Gentian Çala: 2019, Viti ishkërrmoqjes të shtetitdhe i solidaritetit

514
Sigal

Bilanci i këtij viti për vendin është pak të thuash i keq, ka kaq shumë ngjarje të cilat e bëjnë këtë vit thjesht të trishtë. Bilanci mund të përmblidhet në tre aspekte:
– shpërbërja e shtetit, kapja dhe autokracia mbytëse;
– Integrimi si mision i pamundur;
– kufizimi i lirive.
Mendoj se kjo tablo është bërë e padurueshme për qytetarët, e për pasojë vazhdon bjerrja demografike e vendit, madje në dimensione të frikshme.

Viti u mbyll me një tërmet shkatërrues në disa zona të vendit, të cilat shpërfaqën solidaritetin ndërshqiptar nga të gjitha anët ku jetojnë shqiptarët. Nga lufta e Kosovës, nuk e kishim hasur këtë bashkim zemrash dhe solidaritet si vlerë e padiskutueshme e jona si komb. Ajo që ndodhte do të përlotëte shqiptarët ngado. Ata dëshmuan se në ADN kanë të skalitur mbijetesën dhe sublimimin.

Faturës miliardëshe të koncensioneve, ju shtua edhe një miliardëshi i rindërtimit të pastërmetit, ndërsa ekonomia vuan mungesën e investimeve, konkurrencën e pandershme, politikat jo favorizuese, qasjen ngulfatëse, informalitetin, pasojat e të cilit vijojnë me thellimin e pabarazisë dhe shtimin e varfërisë. Kjo tablo duket e zymtë dhe aspak optimiste në vijim. Një detyrë shtëpie e bërë jashtëzakonisht keq nga qeveria.

Reforma në Drejtësi, si një pemë e mbjellë nga shumë duar, për “rritjen” e së cilës duket se u “kujdes” më shumë mazhoranca, ka arritur që pas më shumë se tre viteve të japë frutet e para, ende të pangrënshme. Mbetet për tu parë produkti i Reformës, ku protagonizmi i mazhorancës, lexohet nga opozita reale e vendit dhe nga shumë qytetarë si tentim kapje e sistemit, e cila minon besimin. Reforma pa besim është thjesht një pemë në vyshkje e sipër.

Mund të shkruash gjatë për çka ndodhi gjatë vitit që po lemë pas, por po ndalemi këtu. Mbijetesa jonë është e lidhur me ndryshimin, me përmirësimin, me rivendosjen e standarteve demokratike dhe me forcimin e ekonomisë. Ndaj solidariteti në 2020 duhet përdorur për të bërë pikërisht këtë ndryshim, jo thjesht një rotacion politik të rradhës, por një qasje të re të drejtimit të vendit. Nëse kjo nuk ndodh, 2020 mund të jetë një vit me një bilanc akoma më të keq.