Sigal

Në jetën tonë po shfaqen disa dukuri sociale dhe sjellje individuale që shpesh janë kaq shumë të përçudnuara që po vënë në dyshim standardet e demokracisë dhe qytetërimit tonë. Ka një shpërthim të paparë të sjelljeve dhe veprimeve anormale, kaotike, kriminale pa sens social dhe human, Përditë krime e vjedhje, vrasje e vetëvrasje, shfrime seksuale gati shtazarake, mungesë të stabilitetit mendor, e shumë forma e veprime me natyrë asociale. Jetojmë në kohë postmoderne, të lirë, të liberalizuar moralisht, pa shtrëngimet johumane të shoqërisë totalitare. Individualizmi është bërë qëllimi i jetës së çdo njeriu, tendenca për të qenë sa më i pavarur nga të tjerët, shteti, shoqëria, familja janë dukuri sociale që po bëhen dominuese në shoqërinë shqiptare. Koha moderne në Shqipëri i ka flakur ideologjitë, tabutë morale, klishetë e dogmave sociale. Jeta shoqërore duket e zhytur në një relativizëm ekstrem të vlerave.  Deri në atë masë sa që po bëhet e vështirë të dallosh të mirën nga e keqja, vesin nga virtyti, vlerën nga antivlera, të moralshmen nga amoraliteti, humanitetin nga sadizmi, miqësinë nga hipokrizia, respektin nga servilizmi, aftësinë nga konformizmi social, etj, etj. Po lulëzojnë shumë vese në jetën e njerëzve tanë, sa që ato po bëhen normë sociale të cilën shoqëria është e detyruar ta pranojë, dhe inkuadrojë në normat e moralit publik. Kjo situatë e thellë e relativizmit dhe paqëndrueshmërisë së vlerave po ndikon dhe reflekton në kaotizmin e sjelljes së njerëzve tanë. Dilema ekzistenciale për të dalluar atë që është e mirë nga ajo që është e keqe, është bërë prezent tek çdo njeri normal. Asnjëherë nuk ka qenë kaq e vështirë sa sot për të vënë në shoqëri kufirin e saktë të së mirës dhe të keqes.  Ky relativizëm në kushtet e shoqërisë së lire shqiptare, me natyrë liberale dhe vlera të papërcaktuara, është bërë i vështirë për t’u vlerësuar. Dhe kjo e bën që të shtohen paqartësitë individuale të njeriut të thjeshtë, në përpjekjet e tij për të gjetur “piketat” e sjelljes, orientimit social për të përcaktuar mënyrën, masën e vlerësimit moral të karakterit të njeriut të mirë apo të keq.

Nuk është rastësi që shoqëria shqiptare ndodhet në situatën e paqartësive konceptuale të sjelljes individuale, që e bën atë qenie të “brishtë dhe të pasigurt”.  Ka një kaos të papërcaktuar, që e ka bërë të vështirë mundësinë e njeriut që të jetë i qartë me veten dhe shoqërinë, që të ketë mundësi për të bërë një jetë më të mirë individuale dhe sociale. Ka një perceptim që po zgjerohet në shoqërinë tonë, sipas të cilit është e pamundur që njeriu i veçantë individualisht të jetë i mirë dhe i moralshëm, në kushtet kur e tërë shoqëria është e ndërtuar mbi padrejtësinë sociale, kur marrëdhëniet njerëzore janë ftohur, interesi dhe paraja janë të vetmet piketa orientuese të jetës, kur dhuna, krimi dhe vjedhjet janë zgjeruar, kur toleranca, humanizmi, solidariteti dhe mirëkuptimi janë pakësuar në minimum, janë bërë vlera të rralla sociale.  Duke parë këtë situatë, problemet e shumta me të cilat përballemi, kjo të detyron që të shtrosh pyetjen: Të jetosh në kushtet e shoqërisë postmoderne do të thotë që të kthehemi pas për të jetuar në kushtet e gjendjes natyrore apo do të ecim drejt zgjerimit të hapësirës sociale? Kur shikon sasinë dhe intensitetin e dukurive sociale anormale, natyrshëm që i hutuar pyet veten dhe të tjerët: A ka norma morale të sjelljes sociale që do të na ndihmojmë të dallojmë, të pranojmë të ndajmë sjelljen e mirë nga sjellja e keqe? Duke parë nivelin e lartë të dhunës në familje, në shoqëri, në ambiente publike e kudo gjetkë, të duket sikur  shoqëria jonë, në vend që të jetë shoqëri e logjikës humane, marrëdhënieve sociale dhe morale, duket sikur ka marrë trajtën dhe logjikën e “shoqërisë së forcës”.  Ideja e “njeriut të fortë” në të gjithë kuptimet semantike, pezhorative dhe konotative, jo në kuptimin intelektual, moral, qytetar dhe social, por në kuptimin fizik, të pasurisë, aftësisë mashtruese deri në krijim pushtetesh me natyrë mafioze, është bërë kaq shumë sunduese në jetën tonë, sa që ka trembur së tepërmi njeriun e mirë, të ndershëm, punëtor, që njeh dhe zbaton ligjin, moralin dhe rregullat e përbashkëta të qytetërimit.

Pushteti i forcës politike dhe parasë, po qe se do vazhdojë të jenë kështu, kaq arbitrar dhe i pakontrolluar nga shoqëria, ligji, shteti, morali, qytetari ka rrezik që deformimi i shoqërisë sonë strukturor dhe moral mund të jetë i përçudnuar deri në përmasa katastrofike.  Nominalisht termi “të fortët” domethënë, emërton, nënkupton përgjithësisht ata njerëz që për shkak të fuqisë politike ose të parasë qëndrojnë mbi ligjin, shtetin, moralin dhe qytetarët e thjeshtë. Madje duket se ata kanë filluar të japin shenjat e para, se janë ata që bëjnë ligjin, moralin dhe kodet e qytetërimit tonë. Ne nuk duhet ta shikojmë në mënyrë soditëse, indiferente dhe pa shqetësim krijimin dhe zgjerimin e shtresës së të “fortëve”, që bëjnë ligjin dhe që me sa duket nuk ka më forcë që t’i pengojë ata. Ndaj termi dhe koncepti i të “fortëve” që duan të “sundojnë” pa kontroll dhe pa asnjë pengesë në në shoqëri tonë, duke shkelur çdo kufi të jetës morale, çdo dallim të së mirës dhe të keqes është përhapur gjerësisht.  Duhet të jesh naiv që të bësh sikur nuk kupton dhe nuk merr vësh nga realiteti që heshtësh tani që edhe pushteti i të fortëve nuk është absolute, kur ende omnipotence e kësaj shtrese nuk është aq shumë e organizuar sa që të sfidojë të gjithë pushtetet e tjera legale politike, morale, juridike e qytetare. Por intensiteti i forcave lëvizëse të pushteteve duket se ka filluar të kalojë në “anën e tyre”. Kjo është gjë shumë e keqe dhe ka mundësi që të na mësojë të përshtatemi deri në atë moment kur si qytetarë nuk do të kemi më fuqi për t’i ndalur dhe në mënyrë fatale do të jemi të dorëzuar para fuqisë së tyre sunduese të parasë, pushtetit, dhunës (mbase jo fizike) të cilat mund ta deformojnë jetën dhe qytetërimin tonë, madje edhe balancat e drejtësisë sociale të shtetit, i cili gjithashtu ka filluar të mos jetë aq i fuqishëm sa duhet përballë tyre.  Në se shoqërinë tonë do lejojmë që në vend të rregullit social që orienton sjelljen e njeriut, të lejojmë ca të tjerë që synojnë të ndërtojmë një “xhungël sociale” në të cilën të kenë të drejtë të sundojnë, të bëjnë ligjin vetëm të fortët fizikë, politikë dhe të pasurit e dyshimtë, nëpër të cilët nuk ka asnjë pengesë dhe rregull që të mund t’i ndalë, nuk ka dyshim se shoqëria do të bëhet e mirë vetëm për ata që nuk kanë asnjë skrupull moral (mbase kriminal) dhe atëherë do të jetë e vështirë që ata të ndalen në aventurat e tyre të forcës së pakontrolluar. Ku do shkojmë kështu dhe cili ligj do të jetë ai, që do të drejtojë shoqërinë, do të orientojë sjelljen e njeriut, ligjet morale që duhet të na ndihmojnë të dallojnë të mirën nga e keqja? Në se ligji do vazhdojë që në çdo rast të godasë të dobëtin dhe të favorizojë të fortët, kjo do të thotë se jemi duke deformuar themelin social të shoqërisë, jemi duke e bërë atë shoqëri të padrejtësisë sociale, në shoqëri që në se ecën kështu mund të bëhet ambient i përshtatshëm për “ligjin e xhunglës”?  Në se do të thellohemi akoma në një shoqëri në të cilën nga njëra anë e shoqërisë do të jetë forca (politike dhe e parasë) dhe nga ana tjetër si mjet komplementar qytetarët do të gjejnë si forcë përshtatëse dinakërinë, hipokrizinë dhe kameleonizmin konformist, atëherë nuk mund të ketë dyshim se jemi duke u larguar nga standardi i qytetërimit, duke ju afruar padyshim standardeve të kamufluara të gjendjes natyrore paraqytetare. Kjo situatë duhet të na detyrojë që të mendojmë më thellë, që tani, për defektet që po i zgjerohen shoqërisë dhe të qytetërimit tonë, për shkak të shtimit të gamës së sjelljeve asociale, individuale dhe shoqërore që po përmbytin dhe deformojnë standardet e jetës dhe qytetërimit tonë. Tiparet e gjendjes dhe sjelljes natyrore, asociale nuk janë tipare të lindura të njeriut. Ato janë deformime që krijohen në jetë dhe që determinohen nga kushtet dhe rrethana që i kemi vetë në dorë, që i ka politika, shteti, drejtësia, familja, shkolla, situata ekonomike, kristalizimi i vlerave morale të qytetërimit tonë tradicional dhe modern. Të gjitha këto janë parakushte që të largohemi nga deformimet e realitetit social dhe të sjelljes të njerëzve tanë, që kanë humbur identitetin social dhe staturën morale duke e reduktuar personalitetin e tyre në kufirin paracivil të gjendjes natyrore, që i bën ata më shumë të veprojnë me instinkt dhe jo me arsye.

Ne kemi shqetësime të gjëra në shoqërinë e sotme nga që nuk po merremi sa duhet me deformimet që ajo po pëson, për shkak të deformimeve, mungesës së rregullave të qarta, por dhe nga mungesa e eficiencës së shtetit ligjor, janë krijuar kushtet që shumë njerëz të tentojnë të jetojnë jashtë kufirit social, më saktë në kushtet e gjendjes natyrale. Nuk mund të heshtim përballë të vërtetës që po shtohen njerëzit që jetojnë ‘ergjele’, pa asnjë shqetësim që të adoptojnë sjelljen e tyre me detyrimin për të qenë koherent, që edhe tek ata të lulëzojë sjellja sociale. Shumë tipare të këtyre sjelljeve që dëshmojnë se jemi duke përjetuar tiparet e anomisë sociale, janë evidente dhe shqetësuese për jetën e shoqërisë dhe qytetërimit tonë. Nga që shoqëria jonë është liberalizuar, ka një lulëzim të individualizmit në formën e egoizmit dhe asocialitetit të qartë. Ekonomia e tregut i ka ndarë njerëzit në fronte të veçanta, që nuk mundësojnë as lidhje, as mbështetje apo solidaritet social. Në luftë për para, sukses, famë njerëzit janë atomizuar deri në atë farë feje sa që gjithnjë e më të dobëta po bëhen lidhjet me njëri tjetrin.  Nuk është e tepërt që si shoqëri duhet të mendojmë që të marrim masa për ta parandaluar apo korrigjuar dhe modifikuar me mjetet e natyrshme që na ndihmojnë në procesin e gjerë të skalitjes së tipareve të qytetërimit tonë.