Frank Shkreli: Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo anashkalon Shqipërinë dhe Kosovën

574
Sigal

Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo anashkalon Shqipërinë dhe Kosovën

 

Nga Frank Shkreli

 

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) sapo njoftoi zyrtarisht se javën që vjen Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të vizitojë Ballkanin disa vende të Perëndimor. Sipas itinerarit të njoftuar nga DASH, kryediplomati amerikan do të fillojë turneun e tij me një vizitë në Itali dhe në Vatikan dhe pastaj do të ndalojë në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, duke e përfunduar vizitën në atë pjesë të Evropës me një vizitë edhe në Athinë të Greqisë. E gjithë kjo vizitë do të zgjasë nga 1 deri me 6 tetor.

 

Sipas njoftimit të DASH, Sekretari Amerikan i Shtetit do të marrë pjesë në një simpozium të organizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Vatikani, në bashkëpunim me disa organizata fetare, ku dhe pritet që Mike Pompeo të mbajë një fjalim me atë rast. Si pjesë e vizitës së tij në Vatikan, Kryediplomati amerikan do të pritet në një audience private nga Papa Françesku dhe do të takohet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Parolin dhe me Sekretarin përgjegjës për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Kryeipeshkvin Gallagher.

Në Romë Sekretari Amerikan i Shtetit do të takojë Presidentin Italian, Mattarella, Kryeministrin Conte dhe Ministrin e jashtëm të Italisë, Di Matteo. Siç dihet, Sekretari Amerikan i Shtetit është me origjinë italiane dhe gjatë qëndrimit të tij në Itali ka vendosur të vizitojë edhe krahinën Abruzzo, prej nga ka prejardhjen familja e tij.

 

Nga Italia, Kryediplomati Amerikan do të udhëtojë për në Ballkanin Perëndimor, duke u ndaluar në Podgoricë të Malit të Zi, ku do të zhvillojë bisedime me Presidentin Gjukanoviq, me Kryeministrin Markoviq dhe me Ministrin e Jashtëm malazez, Darmanoviq. Nga Podgorica, Mike Pompeo do të shkojë në Shkup të Maqedonisë së Veriut për bisedime me Presidentin e atij vendi, Pendarovski, me Kryeministrin Zaev dhe me zyrtarë të tjerë maqedonas. Nga Shkupi, ai udhëton për në Athinë ku edhe atje do të takohet me udhëheqësit më të lartë të Greqisë, Kryeministrin Mitsotakis, Ministrin e Jashtëm Dendias dhe Ministrin e Mbrojtjes Panagiotopoulos.

 

Ndonëse gjatë këtij turneu, Sekretari Amerikan i Shtetit nuk do të jetë jo më larg se “një vrap pele” nga Tirana dhe Prishtina, për një arsye ose për një tjetër ka vendosur që të mos ndalojë në truallin shqiptar. Unë besoj se arsyeja – se pse Sekretari Pompeo nuk do të shkojë në Tiranë dhe në Prishtinë – është ngërçi politik dhe gjendja e brendshme kaotike politike, jashtë kontrollit, për sa kohë tani në Shqipëri dhe deri diku edhe në Kosovë. Jam i bindur se zyrtarët amerikanë u kanë thënë troç udhëheqësve më të lartë shqiptarë të Tiranës dhe Prishtinës se çfarë pritet prej tyre, për një vizitë të tillë – në takimet që patën në Nju Jork me diplomatët e lartë amerikanë, Mathew Palmer dhe Philip Reeker, ditët e fundit, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

I vetmi lajm pozitiv për marrëdhëniet dypalëshe, nga këto takime, ishte njoftimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të zgjerojnë shkëmbimin e studentëve dhe studiuesve përmes Programit Fulbright.

 

Mos u vini vesh fotografive të botuara në portalet zyrtare të udhëheqësve të Shqipërisë dhe të Kosovës me zyrtarët amerikanë në Nju Jork dhe mos i vini vesh as informacionit të botuar prej tyre dhe prej mediave pro-zyrtare të tyre, në të cilat flitet për bisedimet miqësore e të suksesshme, por nuk thonë asgjë për ato që mund t’u kenë thënë atyre zyrtarët amerikanë. Unë jam i bindur se Philip Reeker dhe Mathew Palmer, të pakën nga pikëpamja amerikane, ua kanë bërë të njohura një nga një “detyrat e shtëpisë” që duhet të bëjë kjo klasë politike në trojet shqiptare, në qoftë se me të vërtetë janë seriozë, për bërjen një herë e mirë të reformave demokratike, të cilat do të çojnë, më në fund, Shqipërinë dhe Kosovën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në integrimet e përgjithshme euro-atlantike.

 

Nuk është mjaft të thuhet, se gjatë bisedimeve, ata u siguruan se Shtetet e Bashkuara mbështesin reformat demokratike dhe rrugëtimin evropian të shqiptarëve, siç u shprehen zyrtarët shqiptarë, pas bisedimeve me diplomatët amerikanë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë në favor të kësaj politike tash 30- vjet, jo vetëm që prej shembjes së komunizmit, por edhe shumë më përpara. Pyetja është, nëse ju – kjo klasë aktuale politike – jeni të vullnetshëm dhe të gatshëm për një gjë të tillë. Deri më sot, Tirana dhe Prishtina zyrtare, me veprimet e tyre, fatkeqësisht, e kanë treguar se nuk janë të gatshëm, as nuk kanë vullnetin e nevojshëm, as nuk janë seriozë të ndërmarrin përgjegjësitë dhe detyrimet që u takojnë, për një rrugëtim të tillë, ashtu siç ka bërë pjesa tjetër e ish-vendeve komuniste të Evropës dekada më parë.

 

 

 

Anashkalimi i Tiranës dhe Prishtinës nga Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo, gjatë turneut të tij në Ballkanin Perëndimor javën që vjen, nuk është i pari anashkalim i tillë nga zyrtarë të lartë amerikanë. Gjatë vitit të kaluar dhe më herët, ka pasur raste të tjera që diplomatë dhe zyrtarë të lartë amerikanë nuk kanë vizituar kryeqytetet shqiptare, megjithëse kanë vizituar shtetet fqinje aty afër. Është pak e çuditshme kjo, pasi politika amerikane tenton gjithashtu që të trajtojë një politikë rajonale kur është fjala për Ballkanin Perëndimor. Por, arsyen se pse Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo nuk po viziton Shqipërinë e Kosovën gjatë turneut të tij në Ballkanin Perëndimor javën e parë të tetorit, mos e kërkoni në portalet zyrtare as në fejsbukun e zyrtarëve më të lartë shqiptarë, të cilët takimet me zyrtarët e lartë amerikanë në Nju Jork i përshkruan (të ilustruara me fotografi) si të suksesshme dhe miqësore, ku, sipas tyre, mund të konstatohet se nuk ka asnjë problem në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Besoj se ky nuk është një pasqyrim i vërtetë i bisedimeve dhe as i gjendjes së marrëdhënieve aktuale midis dy vendeve. Ka një ndryshim të madh midis atyre që thuhen në publik dhe bisedimeve serioze që zhvillohen me dyer të mbyllura.

 

Arsyen e anashkalimit të Tiranës dhe Prishtinës nga kryediplomati amerikan Pompeo gjatë vizitës së tij në Ballkan:

 

• Kërkojeni në kolapsin ose shembjen e përgjithshme të rendit politik, sidomos në Shqipëri.

• Kërkojeni në ngërçin politik shqiptar, në të dy anët e kufirit.

• Kërkojeni në mungesën e normalitetit të gjendjes së përgjithshme politike.

• Kërkojeni, por jo vetëm, në trafikimin e drogës, në krimin e organizuar e në korrupsionin që ka përfshirë të gjitha nivelet e shtetit, të qeverisë dhe të shoqërisë në përgjithësi.

• Kërkojeni, sidomos, në mungesën e sundimit të ligjit!

• Kërkojeni në zbrazjen biblike të trojeve shqiptare, sidomos nga të rinjtë dhe të rejat shqiptare të cilët konsiderojnë se kjo klasë politike nuk u jep asnjë shpresë as perspektivë për një jetë normale në atdheun e tyre.

Jam i sigurt se në “ngrirjen” aktuale të zhvillimit normal të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane po ndikojnë jo pak, duke u prekur ato negativisht edhe flirtimet e udhëheqësve shqiptarë, – si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë – me influenca të huaja, siç janë Turqia, Rusia dhe Kina.

 

Jeni ende me këmbë në kapërcyell. Uluni nga kapërcelli, ose këndej, ose andej!

 

Gjendja aktuale e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në përgjithësi, duhet të shqetësojë të gjithë ata të cilëve me të vërtetë u interesojnë marrëdhëniet e mira midis dy kombeve tona. Është një gjendje e papranueshme, për të cilën disa prej nesh, shumë më herët, kemi shfaqur shqetësimin tonë. Por ja, fatkeqësisht, ku jemi sot, shqetësimi po vërtetohet. Koha është tani që ky rrugëtim aktual i pa dëshirueshëm në marrëdhëniet e “ngrira” amerikano-shqiptare, të ndryshojë para se të jetë vonë. I takon kësaj klase politike të veprojë, sa më shpejt, aq më mirë që këto marrëdhënie të vendosen në shinat e duhura. Marrëdhëniet e ngrira midis Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve nuk janë në interesin afatshkurtër dhe as afatgjatë të Shqipërisë, të Kosovës dhe as të shqiptarëve në përgjithësi!