Filip Guraziu: Në kujtim të revoltës për shembjen e monumentit të Stalinit, më 14 janar 1990 në Shkodër

1073
Sigal

E sotmja në përgjithësi dhe momenti që jetojmë, perceptohet më mirë, kuptohet më thellë në qoftë se harmonizohet me të kaluarën. E kaluara kontribuon për konsolidimin e të sotmes dhe, të dyja së bashku, projektojnë të ardhmen. Shqipëria para pushtimit fashist dhe sundimit komunist, me të vërtetë ishte e varfër dhe me marrëdhënie shoqërore pak të zhvilluar, por ishte një vend ku parimet bazë të moralit pozitiv mbizotëronin jetën shoqërore. Pikërisht në momentin në të cilin bota përparimtare shkatërroi bishën fashiste, një kuçedër prej lindjes iu vërsul Shqipërisë. Ngjyrën e kishte të kuqe dhe me gjak njollosi tokën arbërore. Me demagogji, por edhe me dhunë çoroditi mendjet naive të njerëzve të thjeshtë. Për të sunduar dhe për t’i shërbyer politikës së huaj eliminoi me metodat më të ulëta mendjet më të ndritura të shqiptarëve.

Historia e shqiptarëve nuk kishte njohur ndonjëherë luftë civile si ajo që u zhvillua në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Historia e shqiptarëve nuk kishte parë ndonjëherë përdhunime, poshtërime, tortura, burgje dhe vrasje si në vitet e diktaturës komuniste. Historia e shqiptarëve nuk kishte njohur kurrë atë demonizim të vlerave morale të kombit shqiptar; njeriu i ndershëm u shpall i poshtëm, spiuni – hero, krimineli – qengj i bekuar, njeriu i Zotit shejtan dhe shejtani u shpall engjëll!

Për gjysmë shekulli, diktatura komuniste e Enver Hoxhës ushtroi metodat më barbare për të shkatërruar çdo gjë të mirë dhe të qytetëruar që përfaqësonte qyteti i Shkodrës. Për ta mbajtur popullin e Shkodrës nën terror psikologjik, në sheshin qendror të qytetit, aty ku demokracia ndërtoi monumentet e ‘Nënë Terezës’ dhe ‘Luigj Gurakuqit’- dy figura të krenarisë kombëtare që simbolizojnë dashurinë dhe demokracinë, diktatura vendosi monumentin e urryer të Stalinit, simbolit të së keqes. Diktatura komuniste dukej e qetë, ajo gëzonte “fitoren”. Kishte kthyer në skllavëri ekstreme një popull të tërë nën sloganin e krijimit të njeriut të ri, i cili rezultoi një mostër e mbrapshtë, pa besim dhe pa moral, që zëvendësoi dashurinë me urrejtjen, besën me tradhtinë dhe të vërtetën me rrenën. Ngjarjet vërtetuan se diktatura komuniste i pati bërë gabim llogaritë, pasi mundesh të zhdukësh njerëz, të shkatërrosh monumente, të grabitësh prona dhe të shkruash histori të rreme, por kurrë nuk mundesh të pengosh shpërthimin e ndjenjës së lirisë në shpirtin e të rinjve.

Dhe shpërthimi ndodhi, më 14 Janar 1990. Ishte një vullkan i fuqishëm nënujor që u pasua me një tsunam të vërtetë politik, i cili shkundi në themel diktaturën: Disa kohë më pas, monumenti i urryer i Stalinit u hoq natën fshehtas prej organeve të diktaturës. Fatkeqësisht pasojat e tsunamit ishin tragjike: Qindra qytetarë të arrestuar, një pjesë e madhe vuajti nën tortura, dhjetë ndër kryesorët; Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka, Aldo Perizi u dënuan me shumë vite burg, gjashtë të tjerë; Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni, Viktor Martini u shtruan në psikiatri dhe shumë familje u internuan. Njëri prej të burgosurve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë, doli nga burgu në gjendje invaliditeti ekstrem. Torturat shtazarake e kishin kryer efektin makabër! Nuk mund të konsiderohet rastësi organizimi i demonstratës se parë antikomuniste të 14 Janarit pikërisht në Shkodër. Populli i Shkodrës me rrethina dhe i malësive përreth edhe më përpara kishin demonstruar se komunizmi ishte i huaj për ta. Ky popull që mbart në gjene lirinë e njerëzve të maleve, i ndodhur historikisht në kontakt me kulturën perëndimore nëpërmjet marrëdhënieve tregtare dhe influencës së Kishës Katolike kurrë nuk kishte se si ta pranonte diktaturën dhe dogmën komuniste. Kujtojmë rezistencën e armatosur deri në vetëmohim të udhëhequr prej Llesh Marashit dhe atë të malësorëve Kelmendas me në krye Prekë Calin, në Janar të 1945-s, si dhe kryengritjen e përgjakshme të Postribës, në vitin 1946. Shembuj unikalë në Shqipëri dhe jo vetëm.

Terrori politik që pasoi 14 Janarin 1990 nuk mundi të mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve, përkundrazi vala e protestave si një ortek u rrit dhe u bë më e ashpër, që të ishte shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Historia e demokracisë shqiptare kujton me respekt revoltat e shkodranëve; 16 Qershorin 1990, 11 Nëntorin 1990, 13 Dhjetorin 1990 dhe 2 Prillin 1991. Duke u përkulur me respekt dhe me mirënjohje për të gjithë ata që u sakrifikuan në përpjekjet kundër komunizmit dhe fitoren e demokracisë, gjej rastin t’i rikujtoj historianëve faktin, “çuditërisht” të lënë në harresë, se historia e demokracisë post komuniste shqiptare fillon, më 14 janar 1990 dhe kjo duhet të shkruhet dhe të përkujtohet, jo vetëm në Shkodër! Shkodranët ndërtuan themelet e demokracisë shqiptare dhe guri i parë, kryesor i themelit, ishte demonstrata e 14 Janarit 1990.