Flet Kol. Hajro Limaj: Qeveria Rama2, u shkëput nga realiteti, ka humbur dialogun me qytetarët, duke u kthyer në dhunues të tyre

488
Sigal

Hajro Limaj, Kolonel ® Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

Nëse qeveria Rama 1 bëri një sërë reformash dhe në disa drejtime u forcua dhe u konsolidua shteti, Rama 2 jo vetëm nuk mund të ecte përpara, por u shkëput nga hartimi, projektimi dhe zhvillimi i vendit në drejtimet më të domosdoshme. Shkaku i kësaj gjendjeje qëndron se qeveria është shkëputur nga realiteti, ka humbur komunikimin dhe dialogun e nevojshëm me popullin, si rezultat i së cilës, nga shërbëtore e popullit që duhej të ishte, është kthyer në dhunuese dhe poshtëruese e tij. Konfliktet e ashpra me qytetarët e Kukësit, të gjithë veriut dhe më tej të Kosovës për taksat marramendëse që vendosi për kalimet në rrugën e Kombit, ku revoltat e shpërthyera i bën tym e flak kioskat metalike të ngritura për pirjen e gjakut të shqiptarëve, debatet dhe konfliktet e gjata për shembjen e teatrit dhe ndërtimin e kullave pranë tij, dhe së fundi, lufta që po bëhet për ndërtimin e një segmenti të Unazës së Re me një shifër të pa parë dhe të pa dëgjuar në botë, 20 milionë euro, duke u shkatërruar shtëpitë dhe duke i hedhur në rrugë qindra familjarë, sikur janë armiqtë e Shqipërisë, dhe jo qytetarët e saj, skandalet e pa besueshme nga fitimi i tenderit të ndërtimit të këtij segmenti nga një firmë enigmë dhe mos arrestimet e enigmaxhinjve dhe kokëfortësia që vazhdon për ri-tenderimin e kësaj rruge tregojnë se qeverisja Rama 2 është në krizë vizionesh, largpamësie dhe shërbimi popullor. Flitet shumë dhe akuzohet për korrupsion galopant, krim të organizuar dhe veprimtari oligarkie. Po të ishte ndryshe nuk do të kishim këtë krizë të brendshme të Rilindjes, ku shkarkimi i më shumë se gjysmës së qeverisë, disa prej të cilëve të akuzuar për korrupsion të rëndë, nuk do të sillte në qeverinë e gjysmës Rama 3 kaq shumë njerëz pa emër, pa asnjë begraund shtetëror dhe shkencor. Shpërthimet e studentëve për krizën e gjithanshme në arsimin e lartë, të mos të themi dhe në atë para universitar, e gjejmë në çdo ministri dhe dikaster të vendit. Shërbimet shëndetësore janë vaj me det.

Mjeku i familjes të jep rekomandimin për t’u vizituar nga zemra apo ndonjë sëmundje tjetër e rrezikshme dhe spitali të cakton datën e realizimit mbas një muaji apo 2,3,4,5,6 muajsh. Pensionistët mezi hipin dhe zbresin shkallët e klinikave dhe spitaleve, të cilët vetëm mallkojnë për këtë gjendje ku përfundoi shteti, për të cilin të gjithë paguajnë taksa. Lëre me hipotekat, ku me vite qytetarët nuk mund të marrin vërtetimin e pasurisë, shtëpive që kanë blerë. Ore në mes të Tiranës 17 vjet kanë dy pallatet Sarael në Rrugën Medar Shtylla të ndërtuara dhe 150 familje nuk po marrin dot vërtetimin hipotekar. Banorët i kanë relatuar kryeministrit Rama, kryetarit të bashkisë Veliaj, drejtorit të ALUIZMI-t dhe të Hipotekës. Dhe fol pastaj që kemi shtet, që kemi shtetarë, që i shërbejmë popullit. Prandaj mos të zëntë halli në këtë vend, se vetëm shtet nuk ka, sepse po të funksiononte shteti siç duhet, nuk do të ishin të fundit për çdo tregues në Ballkan dhe në Evropë. Populli është i braktisur. Kur çmimet rriten në përmasa të pa arritshme qeveria 650 mijë pensionistëve nuk u indeksoi as 3 % pensionet, pa për rritjen e tyre as që u shkon në mendje. Fatkeqësi! Njeriu një jetë ka. Por kur punon mbi 40 vjet dhe flet me vete trotuareve se nuk mund të pish dot asnjë kafe me pensionin mujor që merr është e tmerrshme. Thënia “Barkngopuri nuk pyet për barkboshin” është një realitet i trishtueshëm tek ne. Kryeministri i Greqisë e mori detyrën në një krizë shumë të rëndë dhe në mënyrë simbolike gjatë gjithë kësaj periudhe qëndroi pa kravatë, deri sa tani publikoi se pagën minimale, edhe pensionin do t’i çojë 650 euro, ndërsa Zaevi, kryeministri i Maqedonisë deklaroi se do të veshë këpucë prej çeliku dhe do ta çojë rrogën minimale 500 Euro. Në publikimin e ditëve të fundit ne ishim me rrogën më të ulët në Evropë, 231 euro. Por qeveritarët tanë dhe politikanët krekosen, vishen me kostumet më të shtrenjta dhe me gjakun e popullit bredhin brenda dhe jashtë shtetit me makinat dhe avionët më të mirë…Po, rrënimi i shtetit?! Ndryshe nuk ka se si të ndodhë kur kapriçiot dhe egoizmat primitive në luftën midis kryeministrit dhe presidentit krijojnë këtë situatë qesharake për botën por e dhimbshme për Atdheun. Presidenti nuk e dekreton ministër të jashtëm, Z.Cakaj. Këtë detyrë me dëshirën e tij e mori të dekretuar kryeministri Rama. Por kryeministri, përballë kundërshtisë së presidentit e emëron Z. Cakaj ministër të jashtëm dhe ai tani me këtë funksion filloi takimet bilateral dhe shumëpalëshe brenda dhe jashtë shtetit. Pra dualizëm në kundërshtim me ligjet dhe interesat kombëtare. Në interes të kujt është? Vetëm të Shqipërisë dhe popullit shqiptar jo. Dhe ky shtet i rrënuar tani kërkon të rrënojë edhe Kosovën që nuk i janë tharë e larë gjakrat e hordhive milosheviçiane. Politika shqiptare është ndarë në dy pjesë.

Kryeministri për “korrigjimin e kufijve” apo “shkëmbimin e territoreve”, ndërsa presidenti “për mos ndryshimin e kufijve të Kosovës”. Ndryshimi apo mos ndryshimi i kufijve të Kosovës është një pikë tepër nevralgjike. Ajo nuk mund të propozohet apo të realizohet nga individë apo grupe individësh, të cilët nuk kane marrë vendimin politik dhe shtetëror të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Aktualisht harta e lëvizjeve dhe komunikimeve të kësaj nisme me shumë pikëpyetje do të sjellë shumë problem madhore. Përderisa nuk ka transparencë të plotë, se çfarë do të japë dhe çfarë do të marrë Kosova. Dhe brenda shtetit dhe politikës Kosovare ka përplasje të ashpra, politika shqiptare duhet të ulet në Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe të ketë një qëndrim zyrtar. Kjo detyrë dhe e drejtë buron nga kushtetuta. Vazhdimi i mëtejshëm i këtij rrënimi shtetëror do të na sjellë pasoja të gjithanshme. Prandaj a duhet të reagojë dhe të ndryshojë urgjentisht politikat rrënuese qeveria Rama, ose duhet shkuar drejt zgjidhjeve të tjera politike.