Frank Shkreli: Argumenti kundër socializmit

692
Sigal

Socializmi si subjekt debatesh midis kandidatëve demokratë për president

Nga Frank Shkreli

Socializmi, si një ideologji dhe si një sistem qeverisjeje është bërë sivjet subjekt debatesh, në fushatën paraprake për president, midis kandidatëve të Partisë Demokrate, këtu në Shtetet e Bashkuara. Në debatin e fundit midis 10-kandidatëve të kësaj partie, tërhoqi vëmendjen shkëmbimi, për këtë çështje, midis ish-Zëvendës presidentit Xho Bajden (Joe Biden) që konsiderohet si një demokrat i moderuar dhe Senatorit Bernie Sanders dhe Senatores Elizabeth Warren me prirje të majta socialiste. Në të vërtetë, disa analistë komentuan pas debatit, se socializmi ishte subjekti kryesor në shkëmbimet e kandidatëve demokratë dhe se, sipas tyre, në qoftë se vazhdon kjo prirje e kandidatëve kryesorë të Partisë Demokrate për president – sidomos e senatorëve Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren. Kjo situatë, sipas vërejtësve politikë, është një lajm i mirë për Presidentin Trump dhe për republikanët, sepse ekspertët politikë gjykojnë se amerikanët nuk janë gati për të zgjedhur një president që promovon vlerat socialiste. Gjatë një shkëmbimi mendimesh mbi planet e tyre për përkujdesjen shëndetësore, Zëvendës Presidenti Biden, duke reaguar ndaj një propozimi të Senatorit Sanders iu drejtua me këto fjalë, Senatorit Sanders: “Si socialist që e konsideron veten, ti ke më shumë besim tek korporatat amerikane se ç’kam unë”, një kritikë me ironi, e drejtë për drejtë ndaj platformës së kandidatit demokrat për president, Bernie Sanders.

Duam s’duam, duket se si subjekt, socializmi, meritat dhe dështimet e tij si sistem ekonomik dhe qeverisës, tanimë është bërë, jo vetëm pjesë e debateve të fushatës paraprake, por ka giasa të mbizotërojë edhe fushatën për zgjedhjet e përgjithshme për president të vitit që vjen, këtu në Shtetet e Bashkuara. Por, ky debat ideologjik mbi socializmin në kuptimin klasik të fjalës, ose socializmin demokratik siç preferojnë ta quajnë senatorët Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren – ka filluar tanimë edhe në radhët e republikanëve, por me mënyra dhe mjete të tjera. Ky debat, kryesisht dhe pothuaj ekskluzivisht, kritikon idetë e socializmit, ndërkohë që disa demokratë dhe republikanë i konsiderojnë senatorët Sanders dhe Warren si bartësit e këtyre ideve, sa të huaja aq edhe të papranueshme për shumicën dërmuese të amerikanëve, qofshin republikanë, demokratë ose të pavarur.

Një prej këtyre komentuesve është Senatori i Shteteve të Bashkuara nga shteti Kentucky, Rand Paul, i cili përfaqëson atë shtet në Senatin Amerikan që prej vitit 2010. Senatori Paul është i njohur në skenën politike amerikane për pikëpamjet e tij konservatore në mbrojtje të lirisë si dhe autor i disa librave dhe artikujve mbi këtë subjekt dhe subjekte të tjera, siç është roli i kufizuar i qeverisë në një demokraci funksionale.

Libri i tij i fundit – i cili mund të lexohet në “Kindle e-book” por që do të botohet muajin që vjen – mban titullin, “The Case Against Socialism” ose “Argumenti Kundër Socializmit”. Senatori i njohur amerikan, Rand Paul, me këtë libër lëshon kushtrimin në mbrojtje të lirisë dhe kundër socializmit: “Në qoftë se socializmi hedh rrënjët në Amerikë, kjo ideologji do të rrezikojë fatin e kombit më të lirë në botë, duke shkaktuar shtypje dhe kontrolle të pa imagjinueshme nga ana e qeverisë.” Siç duket, libri me këtë titull është shkruar në përgjigje të një ankete publike të kohëve të fundit, sipas të cilës 43% e amerikanëve mendojnë se më shumë socializëm në këtë vend, mund të mos jetë një ide aq e keqe. Senatori Paul në librin e tij më të fundit, “Argumenti Kundër Socializmit”, i përgjigjet pyetjes se çfarë nuk dinë këta njerëz — që përgjigjen në këtë mënyrë pozitive për socializmin dhe për efektet dhe pasojat që, historikisht, ka pasur kjo ideologji në një shoqëri të lirë, siç është Amerika. Libri i ligjvënësit amerikanë është një përgjigje aktuale ndaj kërcënimit që paraqet socializmi ndaj lirisë së këtij vendi dhe njëkohësisht, me të atë libër, autori bën thirrje për veprim kundër forcave që rrezikojnë themelet e lirisë amerikane.

Në paraqitjen e librit të senatorit amerikan, Rand Paul, theksohet se në emër të socializmit janë vrarë miliona njerëz anë e mbanë botës, ndërkohë që kritikon disa universitete amerikane dhe politikanë me prirje të majta politiko-ideologjike, siç është kandidati për president, Senatori Bernie Sanders dhe kongresistja e re Alexandria-Ocasio-Cortez, të cilët e deklarojnë këtë ideologji tani si diçka të pranueshme për Amerikën.

 

Senatori Rand Paul

Në librin “ The Case Against Socialism” ose “Argumenti Kundër Socializmit” që pritet të botohet për publikun e gjerë në tetor, Senatori Paul përshkruan historinë e socializmit në botë, duke filluar nga gulagët e Stalinit e deri tek uria që ka pllakosur popullin e Venezuelës në ditët e sotme – e gjithë kjo në emër të ideologjisë socialiste, sipas tij. Senatori Paul shkruan për keqkuptimet dhe shtrembërimet historike të fakteve rreth utopisë socialiste në disa vende të Evropës. Ai thotë se vendet skandinave e duan kapitalizmin aq sa e duan atë sistem edhe amerikanët, ndërkohë që gjatë dekadave të fundit janë detyruar të shkurtojnë mjaft nga programet që cilësoheshin si standarde socialiste, e të cilat tani mbështeten edhe nga disa politikanë amerikanë, si Senatori Bernie Sanders dhe Kongresistja Alexandria-Ocasio-Cortez.

Senatori Rand Paul shkruan se vendosja e socializmit në Shtetet e Bashkuara mund të bëhet e mundur, vetëm nëse shumica e amerikanëve harrojnë rreziqet e vërteta që ka sjellë mbi njerëzimin ideologjia komuniste-socialiste — më shkatërrimtarja dhe më vrastarja e shekullit XX. Ai fletë konkretisht mbi të vërtetat dhe pasojat e socializmit, ndërsa përmend gjendjen në disa vende socialiste sot. Ndër të tjera, ai shkruan se për çdo student, në vendet me prirje socialiste, që vesh këmishën me një fotografi të Che Guevaras -marksistit revolucionar argjentinas – në Venezuelë vdes një fëmijë nga uria, por kjo nuk raportohet si pasojë negative e socializmit venezuelan. Ai përmend edhe refugjatët e dëshpëruar me jetesën në Kubën komuniste, të cilët largohen në masë nga ai vend për në Shtetet e Bashkuara, për arsye të shtypjeve të lirive dhe të drejtave të njeriut, censurës, racionimit të ushqimeve, spitaleve të ndyra, ku gjoja ofrohet shëndetësia falas, e shembuj të tjerë.

Si për shembull, shtetet diktatoriale si Republika Popullore e Kinës, që e quajnë veten komuniste-socialiste, ndërkohë që shkelin të gjitha liritë e të shprehurit, një vend ku qeveria kontrollon çdo gjë, ndërkohë që ato paraqiten para botës si gjoja shtete moderne të emancipuara.

Mjafton të shikojmë se ç’po ndodh në Hong Kong këto javët e fundit. Shtetet socialiste-komuniste bëjnë premtime për liri ekonomike ndërkohë që skllavërojnë shtetasit e vet, duke shkelur të drejtat e tyre bazë të njeriut, ndërsa ofrojnë iluzione për një siguri dhe barazi për të gjithë, ndërkohë që nëpërmjet kontrollit të plotë, kufizojnë lirinë personale, duke fuqizuar pushtetin diktatorial, duke mbytur nismën individuale dhe duke i bërë kështu të gjithë njerëzit të varen nga shteti për çdo gjë që kanë nevojë.

46 vjet më parë, në bankat e Kolegjit Lehman në Bronks të Nju Jorkut, kisha filluar të interesohesha për gazetari dhe vendosa të shkruaja ndonjë artikull, nga koha në kohë, kur më delte kohë, mbi subjekte që nuk trajtoheshin aq shumë nga studentët amerikanë të asaj kohe. Ishte një periudhë konfliktesh dhe ndryshimesh të mëdha politike, shoqërore dhe kulturore anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, si pasojë, kryesisht e Luftës së Vietnamit dhe kundërshtimeve të mëdha popullore ndaj saj, sidomos nga studentët. Në atë kohë kishte, fatkeqësisht, jo vetëm studentë të pa informuar mirë për pasojat e socializmit dhe komunizmit, sidomos në Evropë, por kishte edhe profesorë amerikanë nëpër universitetet e këtushme që haptas mbështesnin socializmin dhe komunizmin, duke i promovuar, dashur e pa dashur para studentëve, jo vetëm në klasat ku jepnin mësim, por edhe në shtypin e kolegjeve dhe universiteteve më të mëdha, anë e mbanë vendit. As kolegji i vogël Lehman në lagjen Bronx të Nju Jorkut ku kisha filluar studimet universitare në fillim të viteve 1970, nuk bënte përjashtim në këtë drejtim. Edhe aty dalloheshin të pakën dy tre profesorë të zellshëm me bindje socialiste-komuniste që debatonin dhe shkruanin haptas në favor të rendit socialist-komunist dhe kundër kapitalizmit. Duke venë re se pikëpamjet e tyre nuk po kundërshtoheshin nga askush, kështu fillova edhe unë të bëja polemikë më ta, pikërisht, mbi pasojat e komunizmit dhe në mbështetje të lirive bazë të njeriut, ashtu siç mbroheshin dhe zbatoheshin në Amerikë. Një prej reagimeve të mia studentore qe botuar në gazetën “Meridian” të Kolegjit Lehman, në tetor të vitit 1973, (Shiko shkrimin më poshtë). Shkrimi i 46-viteve më parë në anglisht, “The Case against Socialism” – me të njëjtin titull ashtu si edhe i librit të ri të posa botuar të Senatorit amerikan Rand Paul – trajton pothuaj të njëjtat argumente kundër socializmit, ndoshta në një mënyrë më pak të sofistikuar, pasi isha në një moshë shumë të re dhe pa përvojë. Ndonëse sot do e shkruaja këtë artikull ndoshta me një anglishte pak më të sofistikuar, mendimet e mia të shprehura 46 vjet më parë në lidhje me socializmin dhe komunizmin, në të vërtetë, nuk kanë ndryshuar aspak. E kisha përfunduar artikullin modest duke thënë, se nuk është Amerika ajo që më në fund lufton marksizmin dhe komunizmin, por është vetë natyra njerëzore që bën një gjë të tillë, pasi ky sistem për nga vetë natyra e tij është një regjim anti-njerëzor. Sot, si edhe 46-vjet më parë, besoj, ashtu siç është shprehur dikur edhe ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan se, “Komunizmi ishte një kapitull tjetër, sa i tmerrshëm aq edhe i pabesueshëm në historinë e njerëzimit, faqet e fundit të të cilit janë shkruar tanimë.” Pasi jemi të vetëdijshëm për historinë e përgjakshme të shekullit të kaluar, komunizmi si eksperiment i gabuar dhe aq i shtrenjtë për njerëzimin, duhet të ketë marrë fund njëherë e mirë dhe përgjithmonë!

Ish- Drejtor i VOAS për Euroazinë*