Frank Shkreli: Luigj Zanga – Nderi i Kombit

513
Sigal

Ndërroi jetë Luigj (Louis) Zanga – Nderi i Kombit

Nga Frank Shkreli

 

Njëra prej gazetave më të mëdha të Gjermanisë, “Suddeutsche Zeiting”, e cila botohet në Munich të Bavarisë, njoftoi lajmin për vdekjen e ish-gazetarit dhe analistit të njohur shqiptaro-amerikan, Luigj (Louis) Zanga – Nderi i Kombit – më 22 nëntor 2019. Luigj Zangën, unë e kisha koleg dhe bashkëpunëtor, mik dhe shok të dashur, ashtu si shumë të tjerë, gjatë dekadave, me të cilët, për pothuaj një gjysmë shekulli kisha fatin të kem bërë udhë shpesh të vështira, por edhe ditë të mira me ta, gjatë kësaj historie rrugëtimi në mërgim. Si i tillë, humbjen e Luigj Zangës e ndjej prekshëm, ashtu si edhe kolegë të tjerë që e kishin njohur gjatë viteve.

 

 

 

Disa vite më parë, me rastin e dekorimit për arritjet e tij njerëzore dhe profesionale të Luigj Zangës, me titullin “Nderi i Kombit” ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, në vitin 2015, tha se Luigj Zanga, “Na bën të gjithëve të ndihemi krenarë të jemi bashkatdhetarë të tij”. Në një artikull që kisha shkruar për ish-kolegun dhe mikun tim, Luigj Zanga, (“Profili i një analisti të shquar shqiptaro-amerikan”), kisha shënuar se gjatë jetës dhe karrierës, njeriu takon ose për fat të mirë ndodh që punon me njerëz, të cilët me sjelljet dhe cilësitë e tyre njerëzore dhe me aftësitë e tyre profesionale, lënë në ne mbresa të përjetshme dhe të paharrueshme. Unë kam pas fatin dhe rastet e mira që të kem njohur dhe punuar me disa prej gazetarëve dhe analistëve më të shquar shqiptarë – ndoshta të gjitha kohërave – jo vetëm në mërgim, por edhe më gjerë. Prej tyre kam mësuar vlera njerëzore, shoqërore dhe profesionale që ata posedonin, mbi të gjitha, ata ishin shembull i ushtrimit të profesionit të gazetarisë dhe të publicistikës. Njëri prej këtyre analistëve, të cilin kam pas fatin jo vetëm ta njihja gjatë pothuaj disa dekadave të fundit, por edhe të punoja me të në Zërin e Amerikës, në fillim të viteve ’70. Ai ishte Louis (Luigj) Zanga, për të cilin morëm lajmin e hidhur se 10-ditë më parë ndërroi jetë në Munich të Gjermanisë. Një profesionist tepër modest, njëri prej politologëve me të shquar, komentator dhe analist i problemeve shqiptare, për pothuaj gjysmë shekulli në SHBA dhe në Evropë, fillimisht siç thashë kam punuar me të në VOA-n shqip në Washington, ndonëse pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij gjatë Luftës së Ftohtë, Zanga e ka zhvilluar pranë Institutit të Kërkimeve të Radios “Evropa e Lirë”, në Munih të Gjermanisë.

Radio “Europa e Lirë” nuk kishte radiotransmetime në gjuhën shqipe gjatë Luftës së Ftohtë, por Louis Zanga mbushte një boshllëk informacioni që ekzistonte në atë kohë në median perëndimore mbi gjendjen në Shqipërinë komuniste dhe në trojet shqiptare, përfshirë edhe gjendjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës që sa vinte e keqësohej gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar. Analizat dhe komentet Zanga i shkruante në anglisht ndërkohë që ato përktheheshin dhe përdoreshin edhe për radio-transmetim, por qëllimi kryesor ishte që me anë të tyre të njoftohej bota anglisht-folëse dhe më gjerë, se çfarë po ndodhte me fatin e shqiptarëve në Ballkan gjatë sundimit komunist, një periudhe kur të drejtat e njeriut të shqiptarëve shkeleshin më keq se kudo tjetër në botë.

 

Lou Zanga, me raportet dhe analizat e tija, ishte si një dritare e vogël informacioni, sidomos për botën amerikane dhe evropiane, mbi ngjarjet në Shqipërinë e mbyllur dhe të vetizoluar komuniste. Analizat e tija përhapeshin dhe ishin si të thuash lexim i detyrueshëm për të gjithë ata që, në atë kohë, merreshin ose që ishin përgjegjës për çështjet shqiptare – jo vetëm ekspertët në qarqet më të larta të qeverisë amerikane në Washington, por edhe në universitetet dhe qendrat e ndryshme akademike të Amerikës që merreshin me studimin e çështjeve të Evropës Lindore komuniste, gjatë Luftës së Ftohtë. Luigj Zanga i përgatiste analizat e tij, bazuar në monitorimin e burimeve të brendshme të lajmeve dhe në informacionin dhe në materialet që mblidhnin agjencitë perëndimore të lajmeve por edhe nga përkthimet e Shërbimit Informativ të Transmetimeve të Huaja (FBIS).

 

Louis Zanga ishte pjesë e një strukture administrative të Radios Evropa e Lirë, përgjegjëse për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, ndërkohë që mbulonte edhe subjekte të çështjeve ballkanike. Zanga kishte filluar të punonte si analist kërkimesh të çështjeve shqiptare në Radion Evropa e Lirë në vitin 1961 dhe më vonë ka qenë gjithashtu përgjegjës për mirëmbajtjen e arkivave për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Raportet dhe analizat e Luigj Zangës gëzonin një reputacion të lartë gazetaresk dhe akademik, për nga niveli i lartë informativ dhe i paanshëm i artikujve dhe analizave të tija, e që dalloheshin për nga përpikmëria profetike e tyre, mbështetur në njohjen e thellë që ai kishte mbi Shqipërinë dhe rajonin.

 

Parashikime të sakta nga një analist i regjur mirë në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit, kur njeriu u hedh një shikim pas, ngjarjeve të dekadës së 80-ve dhe më vonë. Ashtu siç parashikonte Zanga në analizat e tija, Shqipëria qe vendi i fundit komunist që hoqi dorë nga qëndrimet e saja staliniste, jo për bindje se duhej të bëheshin ndryshime të sistemit, por vetëm e vetëm se pse komunizmi u shemb në pjesën tjetër të Evropës dhe nuk mund të mbijetonte sistemi komunist në Shqipëri, i izoluar nga pjesa tjetër e Evropës. Gjithashtu në Kosovë, ashtu siç komentonte analisti Zanga, problemi i shqiptarëve atje, jo vetëm që nuk u përmirësua por erdhi duke u keqësuar gjithnjë e më shumë.

 

Dekorimi i Luigj Zangës me çmimin e lartë të Atdheut, Nderi i Kombit, dëshmon nderimin jo vetëm të Presidencës, por të gjithë atyre që e kanë njohur Luigj Zangën. Analistët shqiptaro-amerikanë në qeverinë amerikane dhe në botën akademike në SHBA në atë kohë, mund të numëroheshin me gishtat e një dore dhe Louis Zanga zë një vend të merituar ndër më të dalluarit, për analizat dhe komentet e tij mbi çështjet shqiptare dhe ballkanike. Për arritjet jetësore dhe për punën e tij të gjatë në këtë fushë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani me plot të drejtë i akordoi Luigj Zangës dekoratën “Nderi i Kombit” me këtë motivacion:

 

“Në vlerësim të veprimtarisë së vyer dhe kontributit të tij të çmuar atdhetar prej gati gjysmë-shekulli në shërbim të përhapjes dhe konsolidimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë anembanë botës, veçanërisht në luftën e paepur dhe pa kompromis kundër diktaturës komuniste në Shqipëri”.

Luigj Diç(Louis) Zanga në krah të majtë të Presidentit Nishani me rastin e dekorimit të tij me titullin e lartë, “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shtator, 2015

 

Në fjalimin e tij me këtë rast, Presidenti Nishani, pasi përmendi shërbimin ushtarak të Luigj Zangës në luftën e Koresë, me tu kthyer në në Shtetet e Bashkuara, presidenti shqiptar theksoi se ai, “zgjodhi një armë tjetër për të vazhduar përpjekjet në luftën e tij për liri e demokraci – ai mori penën në dorë – arma e preferuar e intelektualit dhe filloi të punonte për “Zërin e Amerikës”, në atë medium të dashur dhe shpresëdhënës për të gjithë shqiptarët, që prej viteve’1950 të shekullit të kaluar”, ka thënë me atë rast Presidenti Nishani.

 

Media të tilla, si “Zëri i Amerikës”, BBC-ja, Radio Vatikani dhe Radio “Evropa e Lirë” dhe individët që kanë punuar aty, ka thënë ish Presidenti Nishani, “Kanë pasur një ndikim më të madh se kushdo dhe çdo gjë tjetër në mbajtjen gjallë të vlerave më të dalluara kombëtare, në rivendosjen e demokracisë, të fjalës së lirë dhe të lirisë së shtypit”. Duke i dorëzuar dekoratën, “Nderi i Kombit”, udhëheqësi shqiptar u shpreh se Louis Zanga nuk harroi kurrë se nga vinte dhe kush ishte -“Një shqiptar i vërtetë, zemra e të cilit rreh me emocion çdoherë që përmendet Shqipëria”, dhe theksoi se z. Zanga “na bën të gjithëve të ndihemi krenarë të jemi bashkatdhetarë të tij”.

Me përpjekjet dhe me përkushtimin e tij personal Luigj (Louis) Zanga e pati fatin të jetonte dhe të ishte (ndryshe nga shumë bashkëveprimtarë të kohës së tij), dëshmitar i fitores mbi diktaturën komuniste, në rrugën e gjatë dhe të vështirë të konsolidimit të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë – realizimit të këtyre objektivave madhore – të cilave ai me mend, me penë dhe me profesionalizëm të lartë, ua kushtoi gjithë jetën e tij.

 

Familjes së ngushtë të Luigj Zangës në Gjermani dhe të tjerëve në Shtetet e Bashkuara dhe kudo tjetër qofshin – në këtë rast pikëllimi e hidhërimi – u paraqes atyre dhe mbarë farefisit ngushëllimet e mia, me ndjenjat më të thella miqësore për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe kolegut dhe mikut tonë të shtrenjt.

 

Diç Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Reagan në kryeqendrën e “Zërit të Amerikës” në Washington me një fjalim drejtuar botës në mbi 60-gjuhë të ndryshme, 1984