Në letrën që PD i drejton kryeparlamentarit Ruçi thuhet midis të tjerash se, “Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk i kanë vënë në dispozicion për 5 muaj asnjë dokument Komisionit Hetimor”. “Ministri i Brendshëm dhe kreu i policisë akuzohen nga PD për pengim të qëllimshëm të Komisionit Hetimor “Tahiri” dhe kjo bëhet me qëllim fshehjen e gjurmëve të lidhjeve të qeverisë me krimin e organizuar”, thuhet në letër. Gjithashtu, PD akuzon Ministrin Xhafaj për asgjësim provash në mbrojtje të vëllait trafikant, si dhe Tahirit, Ballës, Çyrbjes etj. “Mandati i Komisionit Hetimor përfundoi sot pa asnjë rezultat për shkak të pengimit të qëllimshëm të punës nga qeveria”, thuhet në letër.” Për këtë Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Paloka kërkoi tri muaj shtyrje të afatit. Ruçi dhe deputetët e PS-së e pranuan menjëherë gjithë bujari këtë kërkesë të sigurt që sërish komisioni do të dështojë. Me kaq i lau “hesapet dhe gojën” komisioni hetimor, që u mblodh vetëm ndy herë në mars dhe në prill, ku mbledhja dështoi për arsye të ditura. Nga letra e dërguar, del që deputetët opozitarë donin të bënin hetime, po i paska penguar qeveria, Balla, Tahiri, e Xhafaj. Po a nuk u ngrit Komisioni pikërisht, se ata po fshihnin provat dhe po mbronin njeri-tjetrin?! Mendohej që Komisioni Hetimor i kërkuar me aq ngulm nga grupi Parlamentar i PD-së do t’i kalonte hetimet në një fazë të re më të lartë, duke argumentuar e nxjerrë fakte të reja për pleksjen e Tahirit, Xhafajt e Kryeministrit me narkotrafikantët. Komisioni nuk u ngrit që këta të fundmit të kapnin vetveten?! Por që kur u ngrit komisioni ishte i dështuar, për njëmijë arsye por unë do të përmend nja tre të tillë:

E para: Materialet që kërkonte të shqyrtonte ky Komision (të marrë në pyetje E. Ramën, F. Xhafajn, S. Tahirin, V. Ajazin, H. Çakon, A. Veliun, H. Bendon, B. Hajdarmatajn, E. Gjonajn O. Thëngjillin, D. Zaganin, dhe një mori drejtorësh policie e ministrish si dhe të dhëna nga tetë institucione shtetërore) do të përbënin një volum prej mijëra faqesh me deklarime, fakte, pyetje, dëshmi, hetime brenda e jashtë vendit etj, e tj. Veç kësaj do të kërkonte ndoshta dhe një grup prokurorësh që të ndihmonin komisionin gjatë hetimeve. Po kërkesat, e drejtuara, rreth njëzetepesë institucioneve e individëve, u bënë nën entuziazmin patriotik, që mbërthen vetëm të enjteve disa deputetë të PD-së, pa u menduar që kjo kërkonte një punë të studiuar e të jashtëzakonshme.

E dyta: Duhet të parashikohej që qeveria dhe institucionet pranë saj, nuk do të jepnin të dhëna dhe kjo kërkonte të paktën të bëheshin publike pengesat që do të haseshin hap pas hapi nga Komisioni gjatë hetimit. Gjatë punës do të ishte komisioni që do të nxiste e kërkonte seriozitet nga institucionet dhe individët gjatë hetimeve. Por deputetët e opozitës pasi bënë kërkesat ia futën gjumit pesë-mujor aq sa ariu i murrmë i Siberisë. Prisnin ndoshta pasi bënë kërkesat me firmë e vulë, që puna do të shkonte fjollë ashtu, vetvetiu. Prisnin që “tahirxhinjtë” të vinin me saze e daulle e të deklaronin: Urdhëroni ja ku i keni faktet e dokumentat! Tani nxirrni prangat e na fusni në burg!

E treta: Ky hetim do të kërkonte qindra e qindra orë punë, përkushtim, net të tëra pa gjumë e ndoshta edhe rreziqe që të shkonte deri në fund. Por kur koha që kalon një deputet në punë të mirëfilltë si kjo, është disa minuta ose zero minuta, dhe gjithë koha tjetër harxhohet për ‘’deklarata për tjerrje leshi’’ sigurisht që dështimi është i garantuar. Ndoshta anëtarët Komisionit Parlamentar të PD-së e dinin që në fillim që ky hetim do të ishte ‘’punë leshi’’, por e kërkuan të habisnin demokratët se gjoja po punojnë, (po bëhen copash) e janë në vijën e parë të zjarrit në përleshje me ‘’armikun.’’ Nëse tre muajt në vazhdim komisioni ia del dhe vë para përgjegjësisë Tahirin e Xhafën kjo do të ishte një mrekulli. Do të shënohej një rekord i padëgjuar më parë, si i pari komision hetimor parlamentar në këta 28 vjet demokraci që solli prova konkrete në bashkëpunimin e qeveritarëve me mafien e narkotrafikut. Sigurisht do të ishte një sukses i madh për opozitën dhe popullin shqiptar. Të gjitha ato që thotë sot Partia Demokratike se qeveria është e pleksur me krimin, se Shqipëria po braktiset, se varfëria dhe hendeku midis një grushti pasanikësh hajdutë dhe popullit thellohet çdo ditë, se bandat po bëjnë ligjin e administrata është mbushur me militantë injorantë e hajdutë është plotësisht e vërtetë. Këtë e di më mirë populli që i vuan në kurriz sesa deputetët e çdo krahu qofshin. Mos prisni zotërinj deputetë të PD-së që mazhoranca të sjellë prova nëse ju nuk bëni të pamundurën që t’i keni e siguroni ato. Madje vetë PD-ja duhet tu kërkojë llogari anëtarëve të këtyre komisioneve që ngre, në parlament dhe brenda saj, për detyrat e ngarkuara dhe punën e kryer. Partisë Demokratike nuk ka çfarë i duhen deputetët llafazanë, dembelë e miopë që presin radhën të vijnë në pushtet. Shembulli i dështimit të Komisionit Parlamentar për çështjen ‘’Tahiri’’, (Inshallah për tre muaj e kapërcejnë ylberin!) duhet ta bëjë të kuptojë Partinë Demokratike se me njerëz fluturakë, pa peshë, që nuk ulen dot të shkruajnë një raport me dy faqe kompjuterike, që nuk kanë durim të bëjnë një mbledhje të gjerë me demokratët e bazës, e të dëgjojnë me durim vërejtjet e tyre, nuk ngjallet besimi në popull. Sepse edhe nëse një ditë PD-ja do të vijë në pushtet, ata deputetë njësoj do të sillen si përtacë, llafazanë, e të papërgjegjshëm.