Fejzo Subashi: Kush ia ka zënë frymën opozitës?…

1035
Sigal

Jo vetëm situata në të cilën ndodhet, por vetë historia politike e vendit tregon qartë se: Dje mungesa, ndërsa sot një opozitë që ka humbur rrugën në oborrin e shtëpisë së saj, bënë atë që vendi të vazhdojë të lëngojë nga e njëjta sëmundje shekullore… Nuk është momenti të ndalemi, as në historikun e sëmundjes së vendit, as në historikun e opozitës, por në atë se:

-Çfarë ka kjo opozitë që nuk po arrin të marrë dot frymë lirisht…?

-Kush e pengon opozitën të ecë?

-Cili nuk po e le të mos ngrihet nga shtrati apo baltaku politik?

-Kush ia ka zënë dhe nuk e lejon të marrë frymë lirisht?

-Nëse e kupton edhe vetë që e ka humbur rrugën në oborrin e shtëpisë së saj, kush e pengon të orientohet dhe të kërkojë busullën me të cilën duhet të udhëhiqet?

I shtrova këto pyetje, pasi është më e nevojshme se kurrë, bile edhe më e domosdoshme se ajo e viteve ’90, e rolit, përgjegjësisë së opozitës. Sot, de jure kemi, jo vetëm një parti në opozitë, por një formacion e armatë të tërë partish opozitare, ndërsa de fakto, mungon roli, kontributi e, mbi të gjitha, mungon marrja e rolit dhe përgjegjësia e saj opozitare.

-Pse është katandisur kjo opozitë në këtë ferexhe? Kush është fajtori?

Përfundimisht arrijmë në të njëjtin konkluzion: Kemi nevojë dhe domosdoshmëri për opozitë, por kemi dhe nuk kemi opozitë…Them se edhe kemi, por edhe nuk kemi opozitë. Kemi parti opozitare, kemi formacion politik opozitar, por është për të ardhur keq kur shikon që kjo opozitë është shumë larg nevojave të politikës, të ekonomisë, të qytetarëve dhe halleve të tyre. Opozita domosdoshmërish është dhe duhet të jetë pjesë e lojës dhe luftës politike në vend. Ajo duhet të bëhet pjesë e luftës dhe lojës politike, sipas përgjegjësisë, rolit, kontributit, besueshmërisë së qytetarëve që e kanë votuar. Në të vërtetë në këtë luftë ajo është një opozitë e papërgjegjshme, e dobët, inekzistente. Të tjera shqetësime ka qytetari, elektorati, shoqëria, vendi, ndërsa të tjera shfaq e manifeston, prezanton, organizon dhe lançon opozita. Ndërsa populli, qytetari, vendi dhe hallet e tyre afrohen për herë e më shumë, kurse opozita shkon, largohet tutje dhe më tutje. Bëhet reforma e ndarjes territoriale dhe pushtetit vendor, opozita e bojkoton; bëhet reforma në drejtësi, opozita as mish as peshk; bëhen projekte, platforma, politika taksash, ndërsa opozita nuk merr pjesë në to… Arrihet në konkluzion, jo vetëm nga forcat e tjera politike në vend, por edhe nga organizmat dhe institucionet kompetente ndërkombëtare, se sistemi zgjedhor është jashtë realitetit, jo i duhuri dhe kërkesave të votuesve, opozita i lexon raportet, i trumbeton me të madhe, por prapë rri në vend… Atëherë, përse ekziston? Përse je? Përse duhet të besoj ? Përse duhet të shpresoj? Përse… Përse… Përse…? Cila është alternativa e kësaj opozite në lidhje me reformat? Cila është platforma politike dhe ekonomike e saj? Cila është kauza e saj? Cili është objektivi i saj? Cili është qëndrimi në lidhje me politikën e jashtme? Çfarë raporti mban, apo duhet të mbaj dhe të ketë kjo opozitë më partnerët, fqinjët, ndërkombëtarët? Në momentet që në kërkojmë dhe kemi nevojë për një opozitë që t’i shkurtojë me sa të mundë, qoftë edhe një ditë jetën qeverisë, ajo bën të kundërtën, duke i dhënë frymë, liri, dhe jetë. Në vend që opozita të merret më thelbin e luftës politike, nevoja të vendit, me zullumet e qeverisë, merret me grimin dhe tualetin e saj dhe të qeverisë. Në vend që opozita të merret dhe të behet zëri i halleve dhe shqetësimeve të qytetarit, katandiset në veglën e mazhorancës. Në vend që të jetë lideri i lojës politike, soset në portierin e portës së pozitës. Në vend që të fitojë simpatinë dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, miqve të vendit, përballet me mospërfilljen dhe kritikat e tyre. Në vend që të synojë të ngecë qeverinë dhe mazhorancën në batakun politik, baltos veten e saj si mos më keq. Në vend që të rrisë aksionet e saj politike, fatkeqësisht humbet me qindra aksione në ditë. Në vend që të fitojë besimin, që të rrisë shpresën të qytetarët e saj, vazhdon ende të përballet me përbuzjen dhe mospërfilljen e tyre. Në vend që të ecë kokë lart rrugëve, ka kohë që e mban më ulur se kur ishte në pushtet. Opozita në Shqipëri është katandisur dhe po bëhet gjithnjë e më shumë një subjekt vetëm konstatues, vëzhgues, kritikues dhe me analiza sipërfaqësore, në lidhje me situatën dhe luftën politike. Unë nuk dua të shfajësoj pozitën qeverisëse, por as ta ngarkoj me përgjegjësi opozitën me të padrejtë, por kërkoj që opozita të japë llogari për të djeshmen, të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të sotmen dhe të japë garanci dhe shpresë për të nesërmen Në një sistem demokratik është domosdoshmëri, nevojë kritike, që të kërkojmë një qeverisje sa më të përgjegjshme për vendin, nga mazhoranca qeverisëse, por kjo arrihet e realizohet kur ke një opozitë që të kryejë misionin e saj, të bëjë oponencën më të mirë të mundshme, që të jetë bindëse për të ardhmen e vendit nesër. Pjesë e kësaj lufte politike, detyrimisht është, duhet të jetë edhe opozita. Kur kjo opozitë është luftarake dhe me vizion, me strategji afatshkurtër dhe afatgjatë, e cila të përballojë luftën e pozitës, të vëzhgojë ecurinë, të minimizojë sa me shumë gabimet e pozitës, dhe mbi këtë, të përgatitet duke bërë korrigjimet e duhura për të marrë pushtetin nesër. Jo vetëm populli, votuesit, ndërkombëtaret dhe partnerët tanë, por vetë lufta politike kërkon një opozitë të tillë, të konsoliduar, unike, të fortë, me vizion, një opozitë e cila duhet të jetë pasqyrë, ku pozita të shihet në çdo moment. Përse nuk e kemi një opozitë të tillë? Po kush ia ka zënë frymën opozitës? Kush e pengon? Përse nuk dëshiron, që opozita të jetë e tillë? Më mirë se kushdo tjetër këtë përgjigje duhet ta japin partitë opozitare dhe vetë fronti opozitar. Natyrisht e djeshmja e saj, qenësia në pozitë, mënyra e qeverisjes dhe menaxhimit nga ajo e pushtetit, nuk ka qenë ajo e duhura, jo më e mira se nuk bëhet fjalë. Jo vetëm që nuk ka kurajën dhe forcën t’u japë llogari votuesve, anëtarësisë dhe militantëve të vetë, qytetarëve, për qeverisjen e vendit nga ajo, por ende nuk ka arritur të bëjë edhe analizën brenda strukturave dhe forumeve të saj. Figura morale, politike, prej pushtetari dhe shtetari e shumicës së liderëve të saj, gjatë kohës së kanë pasur funksione dhe poste, lë për të dëshiruar dhe është shumë e përfolur. Kërkon me forcë deri në limitet e maksimumit zbatimin, parimeve dhe kritereve demokratike, kur demokracia e brendshme e saj është e kontestuar, ku nuk janë të pakët, jo vetëm kundërshtarët e liderit, por edhe të filozofisë, ideve, aksioneve dhe nismave politike të kësaj opozite, fenomen këto që humbet besimin dhe shpresën për demokracinë e vendit. Kur kërkohet përballja në luftën politike me të gjitha forcat, energjitë, mundësitë dhe potencialet filozofike e njerëzore, atë më shpesh e shikon në shmangien dhe anashkalimin e kësaj përballje. Kur kërkohet të ketë një lider, që të përballojë, të sfidojë kundërshtarin, fatkeqësisht është i pa fuqishëm përballë e formacionit të tij opozitar. Kur i kërkohet domosdoshmërish rekrutim dhe prurje të figurave të reja, të cilat të jenë më të mira se ato që duhet të dalin, apo duhet ta lënë politikën, fatkeqësisht prurjet nuk janë, jo në nivelin e staturës dhe përformancës të atyre që zëvendësojnë, por për kuje të zezë, sa më keq nuk bëhet. Kur kërkohet domosdoshmërish gjuha për bashkim, masivizim, përqendrim opozitar, fatkeqësisht gjendet më shumë se kurrë e shpërndarë, e pa organizuar dhe shumë e ndarë. Kur opozitës i duhet, më shumë se kurrë, të shpalosë ide, alternativa, kauza, objektiva, ajo është në ditët më mjerane dhe në fukarallëkun më të keq të ideve, alternativave. Kur i kërkohet që të bëhet promotor i aksionit politik në vend, për fat të keq nuk është as mbështetëse e aksioneve dhe nismave të institucioneve të pa varura, apo të shoqërisë civile. Kur i kërkohet të ketë partnerë, mbështetje mediat dhe shoqërinë civile, me apo pa dashje armiqësohet më shumë me to. Sot, më shumë se kurrë, nga opozita kërkohet; bashkim, konsolidim opozitar me larminë e saj, si dhe ndërtimin e alternatives qeverisëse, përballë qeverisjes Rama. Sot situata, koha kërkon krijimin e një kauze të qartë, largpamëse, nga opozita, përballë amoralitetit qeverisës dhe demoralizimit qytetar të deritanishëm. Përcaktimin e objektivave të domosdoshme, të nevojshme, me përgjegjshmëri për të merituar besimin dhe votën e qytetarëve. Sot opozita, ka nevojë të përcaktojë qartë filozofinë, vizionin e saj politik, për të fituar, jo vetëm besimin, por dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe veçanërisht të partnerëve tanë.