepse ata kanë pushtuar shtetin dhe sektorët e rëndësishëm jo publik. Në shumë vende, në sitën e internetit të çdo institucioni arsimor gjendet lista e të gjithë diplomuarve për çdo vit. Sapo lind ndonjë shqetësim shkohet në vend, shikohet dhe mësohet e vërteta. Edhe tek ne mund të shkohet në këtë rrugë. Ose mund te gjenden rrugë akoma më të besuara. Mjafton që ne të mendojmë dhe punojmë.

Por nuk ka mundësi të punohet, kur institucionet janë pushtuar nga mediokriteti, të pa arsimuarit, të pa kualifikuarit dhe nga grykësit që marrin detyrat vetëm për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në rrugë të kundraligjshme. Akademia e Shkencave është në gjendje kome, ministria e Arsimit nuk ka në drejtim asnjë shkencëtar që të të reflektojë mbi realitetet dhe të paraprijë punës studimore dhe shkencore në të gjitha nivelet e arsimit. Bile është për të qeshur dhe për të qarë. Ish sekretari i përgjithshëm, nga i cili varen direkt drejtoria e Arsimit te Larte dhe Arsimit Para Universitar kishte ardhur nga policia gjyqësore dhe nuk e lidhte asgjë me arsimin dhe shkencën. Prandaj kjo ministri ishte në një nga krizat më të rënda të drejtimit dhe të punës shkencore. Po puna shkencore ne universitete publike ku është? Çfarë studimesh kanë bërë në fushat e zhvillimeve të pritshme të vendit: në teknologji, informatikë, industri ushqimore, në mjedis, në hidrokarbure, etj etj. Asgjë me vlerë. Sepse edhe ne universitete mbizotëron pasurimi me të gjitha rrugët e mundshme dhe jo puna shkencore, sepse atë nuk e mbështet financiarisht as ministri, as Akademia, as qeveria dhe askush
Termetet e fundit vertetuan shkaterrimin qe u kane bere te gjitha institucioneve shkencore qe kane te bejne me kete fushe.

Në një vend që nuk mbështetet truri, dija, shkenca ka vetëm dështime, prapambetja dhe anarshi. Detyrimisht kur edhe pjesëtarë të qeverisë janë mediokër, zëvendësministra, drejtorë të përgjithshëm, deputetët etj. Ky është shkaku i këtij kaosi politik, ekonomik dhe social i Shqipërisë. Vendi nuk ndërtohet me xhahil, mediokër dhe të paaftë që natën bëjnë planet vetëm se si do të vjedhin për t’u pasuruar nëpërmjet detyrave politike apo shtetërore. Intelektualët e vërtetë, studiuesit e vërtetë nuk gjejnë vend në vendet kryesore të pushteteve. Ata janë të braktisur dhe të dhunuar psikologjikisht. Prandaj është rritur kërkesa për ta braktisur vendin. Shkojnë doktorët, informaticienët, inxhinierët në Gjermani, Kanada, Amerikë …Kush pyet ? A ka mundësi të mos ngelet asnjë në Shqipëri, thonë në heshtje grabitqarët e zyrave shtetërore. Kështu, vazhdojnë ne jemi më të sigurt… Pa u përmbysur ky sistem klanesh, grupazhesh, mediokrish dhe hajdutesh që është ngritur në sistem vendi nuk mund të rregullohet kurrë.