Gentian Çala: Rindërtimet. A duhet lënë e gjitha në dorë të qeverisë?

630
Sigal

Nga Gentian Çala

Duke dëgjuar pohimet e shumta të Kryeministrit, të cilat shpesh janë edhe të paqarta, kuptojmë se mund të ndërtohen lagje të reja për ata që u janë bërë të pabanueshme shtëpitë, por mund të ketë edhe qytetarë që nuk do të vendosen në qendrat e tyre të banimit. Qytetarët e mbetur pa strehë duhet të jetojnë në vendbanimet e tyre, ashtu si ishin para se të ndodhte tërmeti, kjo duhet të jetë ajo që duhet të bëjë qeveria. Askush nuk mund të vendosë për jetën e tyre, as ata që kanë marrë përsipër rindërtimin. Nëse qytetarët kanë vendosur të bëjnë jetën e tyre gjetkë, kjo duhet lënë zgjedhjes së tyre nesër, jo sot. Pyetja se ku doni të jetoni duket pa sens, sepse po marr variantin hipotetik se ata duan të gjithë të jetojnë në Tiranë ose në Durrës, a është e mundur një gjë e tillë?

Ata duhet ta rifillojnë jetën aty ku e ndërpreu tërmeti.

Rindërtimi është sipërmarrje e komplikuar dhe mjaft e vështirë, ku duhet të merren përvoja të ngjashme të vendeve që kanë pasur të tilla fatkeqësi. Improvizimi i kujtdo, qoftë edhe i Kryeministrit, mund të jetë një sipërmarrje me rrisqe të larta. Projektet duhet të jenë të mirëstudiuara dhe ndërtimet duhen bërë sipas standarteve europiane për ndërtimet dhe me hartën e re sizmike. Kontrolli duhet të jetë i rreptë nga strukturat shtetërore, ku për cilësinë e punimeve nuk i duhet shkelur syri asnjë ndërtuesi. Ky operacion i rindërtimit të banesave mund të shërbejë edhe si standart për ndërtimet në Shqipëri. Mundësi është që të kurojmë një sëmundje duke ju përmbajtur një protokolli të saktë dhe një mbikqyrje të rreptë.

Herë dëgjojmë për shtëpi antisizmike dhe herë për shtëpi të parafabrikura, herë dëgjojmë për pallate, herë për lagje mikste dhe për urbanizim të tyre, dëgjojmë kaq shumë ide. Ka dy tendenca që duket se janë në kontraditë me njëra-tjetrën: nga njëra anë kërkesa për zgjidhje të shpejta dhe nga ana tjetër kërkesa për standarte. Qeveria duhet ti ndjekë të dyja, por zgjidhjet e shpejta nuk janë shpesh më të mirat. Ndaj duhet kujdes. Kjo qeveri ka bërë shpesh gabime në investimet publike, në preventiva dhe në përzgjedhje, të cilat kanë krijuar jo në pak raste idenë e abuzimit, të klientelizmit dhe të përfitimeve. Situata bën që shumë procedura të përshpejtohen dhe lehtëson duke krijuar më shumë mundësi për abuzim. Ndaj duhet që krahas volumit të punëve, të ketë edhe një institucion mbi qeverinë që ka për qëllim kontrollin e të gjithë procesit.

Për të rritur besueshmërinë te procesi mund të krijohet një institucion ad-hoc i plotëfuqishëm, që mund të jetë mbase një Agjensi e Posaçme, me një ekip ku ka ekonomistë, juristë, arkitektë, urbanistë, inxhinjerë, ambientalistë dhe sizmiologë, të cilin duhet ta drejtojë një figurë e gjithëpranuar publike, e paanshme, si p.sh. Znj.Bozo apo dikush i ngjashëm, e cila miraton projektet, mbikqyrjen e përzgjedhjes së punëkryesve dhe kontrollin e standartve të punimeve, si dhe certifikimin e objektit. Agjensia mund të krijohej me një konsensus politik, pa anshmëri, me prurjet më të mira nga fushat dhe me kredencialet më të mira profesionale dhe etike. Kjo do të bëntë që i gjithë procesi të mos kishte prirje abuzive, të mos kishte përfitime politike apo të një natyre tjetër dhe të bëhej më e mira për qytetarët.