Filip Guraziu: Demokracia dhe heronjtë e ideologjisë komuniste

826
Sigal

Demokracia e brishtë shqiptare, fatkeqësisht me kalimin e kohës vazhdon të bëhet edhe më e brishtë, kjo për shumë arsye, por njëra prej tyre, ajo më kryesorja që më rezulton sot mbas 25 viteve të vetëshembjes së komunizmit, është: Mosndërgjegjësimi dhe mosvëmendja serioze e klasës politike për edukimin e brezit të ri.

Informacioni që merr brezi i ri sot asht kontradiktor dhe kaotik, çka nuk është konstruktiv dhe shembujt janë të shumtë:

  • Qëndrimi për simbolet kombëtare (Skënderbeu, Nanë Tereza);
  • Qëndrimi për pushtimin turk,
  • Qëndrimi për gegnishten;
  • Qëndrimi për luftën civile në vitet e Luftës së Dytë Botërore,
  • Qëndrimi për dënimin e krimeve të komunizmit,… etj.

Pra, platforma edukative e institucioneve shtetërore, deri sot, nuk ka mundur të ndërtojë një strategji edukuese të miratuar kolegjialisht, konstruktive dhe bashkëkohore për brezin e ri. Në gamën e gjërë opinioniste për sa më sipër dëshiroj të veçoj qëndrimin që duhet të mbajmë sot në demokraci në lidhje me “heronjtë e ideologjisë së diktaturës komuniste shqiptare“.

Ashtë fakt i njohur, se së paku “zyrtarisht ”, të gjitha partitë politike parlamentare ose jo shqiptare kanë mbajtur qëndrim kritik kundër diktaturës komuniste, gjë krejt normale dhe në përputhje me qëndrimin politik për diktaturat (të majta dhe të djathta) në të gjitha vendet e Evropës dhe më gjerë. Shumë persona që kanë qenë në formacionet partizane të drejtuar prej komunistëve dhe që kanë vdekur në luftë civile kundër formacioneve shqiptare nacionaliste janë shpallur “Dëshmorë ose heronj të atdheut dhe të popullit”, gjë në përputhje me parimet komuniste dhe me periudhën në të cilën ideologjia e diktaturës ishte parësore, madje edhe mbi atë kombëtare! (internacionalizmi proletar). Rastet sa më sipër janë të shumta, duke filluar prej “Heronjve të Vigut”, deri te ata që u vranë prej rezistencës antikomuniste të Muharrem Bajraktarit; apo ato që vdiqën kundër kelmendasve nën kryesimin e Preke Calit, të tjerë kundër lëvizjes së Llesh Marashit në Koplik ose kryengritjes së Postribës si dhe përpjekjeve me grupet antikomuniste të derguara në Shqipëei prej vendeve “armike”, SHBA dhe Evropa Perëndimore etj. Por a duhet të vlerësohen ato tituj sot në demokraci?. Mendoj që jo! Pasi ata të vrarë nuk e patën dhanë jetën në luftë kundër pushtuesve të huaj për lirinë e atdheut, por për fitoren e idealit komunist në luftë me vëllezërit e tyre shqiptarë, ideal që me shembjen e komunizmit dhe fitoren e demokracisë u shpërbë, u dënua dhe vazhdon të dënohet si imoral dhe kriminal. Pra, sot në demokraci është absurde dhe krejtësisht e padrejtë që t’i ruajnë përsëri ato tituj. Kaq i rëndësishëm dhe ekstrem ishte vlerësimi ideologjik partiak karshi rasteve të mësipërme sa që ne veri të Shqipërisë, Shkodër “heronjve të ideologjisë ” iu përkushtua prej diktaturës një monument madhështor në qendër të Shkodrës, kurse ‘Tre heronjtë” e Shkodrës (ata që me të vërtetë e meritojnë titullin hero) të cilët vdiqën në përpjekje kundër pushtuesve fashistë, pra për idealin kombëtar u lanë në harresë dhe vazhdojnë po kështu…!

Tema qe po trajtoj nuk duhet kuptuar si ndërhyrje në fushën politike partiake, por duhet vlerësuar për moralin që rrezaton. Fakti jo i pëlqyeshëm dhe jo konstruktiv i vazhdimit të përçarjes së shqiptarëve (për temat e më sipër treguara) ende sot mbas 30 viteve “demokraci”, për mendimin tim, përbën një pengesë tepër të madhe drejt përparimit dhe konsolidimit të demokracisë dhe të shtetit ligjor në Shqipëri. Në qoftë se do të gjendet një konsensus ne mes “palëve” me pikënisje “Shqipëria dhe shqiptarit para tr tjerave” në lidhje me dallimin në mes “heronjve ideologjikë” dhe atyre kombëtarë (jo ideologjikë) mendoj se do të ishte një hap shumë i rëndësishëm drejt bashkimit shpirtëror të shqiptarëve, problem aq i dëshiruar!

Praktikisht të konsiderohen dhe të nderohen si Heronj të Kombit Shqiptar vetëm ato persona që dhanë jetën në luftë me pushtuesit e ndryshëm (turq, serb, grek, italian, gjerman ) pavarësisht prej bindjeve të tyre politike apo partiake (ballistë, komunistë, legalistë, nacionalistë etj.) Të tjerët le të mbesin Heronj Ideologjie dhe të nderohen prej atyre grupimeve politike që mbrojnë të njëjtën ideologji

Së paku, në ditët përkujtimore të Heronjve të Kombit, shqiptarët pa dallim përkatësie politike do të gjendeshin së bashku dhe kjo nuk është pak, por një fillim i mbarë drejt bashkimit, që jep shpresë edhe për të tjera veprime të kësaj natyre. Shtoj, se demokracia nuk pengon askënd të nderojë “heronjtë” që ai i konsideron të rëndësishëm, por kjo është pjesë e aktiviteteve politike të grupimeve si të majta ashtu edhe të djathta, krejt normale dhe që nuk i prish punë askujt!

Është koha për me kuptuar një herë e mirë se demokracia shqiptare dhe e ardhmja e Shqipërisë drejt BE-së nuk mund të realizohet duke i thurur lavdi ideologjisë komuniste. A e dini pse? Shumë e thjeshtë, sepse dënimi i krimeve të komunizmi është një ndër kushtet kryesore që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë pjesë e BE-së. Në vendet evropiane as që bëhet fjalë për të dekoruar ose nderuar publikisht ndonjë hero të fashizmit ose të nazizmit, përkundrazi praktikat janë të tilla sa që edhe tentativat për sa më sipër dënohen në bazë të ligjit. Një ligj i tillë ekziston edhe në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore; në Poloni, Çeki, Lituani dhe Hungari, i cili shprehet: “Refuzimi publik, me vue në dyshim ose me degradue fakte të gjenocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryeme prej regjimeve socialiste dhe komuniste”

Del detyrë imediate që legjislativi dhe strukturat e pavarura që funksionojnë sipas udhëzimeve të BE-së për të trajtuar problemin e mësipërm për ta futur në rrugën ligjore. Vetëm ligji duhet tw sundojw në demokraci, ligji duhet të jetë mbi nostalgjitë romantike të një periudhe tashmë të dënuar prej të gjithë aktorëve politikë. Sa më sipër nuk është hakmarrje, por drejtësi shoqërore që na e mundëson sistemi demokratik. E ardhmja e Shqipërisë dhe e brezit të ri asht shumë herë më e rëndësishme se sa një titull ose dekoratë me karakter ideologjik. Shqiptarë të ardhmen e keni në dorën tuaj, veproni!

Filip Guraziu

Somario

Së paku, në ditët përkujtimore të Heronjve të Kombit, shqiptarët pa dallim përkatësie politike do të gjendeshin së bashku dhe kjo nuk është pak, por një fillim i mbarë drejt bashkimit, që jep shpresë edhe për të tjera veprime të kësaj natyre. Shtoj, se demokracia nuk pengon askënd të nderojë “heronjtë” që ai i konsideron të rëndësishëm, por kjo është pjesë e aktiviteteve politike të grupimeve si të majta ashtu edhe të djathta, krejt normale dhe që nuk i prish punë askujt!