Gentian Çala: PROFILI I NJË KRYEMINISTRI TË PABESUESHËM

603
Sigal

Ka disa kohë që po ndjej keqardhje për një njeri, quhet Edi Rama dhe është Kryeministër i vendit. Ky patetik që ka ngecur në rrjetën e mosbesimit të shumicës së shqiptarëve, të besimit nga frika të bashkëpunëtorëve, si dhe nën kritika të forta nga komuniteti i medias me të cilët ka hapur një front krejtësisht të panevojshëm. Misionari në tentativë, vazhdon me show-n e tij, duke qenë gjithmonë e më vetëm. Një aktor pa publik, duket një aktor në hall.

Ka nga ata që mendojnë ndryshe, mendojnë se ai mbetet një aktor i fortë politik dhe se show-n e ka vënë në funksion të qëllimeve të tij politike. Por, a mund të funksionojë kjo pa fund?! Natyrisht që jo, sepse ai është shndërruar në një personazh të pabesueshëm. Shikoni një detaj, ndihmat e mbledhura nga fondacione ose të dhuruara nga shtete të ndryshme nuk i besohen qeverisë. Qeveria ka kuota mjaft të ulta besueshmërie dhe kjo i atribuohet kryesisht të parit të saj. Show nuk mund të mbulojë keqpërdorimet e fondeve publike dhe premtimet e pambajtura.

Rama po bën përpjekje të duket si rindërtues, po të gjitha epitetet me parashtesën ri- nuk i justifikon. Ai është vetëm një ringelës në lëndën e besueshmërisë. Këtë e dinë mirë edhe partnerët. Energjia e humbur për show, duket tashmë energji që funksionon pak. Situata e pas-tërmetit i ka dhënë një mundësi, të cilën ai po mundohet ta kapitalizojë herë si babaxhan, herë si i përkushtuar, herë si drejtues, herë si i mallëngjyer, por aspak si Kryeministër i vendit që merr përgjegjësi. Ndaj e gjithë skenografia duket e sforcuar dhe bajate.

Rama është në luftë me mosbesimin dhe kjo e rraskapit, e tendos, e nxjerr nga roli në disa raste. Ai është duke u përpjekur të na thotë se “jo nuk jemi kështu, jemi ndryshe”, por veshët që dëgjojnë nuk janë më si 6 vite më parë. Ai nuk bind, aq më pak tani që është bashkëfajtor për një sërë problemesh të evidentuar në ndërtimet e zonave të prekura. Specialistët e huaj kanë filluar të flasin për ato që konstatuan në Durrës dhe ne Tiranë, ku thujase të gjithë evidentojnë se ndërtimet e dëmtuara kishin probleme. Ai dhe qeveria janë bashkëfajtorë për licensat, lejet, kolaudimit, inspektimet, masat e pamarra në kohë.

Kryeministri i pabesueshëm, “one man show” po lodhet të na bindë për të kundërtën, por tashmë duket vonë. Ai është thjesht një aktor i keq në terrenin e besueshmërisë dhe për fat të keq rrethohet vetëm nga ata që i thonë amin për çdo gjë. Fundi dihet!