Hajredin Cakrani: “Kujtimet e një firmëtari”

1240
Sigal

Roland QAFOKU

Sot kushdo nga ne mund të shkruajë kujtime. Mund të shkruajë për vete, për punën e vet, për miqtë, shokët, komshinjtë dhe gjithçka që i ndodh gjatë jetës. Dhe pas viti 2000 ka një modë shqiptare të të shkruarit të kujtimeve. Por pyetja është, sa vlerë kanë këto kujtime dhe kujt i shërbejnë ato? Ato mund t’i shërbejnë miqve të tu, punës tënde, profesionit tënd, lagjes tënde, fshatit tënd dhe ja e shumta edhe qytetit apo krahinës tënde. Por këto quhen kujtime për vete dhe për shokët. Ato kujtime që vlejnë si pjata e artë janë kujtime që i shërbejnë gjithë Shqipërisë, shtetit dhe vendit tënd. Të tilla janë kujtimet e Hajredin bej Cakranit, njeriut që ka vulosur emrin dhe firmën e vetë në dokumentin më të rëndësishme të shtetit shqiptar, në proklamatën e Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Mjafton vetëm ky moment, ky akt që historia e jetës së Hajredin bej Cakranit të jetë çimentuar në panteonin e Shqipërisë që ndërtuan dhe krijuan 106 vjet më parë.

“Më thanë se si më i madh do firmosja unë deklaratën, po unë i thashë se-ti mbive në Vlorë e u trete, e unë të firmos, s’vete kjo punë. Do t’i them Ismail Beut vetë, por im vëlla Bektashi qeshi me axhami. Mua m’u ngritën nervat. Të firmosim të dy përsizaj për të dy Mallakastrat i them unë se në të vërtetë ky që ra theror nukë do. “

Firmë e rëndë e pavarësisë jepet me nota me të vërtetë që sot do ta kishin zili edhe ata që firmosën pavarësinë e SHBA-së

“Zoti Luigj Gurakuqi shkiruati deklaratën dhe filluam ta firmsoim. Më erdhi radha edhe firmosa nën Zihni Aganë. Kisha merak që me kaq firma të mëdha nuk do na dilte karta. Nuk harruam që ato shkronjat ta firmosëin edhe osmanisht që ta merrte vesh edhe Strambolli. Se s’jemi më tokë e i kishim lënë shëndenë”.

Po si firmosën të tjerët?

“Murat Beu shtrëngoi vetën aq fortë sa u hap boja në kartë dhe ngjyeu penën përsëri”

Po si e përshkruan atë situatë që sot ne të gjithë e imagjinojmë por nuk kemi shumë detaje se si ishte atmosfera dhe ç’ndodhte në Vlorë. Emocionet e Hajredin bej Cakarait tregojnë shumë:

“Edhe sot më treten mishtë që ai sahat na foli dhe dhe atças të treteshe për vatanë s’të vinte keq për vete më. Ishim shumë të gëzuar sa të rrënqethej mishtë kur mileti i mbledhur para shtëpisë së Xhemil beut dhe gjithë ai kallaballëk i madh në oda shkallë e avlli ishin mizë lisi”.

Dhe detajet shkojnë deri në nota ilariteti:

“Të gjithë miqtë thanë vlonjatë nuk do firmosëin se Nuk do firmosë gjithë Vlorë de”.

Për Bektash Cakranin, ministër i thesarit të qeverisë së Ismail Vlorës:

“Ismail Beu foli Bektash Beun dhe i tha se e sheh si jemi, ç’të të vë më ndonjë ministri, të të shohin vëngër, i duron ti dotë, kur ti n’a je bërë nënë e babë qëkurë?! Ndaj këta që i sheh nashti tok me mua, që dihetë ç’më la Mahmut Beu, kanë natarët (çelësin) e kashtës, kështu o i nikoqireps ti këto punë, o s’i bënë dotë njeri më dynja! Do kesh Thesarë, që si e di është shpyrti i këtij shteti të ri dhe më këtë punë do jesh vetë zot e shkop! Ti i di më mirë që këtu janë kripë dhe e sheh që nuk n’a vjen asnjë kacidhe më asnjë anë si jemi mbyllurë më lak, pa ato të holla që muartëm, i ormisëm! Do ti, do bëjë udhë shteti, s’do, do japë xhanë! Ndaj ti që nukë je kursyerë qëkurë për vatanë, si ke thënë e ke bërë, do zgjidhëç qesen tënde t’i vësh nga liratë e floritë e tua. Pa nevej nashti që llafos kaqë fuqi kemi, të të themi t’u shtofshin e mos t’u mbarofshin!”(Hajredin Bej Cakrani, Kujtime, 1932)

Ishte i madh, sepse shkriu pasurinë për Shqipërinë dhe dha për Shqipërinë çfarë kishte.

I madh sot nuk është Arben Ahmetaj. Ai e gjeti Shqipërinë si ministër pas 101 vjetësh. I madh ishte Bektashi dhe Hajredini që e bënë Shqipërinë pa qenë ajo. Hapi shkollë shqipe dhe financoi edhe mësuesit. Ata nuk ishin thjesht vëzhgues, por aktorë të rëndësishëm në ngjarjet më të rëndësishme në gjysmën e parë të shekullit 20-të. Nuk po merrem më me historinë, por me gjuhësinë e Hajredin bej Cakranit. Në kujtimet e tij janë disa fjalë që mua më kishte marrë malli. Është toskërishtja jonë e bukur dhe e ëmbël që herë herë disa zanore duken si tingujt e telave të kitarës. Më nxori mallin e gjyshërve dhe stërgjyshërve të mi që nuk jetojnë më. Ata flisnin kështu ose siç thoshin ata “kundonin kështu”: Janë fjalë të shqipes së vjetër që unë e kam dëgjuar në vitin 2001 në SHBA nga Anthoni Athanas, dhe i lexova të kujtimet e Hajredin bej Cakranit:

Besoj si unë duhet të ketë edhe të tjerë:

Fjalë që na kishte marrë malli

Nashti

Hazër

Kiamet

Karta

Hataja

Sosëm

Kaptuar

Sëkëlldi

Llafos

S’e zinje dot me llaf

Çap

Dhiplomat

Nakatos-përzje

Vend pa zot

Po lëfton

U shtrua buka

Mizë lisi

Që kur s’mbahej mend

Zemra m’u drodh si zog

I punojmë qindin

Nuk vlen një grosh

Nuk lija cep pa gjezdisur

Kishte hedhur llafnë

I dhëntë ymër i madhi zot

I kishin dhënë llafin

M’u prenë gjunjët

U lumçin këmbët!

Jemi ngrënë me njëri tjetrin

Dhe për ta mbyllur…

Sot dua të them se ne nuk jemi duke promovuar një libër që avokati Kujtim Cakrani, një pinjoll i denjë i familjes Cakrani, të mëdhenj po e realizon kaq denjësisht. Por ky takim është dhe le të jetë një nderim dhe homazh për Hajredin bej Cakranin dhe Bektash bej Cakranin. Këta dy vëllezër, dy burra, dy shqiptarë që e deshën Shqipërinë kur nuk kishte fare Shqipëri. Nderim për këta dy burra që e kanë vendin në panteonin e kombit!