Gentian Çala: Për kë do të ndërtojmë, kur vendi zbrazet përditë?

539
Sigal

PËR KË DO TË NDËRTOJMË, KUR VENDI ZBRAZET PËRDITË?

Nga Gentian Çala

Teksa sheh agjensitë e vendeve të huaja ku të rinjtë aplikojnë në masë për të ikur nga ky vend, teksa sheh Gjermaninë që zbut regjimin e aplikimit për lejeqëndrim, teksa sheh bilancin negativ demografik, teksa sheh rrugët e zbrazura të qytetit dhe fshatrat vetëm me të moshuar, shtron një pyetje: për kë do të ndërtojmë? Kjo nuk është pyetje që tregon mungesë respekti për ato mijëra familje të mbetura pa strehë, por një pyetje për ekzistencën e këtij vendi, për të ardhmen e tij. Duket sikur vendi po shndërrohet në një azil të madh, pasi sot që flasim rreth 1/3 e popullsisë që gjendet aktualisht në Shqipëri përbëhet nga pensionistë, njerëz në moshë joaktive për punë.

“Gojët e liga” thonë se Sigurimet Shoqërore janë në vështirësi të mbulesës së pagesave, Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor po ashtu gjendet në vështirësi financiare, të hyrat nga taksat dhe tatimet në muajin e fundit ishin 20 milionë dollar më pak nga parashikimi. Ndaj pyetja nuk është aspak cinike, por lind nga realiteti i trishtë ku gjendemi. Për kë do të ndërtojmë, çfarë po ndërtojmë, nëse ky vend nuk jep më shpresë dhe nëse shumica e atyre në moshë aktive për të punuar janë me mëndje jashtë tij. A ka kjo një kurë apo thjesht duhet ta kundrojmë që të ndodhë ngadalë. Si është e mundur që ky vend nuk mundet të mbajë pak më shumë se 2 milion banorët e tij, me resurset që ka, në një standart të kënaqshëm jetese? Projeksionet demografike janë të frikshme të bëra nga institucionet ndërkombëtare, ashtu siç është edhe ëndrra jonë për të arritur standartet europiane, ku sipas disa parashikimeve mund të na duhet më shumë se gjysëm shekulli për t’iu qasur standartit mesatar europian.

Do të ndërtojmë për popullin e pastrehë, apo do të ndërtojmë strehë që mbeten pa popull, kjo është çështja. Ndaj duket sikur ndërtimi humbet kuptimin dhe vlerën. Gjithësesi ai duhet bërë dhe familjet duhet të kthehen në strehët e tyre të reja apo të rikonstruktuara. Por sfida mbetet, madje ajo duket më e vështirë në këtë situatë, ku ekonomia ka marrë një goditje dhe injektimi i disa qindra milion eurove në ndërtim nuk mund ta shëndoshë atë. Madje situat është më vështirë sa duket, pasi në horizont mungojnë investimet e huaja dhe terreni i të bërit biznes ka pësuar përkeqësim, sidomos me një klimë jomiqësore ndaj biznesit, ku shpesh ndihen të bezdisur nga vizitat e njëpasnjëshme të institucioneve që i kontrollojnë dhe që duan bakshish, për të mbyllur sytë ndaj parregullsive të mundshme apo të sajuara.

Nuk do të kisha dashur ti shkruaja këto rrjeshta, ku është e vështirë të gjesh ndonjë grimë optimizmi, por kur realiteti është i tillë e ke të vështirë të gëlltitësh të vërtetën dhe të sajosh një realitet që nuk ekziston. Vendi i kapluar nga kjo krizë, vështirë të zgjohet edhe nga shkundja 9 ballëshe e tërmetit të fundit, ku duket se e vetmja vlerë e zgjuar ishte solidariteti ndërmjet njerëzve. Tashmë sfida është rindërtimi i shtëpive të dëmtuara, kurse ikja vazhdon pa zhurmë, përditë, kudo. Në këtë rrëmujë askush nga ata që drejtojnë qeverinë nuk e shohin këtë problem, madje justifikohen se kjo ndodh kudo, për pak se nuk thonë se është një gjë krejtësisht normale. Shqipëria po kthehet në të dikurshmen e saj, ndërsa më e keqja është se ndaj këtij fenomeni askush nuk po e ve ujin në zjarr…