Gëzim Tomorrica: Përse po vjen Kryeministri në Skrapar?

1130
Sigal

Është koha që Rama të reflektojë, të dëgjojë zërin qytetar, për qeverisje lokale me integritet

Përse po vjen Kryeministri Edi Rama në Skrapar!

Nga Gëzim Tomorrica

Partia Socialiste në datën 1 qershor filloi fushatën elektorale, këtë herë pa kandidatë nga kampi opozitar duke u garantuar që të eliminojnë dhe kandidatin modest të BD, për të siguruar kështu për të parën herë prej gati 30 vitesh një fitore aq shumë të dëshiruar në Bashkinë e Skraparit. Në fakt strategjia e Kryeministrit për të fituar zgjedhjet lokale ka filluar që kohë me parë kur ai filloi bllokimin e projekteve që kishin filluar që të zhvillonin zonën pavarësisht premtimeve të tija për financim. Le ti rendisim këto premtime të tija pasi Kryeministri Edi Rama, asnjëherë përgjatë qeverisjes së tij nuk e ka përfillur qeverisjen lokale, që nuk ka qenë pjesë e partisë që ai drejton, madje nëpërmjet gjuhës dhe sarkazmës së tij e ka ironizuar atë duke thënë sillni projekte dhe unë dhe qeveria ime do ti investojmë. Bashkia Skrapar i ka çuar një serë projektesh, të cilat ai i ka vlerësuar si projekte që ndihmojnë në zhvillimin ekonomik lokal, por që më vonë qëllimisht i ka anashkaluar duke mos i financuar.

Projektet e pambaruara nga Qeveria e Ramës në Skrapar

– Rikonstruksioni i sheshit në qendër të qytetit të Çorovodës (faza e dytë ), është premtimi i parë i pambajtur i tij dhe këtë ai duhet t`ja shpjegojë qytetarëve të Skraparit.

-Financimi i Projektit të Ujësjellësit është premtimi i dytë i pambajtur i tij .

Ky projekt do t[i jepte zgjidhje përfundimtare furnizimit m ujë të pijshëm të qytetit të Çorovodës, duke siguruar ujin e pijshëm 24 orë në ditë si kusht shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Skrapar, por që dhe ky fatkeqësisht rezultoi një premtim i pambajtur dhe këtë duhet t`jua shpjegojë banorëve të Çorovodës .

-Rikonstruksioni i rrugës Berat-Çorovodë, arteria kryesore lidhëse e zonës, e cila është në një gjendje të mjerueshme për të cilën bashkia ka kërkuar gjithmonë fonde për rikostruksionin e saj duke çuar projekte, por që të gjitha këto binin në veshin e shurdhër të Kryeministrit Rama dhe këtë ai duhet t`ja shpjegojë mirë qytetarëve të Bashkisë Skrapar .

-Projekti i rrugës Çorovodë –Përmet, ky projekt shumë vital për zhvillimin ekonomik të zonës qëllimisht u bllokua dhe u la në mes me vetëm 5 km rrugë për mungesë fondesh dhe këtë ai duhet t`jua shpjegojë mirë qytetarëve të Skraparit përse qeverisë i mungon dëshira për financim në Skrapar.

Lojërat politike të Ramës: Bllokimi i buxhetit të Bashkisë Skrapar

Bllokimin e qëllimshëm të buxhetit të Bashkisë Skrapar për 3 muaj duke lënë pa rroga e shërbime punonjësit e Bashkisë Skrapar, mbyllur çerdhet, kopshtet, konviktin si dhe vështirësuar realizimin e të gjitha aktiviteteve bazike si pastrimin qytetit, mirëmbajtje e infrastrukturës në të gjithë territorin e Bashkisë Skrapar etj.

Llogaridhënia që duhet të japë Rama popullit të Skraparit

Duhet t`ju shpjegojë qytetarëve të Skraparit mënyrën se si Rilindja bleu këshilltarët bashkiakë dhe ndryshoi raportet në këshill me qëllimin e vetëm pengimin e investimeve të Bashkisë Skrapar për të dëmtuar imazhin e mirë të punës së bashkisë dhe për të shtuar artificialisht pakënaqësinë ndaj Kryetarit të bashkisë. Largimin e Kryetarit të Këshillit të Bashkisë, Znj. Mimoza Zylyftari, një profesioniste me moral dhe integritet të lartë dhe zëvendësimin e saj me Z. Partizan Gorçe, me arsim 8-vjeçar me diplomë të blerë e hetuar, investiguar gjerësisht me fakte të pakontestueshme nga emisioni prestigjioz “Stop”, por që çuditërisht vazhdon të jetë përsëri në punë, madje në një sektor mjaft delikat si Përgjegjës i Zonave të Mbrojtura me përkrahjen dhe bekimin e deputetit Adnor Shameti.

Duhet t`ju shpjegojë qytetarëve mbylljen e njëanshme të guroreve të malit të Tomorrit , nga ana e ministrit të Turizmit z.Blendi Klosi, pa respektuar asnjë standard, madje as heqjen nga fondi pyjor, duke pasur një objektiv të vetëm dëmtimin ekonomik të bashkisë.

Duhet t`ju shpjegojë qytetarëve të Skraparit reformat e suksesshme që ai ka ndërmarrë në sektorin e arsimit ,hipotekës ,administratë publike etj.

Duhet t`ju shpjegojë qytetarëve eficencën e ndërmarrjes së elektrikut ku u hoqën profesionistët dhe u zëvendësuan me militantë dhe koston po e paguajnë qytetarët e zonave të largëta, të cilët rrinë me ditë të tëra pa energji elektrike, ku rrjeti dhe kabinat janë tërësisht të amortizuara dhe askush nuk kujtohet për to. Skrapari është një zonë që dallohet për sensibilitet përkundrejt arsimit dhe që gjithmonë ka pasur arsim cilësor me mësues profesionistë dhe të përkushtuar, por çfarë po ndodh tani me rilindjen? Rilindja ka emëruar Drejtorin e Ri të Arsimit në Skrapar Sokol Kapxhiun mbaruar me korrespondencë, që përveçse mesatares që nuk i vete as 5.5 po kjo nuk është kriter për Rilindjen, pasi dhe vetë ish-ministria ishte me këtë standard, ai ka dhe një standard tjetër, pirjen e rakisë që preferon ta pijë përgjatë gjithë kohës, si gjatë orarit të punës dhe pas orarit të punës, duke e realizuar strategjinë e zhvillimit të arsimit në lokalet e qytetit që ai frekuenton.

Ai duhet t`ju shpjegoj mirë skraparlinjëve përse nuk përdor standardin e meritokracisë siç dhe trumbeton me të madhe, por përdor standardin e klientelizmit, pasi zotëria në fjalë, është një i afërm i një deputeti rilindës. Hipoteka, shtëpia e pronave të qytetarëve aktualisht ka me mijëra dosje pa përgjigje pasi mungojnë profesionistët dhe militantët e punësuar nuk bëjnë gjë tjetër veçse ngatërrojnë më tepër qytetarët duke i zhytur gjithnjë e më thellë ata.

Le t`jua shpjegojë qytetarëve të Skraparit përse vazhdon ende me administratë militanteske dhe nuk ofron profesionistë që t`ju japin zgjidhje problemeve të qytetarëve.

Le t`ju shpjegojë qytetarëve emërimin e Shefit të Ri të Komisariatit të Policisë Skrapar, i cili si një militant i përkushtuar i rilindjes i ka anashkaluar të gjitha detyrat e veta për garantimin e rregullit dhe qetësisë, problemin e riaktivizimit të drogës dhe merret me fushatën zgjedhore në favor të Rilindjes.

Le t’i shpjegojë Skraparit të vlerave, njerëzve të mirë e bujarë, ndarjen e thellë mes njerëzve, urrejtjen e tyre ndaj njëri-tjetrit e shkaktuar nga deputeti i tij Adnor Shameti, i cili nëpërmjet kulisave dhe komploteve ditën dhe natën, po shkatërron vlerat qytetare të Skraparit me qëllimin e vetëm për t’[i bërë përshtypje të mirë Kryeministrit Rama.

Ai po vjen në Skrapar me moton “Bashkia që Duam”, kjo është bashkia që ai u ofron qytetarëve të Skraparit, emërime politike, militantë partiakë të pashkollë dhe me vese, premtime të pambajtura etj. Është koha që ai të reflektojë të dëgjojë zërin qytetar, i cili gjithmonë e më shumë kërkon sensibilitet dhe përgjegjshmëri të qeverisjes qendrore, kërkon qeverisje lokale me integritet, që t’i shërbejnë qytetarit, të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së tij të jetesës.