Gentian Çala: Rama pranoi krizën politike në mes të gjëmës

193

Dje në Kuvend Kryeministri me nota ironie ju drejtua opozitës së re me fjalë përçmuese duke i quajtur “rrënoja të tërmetit opozitar”, pra me subkoshiencë pranoi krizën dhe se opozita e re është thjeshtë pseudo-opozitë. Ai që e mbështeti krijimin e saj, dje pohoi se krijesa e tij është vetëm rrënojë dhe e pavlerë, madje gati sa nuk tha se duheni “rindërtuar”. Sinqeriteti i tij vlen vetëm kur anatemon diçka.

Paralelisht me këtë Rama i ka bërë disa herë thirrje publike liderit të PD Z. Basha, duke na bërë të kuptojmë se opozita e vërtetë nuk është në Kuvend, por njëkohësisht ka dhënë mesazhin e defaktorizimit të “opozitës” brenda në sallën e Kuvendit. Rama vazhdon me stilin përdor dhe flak. Ata që e kanë njohur nga afër e njohin shumë mirë këtë aftësi të tij. Çuditërisht një pjesë e sallës në ulëset e opozitës në Kuvend vazhdon të qeshë me fjalët e Ramës.

Duket se Kuvendi është kthyer në një sallë qesharake, pa dinjitet, pa përfaqësim dhe krejtësisht i instrumentalizuar nga Rama. Ku tallja disa i bën të krekosen dhe krekosja duket si vetëdemaskim. Atje, pajtohem me Ramën që ka ndodhur një tërmet politik, nga i cili ka vetëm një zgjidhje: zgjedhjet politike. Dikush mund të thotë se na ka zënë një hall më i madh, po e vërtetë, por edhe demokracia e vendit është goxha hall.

Unë nuk e kisha ndërmend të shkruaja për këtë, por Rama i hap “kantjerët” sa herë që flet. Kur ka kohë ai të merret me politikë në këtë qamet, përse nuk duhet ta bëjnë të tjerët. Mjeshtri Delvina ka të drejtë, kjo sallë ngjan me një objekt të goditur rëndë nga tërmeti. Krahas rindërtimit të banesave të dëmtuara duhet të mendojmë seriozisht për rindërtimin e parlamentarizimit shqiptar. Natyrisht të parat janë shtëpitë, më pas parlamenti.