Gentian Çala: Tërmeti që rrëzoi mite

546
Sigal

Nga Gentian Çala

Për të gjithë ata që besonin se ky shtet ishte futur në hullinjtë e një demokracie funksionale dhe që e meritonte plotësisht hapjen e negociatave me BE-në, kuptuam se nuk ishte aspak shteti tillë, ishte pa fonde emergjencash, pa organizim dhe pa mjete në rast fatkeqësie, kuptuam se përveç tokave të zëna, këtu pallatet i kishin bërë ustallarët me çimento e hekur jashtë standartit, pa kontroll e kolaudim, ose më saktë të firmosura në kafe, ku ne nuk hamë vetëm ushqime të pakontrolluara, por edhe ndërtojmë pa kurrfarë kontrolli. Shteti ishte ai që me paaftësinë e tij kishte dështuar në kontrollin e territorit, në ndërtimet, në dhënie lejesh dhe liçensash, në institute të shpërbëra dhe kishte lënë në harresë mendjet e specializuara, duke i këmbyer me militant e çirakë. Tërmeti i hoqi maskën këtij shteti dhe ky ishte miti i parë që ka rënë, mit të cilin Edi Rama dhe gjithë propaganda e ndërtuar prej tij u mundua të krijojë gjatë gjithë viteve të qeverisjes.

Daljet e shumta të Kryeministrit, përveç faktit që ai mendon se është në terrenin e tij, kanë zvogëluar paradoksalisht imazhin e tij në sytë e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk ngurrojnë ti thonë në sy atë që mendojnë dhe ku mundësitë për retushim të skenave janë mjaft të pakta, për shkak se është shpesh drejtpërsëdrejti. Ai po shijon kazanin mediatik si kurrë më parë, por njëkohësisht po përballet me katrahurën ndërtimore që i ka kontribuar vetë (por, jo vetëm ai kuptohet) duke qenë shumë vite në pushtet. Humbja e këtij kontrolli mbi median dhe fjalën e lirë, po e bën më shumë se kurrë të ashpër ndaj saj në fjalor dhe në akte, duke e bërë armiqësor me botën e medias. Pra, Rama po humbet aty ku mendonte se është më i zoti, në terrenin mediatik. I ashpër shpesh, pa takt, me veprime të pakontrolluara, po njohim Ramën e vërtetë, atë pa retushim. Ky është miti i dytë që ka rënë.

Këtu njerëzit jetonin sikur nuk do të përballen kurrë me të keqen, jetojnë në një vend pa kontroll të asgjëje dhe nuk ngurrojnë të ngrenë 5 kate ndërtesë, me kursimet e tyre të punës së ndershme, pa asnjë garanci të specializuar. Këtu shumica nuk sigurohen. Edhe kur janë mashtruar harrojnë emrat e atyre që i kanë mashtruar në hekur, beton apo kolaudim objektesh. Lejet shiten e blihen, ashtu si dhe hipotekat. Të gjithë i kërkojnë faj për këtë dikujt tjetër, ndërsa pjesën më të madhe të fajit e kanë po vetë. Institucionet në ditë të hallit dhe njerëzit po si ata, nuk kërkojnë asnjë garanci për djersën e tyre të shndërruar në një pirg mbeturinash në 30 sekonda. Miti se nuk na ndodh asgjë, është pjesë e shkujdesjes sonë të vazhdueshme dhe e paaftësisë për të marrë masa parandaluese ndaj të keqes. Në fund të gjithë të mbetur me gisht në gojë dhe me shpresë se dikush do ti kompensojë.

Në fund, besoj se u rrëzua edhe një mit, ai i ndihmës së ngjashme që mund të na jepte Kosova në rast se do të kishim nevojë. Shpesh në biseda këtu dhe në Kosovë kisha dëgjuar se pas eksodit të vitit 1999 dhe strehimit të qindra mijra të zhvendosurve nga lufta në Kosovë në Shqipëri, kosovarët nuk do të ishin në gjendje të na përgjigjeshin në të njëtën mënyrë. Unë do të thoja dhe besoj se ndaj edhe mendimin me ju, se kjo ngjarje na tregoi se Kosova e dha ndihmën madje ishte më bujare dhe më e përgatitur nga sa kishim menduar ne. Shqiptarët treguan se solidaritetin e kanë vlerë, ashtu si dhe bashkëjetesën fetare, ndaj nuk ka vend për dyshime në këtë aspekt. Ndaj edhe ky mit ra.

Ne jemi popull që kemi jetuar me mitet dhe legjendat, me stereotipitë të cilat duhen rrëzuar dhe ndryshuar nëse duam të jemi një komb mbijetues, i përparuar dhe pjesë e integruar në BE. Ne na duhet të ndryshojmë shumë gjëra, mësime kemi shumë për të nxjerrë dhe gjëra për të përmirësuar. Duhet nisur nga vetja dhe duhet vazhduar me këdo që mendon se mund të bëjë me ne dhe jetët tona si të dojë, me këdo që mendon se vendos për ne apo se pushteti që i kemi dhënë është për të na sunduar dhe jo për të na drejtuar.