Frank Shkreli: Sot, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Media për Demokraci: Gazetaria e zgjedhjet, në kohëra të informacionit fals

589
Sigal

Nga Frank Shkreli*

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit

 

Kjo është tema e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit sivjet që shënohet me 3 maj. Çdo vit, anë e mbanë botës, kjo ditë i kushtohet lirisë së shtypit dhe parimeve bazë të saj. Është një ditë e shpallur si e tillë, në mbështetje të lirisë së shtypit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në vitin 1993. OKB-ja ka mandatuar organizatën UNESCO që kjo datë të shënohet çdo vit, për t’i kujtuar mbarë botës se liria e shtypit është e pazëvendësueshme për demokracinë, dhe për respektimin e të drejtave themelore të njeriut, pa dallim. Si një ent i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, organizata UNESCO, ka si mision të saj të veçantë, “Promovimin e përhapjes së lirisë së fjalës dhe ideve, nëpërmjet fjalës së shkruar dhe imazheve, në mbështetje të medias së pavarur dhe të sigurisë fizike dhe profesionale të gazetarëve.”

Kjo ditë shërben gjithashtu si një rast për të informuar qytetarët mbi shkeljet e lirisë së shtypit – duke u kujtuar atyre se në shumë vende të botës censurohen botimet, gjobiten dhe mbyllen gazetat e revistat, ndërkohë që gazetarët, redaktorët dhe botuesit e tyre sulmohen, kërcënohen, burgosen e madje edhe vriten, si përfundim i profesionit të tyre. Qëllimi i kësaj dite botërore, në mbrojtje të lirisë së shtypit, është edhe për të inkurajuar nisma të reja në mbështetje të lirisë së medias dhe në përgjithësi për të vlerësuar gjëndjen e lirisë së shtypit në botë.

3 Maji, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-s, shërben gjithashtu si një kujtesë për qeveritë e ndryshme, që të respektojnë lirinë e shtypit, duke zbatuar angazhimet e tyre që kanë marrë përsipër, ndaj lirisë së medias në vendet e tyre, bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare që ato kanë nënshkruar. Por, kjo datë është gjithashtu edhe një ditë reflektimi edhe për vetë gazetarët dhe profesionistë të tjerë të kësaj fushe, mbi çështje të lirisë së shtypit, me të cilat përballen në kryerjen e detyrës së tyre, përfshirë ushtrimin e etikës profesionale të gazetarëve.

Dita Botërore këtë vit do të shënohet, përveç të tjerash, edhe me një konferencë ndërkombëtare që po mbahet në Adis Abeba të Etiopisë, e që do të përqëndrohet në rolin e medias në zhvillimin e lirë të zgjedhjeve dhe rolit të saj në mbështetje të demokracisë në përgjithësi. Përveç kësaj konference ndërkombëtare, në këtë ditë do organizohen anë e mbanë botës edhe programe të ndryshme kombëtare dhe rajonale, për të theksuar rëndësinë e lirisë së shtypit dhe zbatimit të parimeve bazë të ushtrimit të fjalës së lirë për të gjithë. Njëkohësisht, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është edhe një rast për të vlerësuar gjendjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës, për të mbrojtur median në përgjithësi nga sulmet ndaj pavarësisë së saj nga qeveritë autoritare dhe grupe të tjera, në bashkëpunim me qeveritë, dhe për të kujtuar sakrificën dhe për të nderuar gazetarët, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Themelorja e mandatit dhënë UNESCO-s nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është mbështetja ndaj lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës, duke besuar se këto liri – si pjesë e lirive bazë të njeriut — ash

tu si dhe pavarësia dhe pluralizmi në fushën e medias, janë thelbi i demokracisë së vërtetë, i mirëkuptimit të përbashkët dhe i sigurimit të paqes, në shoqëri dhe në botë.

Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, për vitin 2019, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Z. Antonio Guterres u shpreh se, “Liria e shtypit është jetike për paqen, drejtësinë, për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik dhe ekonomik, si dhe për mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut. Asnjë demokraci nuk është e plotë” shtoi ai, “nëqoftëse nuk ka informacion transparent dhe të besueshëm. Informacioni i lirë, objektiv dhe i paanshëm, “Është gurthemeli për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe mjeti për të mbajtur udhëheqësit qeveritarë, përgjegjës për veprimet os mos veprimet e tyre”, ka thënë ai në mesazhin e tij, duke theksuar më tej se, “Kjo është e vërtetë, veçanërisht, gjatë fushatave zgjedhore” që sivjet është edhe fokusi i Ditës Botërore të Lirisë së shtypit, nënvijoi kryetari i OKB-së. “Faktet dhe jo gënjeshtrat duhet të udhëheqin votuesit kur zgjedhin përfaqësuesit e tyre…”, theksoi Z. Guterres, ndërsa shprehu shqetësimin e tij të thellë, në lidhje me sulmet dhe dhunën që ushtrohet ndaj gazetarëve, anë e mbanë botës. Sipas UNESCO-s, tha udhëheqësi i OKB-së, pothuajse 100 gazetarë janë vrarë gjatë vitit 2018 dhe me qindra të tjerë janë burgosur, ndërsa nga viti 1994 e deri më 2018 janë vrarë gjithsejt 1307 gazetarë. Kur përfaqësuesit e medias bëhen objekt i dhunës, atëherë shoqëritë në përgjithësi e pësojnë rëndë nga sulmet që i bëhen lirisë së fjalës, përfundoi ai mesazhin e tij, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë