Gazetari Shpëtim Zinxhiria dhunohet në Ambasadën shqiptare në Greqi

688
Sigal

Menjëherë pas dy publikimeve të fundit në gazetën “Telegraf” lidhur me skandalet e vjedhjeve të 100 pasaportave dhe të shpërdorimit të 72 mije eurove, apo të pagesës mujore të shtëpisë 2100 euro në muaj të ambasadores Hobdari, më 26 shkurt është ndalur në mënyrë skandaloze gazetari Shpëtim Zinxhiria. Protagonist këtë radhë është shoferi i parë i ambasadores, Elton Jova, i ndihmuar edhe nga sekserë. Gazetari Zinxhiria prej vitesh është korrespodent i gazetës “Telegraf” dhe pak kohë më parë edhe i televizionit Fax News. Ndalimi në mënyrë brutale dhe dëbimi i tij është bërë në momentin kur Zinxhiria po jepte live nga ambasada informacion për pasaportat e vjedhura për televizionin Fax News. Dëbimi i tij u bë nga shoferi i ambasadës, Elton Jova me urdhër të ambasadores Adriana Hobdari që komunikonte me celular nga Tirana. Atij i është marrë telefoni nga dora dhe i është hedhur në tokë po nga ky njeri, i ndihmuar edhe nga dy sekseserë të ambasadës. Edhe pse po mbushet java nga ambasada shqiptare nuk ka asnjë njoftim, përse është dëbuar me dhunë gazetari Zinxhiria dhe kush do t’i paguajë telefonin e thyer atij. Dëshmitare e kësaj ngjarjeje të shëmtuar është policia greke si dhe kamerat e sigurisë së ambasadës, por njëkohësisht edhe televizioni Fax News që ishte në lidhje direkte. I pyetur për këtë, gazetari është shprehur se nuk është hera e parë, pasi ai është penguar edhe dy herë të tjera nga personeli i ambasadës. Lidhur me ngjarjen e fundit përgjegjësia bie mbi ambasadoren, pasi ajo jepte urdhra me celular nga Tirana. Gjithashtu Zinxhiria theksoi se do të ngrihet padi penale për shoferin. “Këto ditë unë do të shkoj përsëri për të bërë reportazh, lidhur me shpërdorimin e fondeve publike nga kreu i kësaj ambasade, për të mësuar opinioni shqiptar se si kushërinjtë e ministrave të qeverisë luajnë me paratë e taksapaguesit shqiptar. Askush nuk më ndalon dot për të thënë të vërtetën lidhur me këto shpërdorime, por ketë radhë nuk do të shkoj vetëm”, përfundon gazetari nga Athina.