Sigal

Në vigjiljen e 70-vjetorit të themelimit të Aleancës së NATO-s, në Washington u njoftua një mbështetje e fortë për këtë aleancë të njohur ushtarake. Pardje, të martën, Dhoma e Përfaqësueseve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi me vota dërmuese masa të reja mbështetjeje, të cilat sigurojnë që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë anëtare e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO. Kjo masë erdhi në përgjigje të lajmeve në disa media amerikane se Presidenti Donald Trump mund të ketë biseduar me këshilltarët e tij mbi mundësinë e largimit të Shteteve të Bashkuara nga NATO-ja. Kjo votë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe vota që pritet për një projekt-legjislacion të ngjashëm edhe në Senatin Amerikan, do ta bënte të pamundur largimin e Shteteve të Bashkuara nga Aleanca perëndimore, pa marrë parasysh se ç’mendon Presidenti Trump për këtë çështje.

Kongresisti Xhimi Panetta, demokrat nga Kalifornia, i bëri thirrje Senatit që ashtu siç bëri edhe Dhoma e Përfaqësuesve, e Kongresit, të miratojë këtë projekt-ligj, duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin dhe të mbrojnë vendosmërisht aleatët tanë, anë e mbanë botës. “Sot, Dhoma e Përfaqësuesve ritheksoi përsëri angazhimin dhe mbështetjen e plotë ndaj Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), si dhe përgjegjësinë tonë për të investuar në këtë shtyllë të paqes, të stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare”, është shprehur Kongresisti Panetta në njoftimin për media, autori kryesor i këtij legjislacioni dhe djali i ish-Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, ish-Drejtorit të CIA-s dhe ish Shefit të Personelit në Shtëpinë Bardhë, Z. Leon Panetta. “Të jesh anëtar i NATO-s nuk është sikur të jesh anëtar i një klubi pasanikësh. Ne i vlerësojmë aleatët tanë në NATO. NATO është organizata që na dallon ne nga Rusia. Ne kemi aleatë që qëndrojnë pranë nesh dhe me ne, Rusia nuk i ka”, ka thënë me këtë rast kongresisti demokrat i Kalifornisë për gazetën e forcave ushtarake amerikane, “Stars and Stripes”.

Vota në Dhomën e Përfaqësuesve ishte dërmuese: 357 në favor të legjislacionit dhe 22 kundër. Sponsorizuesi kryesor i këtij legjislacioni, në mbështetje të NATO-s që u përkrah nga dy partitë kryesore në Kongres – demokratët dhe republikanët – ishte Kongresisti demokrat nga Kalifornia, Xhimi Panetta, por u sponsorizua gjithashtu nga disa anëtarë të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve, republikanë dhe demokratë. Njëri prej bashkë-sponsorizuesve ishte edhe miku i shqiptarëve, Kongresisti Elliot Engel, njëherazi edhe Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme të Kongresit Amerikan. Z. Engel është shprehur me këtë rast se, “NATO-ja luan një rol kritik në sigurimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë ndërkombëtare. Në qoftë se ne largohemi nga aleatët tanë evropianë, siç duket se ka sugjeruar Presidenti Trump, ne jemi duke minuar vetë interesat tona kombëtare. Ky projektligj demonstron se Kongresi do të kundërshtojë përpjekjet e cilësdo qoftë Administratë që mund të zhdukë rolin që luan Aleanca NATO”.

Kjo votë e Kongresit është një provë e gjallë se si duhet të funksionojë e ashtuquajtura, “Checks and Balances” në sistemin kushtetues amerikan, kur njëra prej tri degëve të qeverisë, kontrollon tjetrën, kur secila prej tri degëve të qeverisë mund të kufizojë pushtetin e dy të tjerave. Qëllimi i baballarëve të këtij kombi ka qenë që asnjëra prej këtyre tri degëve të qeverisë të mos bëhet tepër e fuqishme, por të balancojnë pushtetin midis tyre.

Nismëtari i këtij projektligji, Kongresisti Panetta e cilësoi Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior, si aleancën ushtarake më të vjetër dhe më të suksesshme në botë. Legjislacioni i Kongresit i quajtur, “Akti Mbështetës për NATO-n”, hedh poshtë çdo përpjekje të Presidentit Trump për t’u tërhequr nga NATO-ja”, thuhet në njoftimin për media të Kongresistit Panetta, ndërkohë që projektligji mbështet përpjekjet e vendeve anëtare të NATO-s që të shpenzojnë të pakën 2% të ardhurave të përgjithshme kombëtare për mbrojtjen e përbashkët, ndërkohë që promovon gjithashtu edhe fondet për Nismën Evropiane (European Deterrence Initiative) kundër agresionit rus.

Ndërsa njëri prej bashkautorëve të këtij legjislacioni, Kongresisti i Partisë Republikane, Don Baker i shtetit Nebraska, sipas njoftimit të Kongresit për mediat me këtë rast, është shprehur se, “Aleancat e Amerikës janë një burim fuqie dhe sigurimi për vendin tonë. Si një student i historisë, mund të them se aleancat tona ushtarake kanë ruajtur paqen dhe kanë promovuar begatinë ekonomike që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Dhe si oficer ushtarak i karrierës dhe si ish-komandant i një baze ushtarake në Evropë, jam i bindur se aleancat mbeten edhe sot tepër kritike për operacionet ushtarake amerikane. Në krahasim me traktate të tjera ushtarake, Traktati i Organizatës së Atlantikut Verior qëndron si e vetme dhe më e suksesshmja aleancë ushtarake në histori.” Kongresisti Baker, shtoi se, “Në 70-vjetorin e themelimit të këtij traktati ushtarak historik, është e domosdoshme që Kongresi të shprehë mbështetjen e tij për Aleancën e NATO-s dhe t’ua bëjë të qartë, si aleatëve ashtu edhe kundërshtarëve tanë, se populli amerikan është absolutisht i vendosur të qëndrojë në NATO.”

Largimi nga aleanca do të ishte një “gabim tragjik” ka thënë kongresistja Chrissy Houlahan nga shteti Pensilvanias, duke shtuar se nga një gjë e tillë vetëm “do të përfitonin Kina dhe Rusia, të cilat dëshirojnë të shohin një erozion të rolit të Shteteve të Bashkuara në botë.”

Ndërsa kongresisti demokrat nga shteti Nju Xhersi, Tom Malinowski, u shpreh se ishin, “Shtetet e Bashkuara ato që themeluan NATO-n. Madje edhe, në qoftë se se është vetëm një sugjerim që Shtetet e Bashkuara të largohen nga NATO-ja, kjo në vetvete, do të ishte një dhuratë e pa përgjegjshme që u jepet armiqve tanë. Me miratimin e këtij legjislacioni, Kongresi u thotë aleatëve tanë se, në emër të një shumice dërmuese të amerikanëve – një gjë e tillë nuk do të ndodhë.”

Një tjetër bashkautor i këtij legjislacioni, kongresisti republikan nga shteti Illionois, Adam Kinzinger tha se, “Mbrojta e demokracive të NATO-s, ashtu si edhe mbrojtja e sistemit tonë elektoral, është tepër me rëndësi për sigurimin tonë kombëtar si dhe për interesat tona globale. Legjislacioni, Akti për Mbështetjen e NATO-s”, nënvizon edhe njëherë misionin dhe angazhimin tonë ndaj këtij partneriteti të çmueshëm, ndërkohë që njëkohësisht na ndihmon ne dhe aleatët tanë që të marrim masa kundër agresionit dhe provokimeve të Rusisë”, është shprehur republikani Kinzinger.

Ky është zëri i vendosur dhe i patjetërsueshëm i përfaqësuesve të dy partive politike – demokratë dhe republikan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara – ky është zëri i pamposhtur i popullit amerikan. Gazeta e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, “Stars and Stripes” shkruan se Aleanca e NATO-s gëzon një mbështetje të fortë në radhët e amerikanëve, ku 62% e tyre kanë një qëndrim të favorshëm ndaj aleancës perëndimore, megjithëse që prej shembjes së komunizmit, shpesh janë dëgjuar zëra këtu në Shtetet e Bashkuara që kanë venë në pikëpyetje nevojën për ekzistencën e NATO-s. Por, fatbardhësisht, duket se këta zëra janë shuar, kryesisht, falë ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, në vitin 2014 dhe përpjekjeve ruse për të futur hundët në sistemet elektorale në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të kontinentit evropian.

Megjithëkëtë, planet janë në zhvillim e sipër për një takim të nivelit të lartë të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Washington – për të shënuar 70-vjetorin e saj aty ku edhe u themelua kjo aleancë, më 4 prill, 1949, ndërkohë që parashikohet edhe një mbledhje e udhëheqësve të shteteve anëtare të NATO-s, nga fundi i këtij viti, për të shënuar këtë përvjetor të themelimit të organizatës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota.

  © NATO

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Harry Truman duke folur me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Atlantikut Verior nga përfaqësues të 12 vendeve themeluese të NATO-s, Washington, DC, më 4 Prill, 1949