Fatos Çoçoli: Protesta studentore si institucin

682
Sigal

Protestat e vakta të janarit 2019 përpara Kryeministrisë ose me bllokimin e mjediseve të mësimit në fakultetin Juridik dhe atë Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës, me një sfond të qartë partiak, nuk mund të zbehin kurrsesi madhështinë e lëvizjes studentore. Studentët në rrugë përpara Ministrisë së Arsimit në dhjetorin e ftohtë 2018 përbëjnë pa dyshim prurjen më demokratike të shoqërisë sonë në 20 vitet e fundit. Flladi i shpresës që mijëra studentë të arsimit të lartë publik sollën në acarin e dimrit nuk do venitet kurrë. Të thuash se protesta studentore dështoi, është të mos kuptosh pse ajo u bë. Vërtet u nis me një kërkesë të thjeshtë për tarifat e padrejta të studentëve përsëritës. Por kulmoi me thithjen e shpresës për ndryshim të mbarë qytetarëve të lodhur dhe zhgënjyer nga politika. Këtë e ndjenë instinktivisht studentët protestues. Ia arritën që me ngulm dhe kokëfortësi të admirueshme të mos përzienin ne radhët e tyre taboret e partive dhe të mos përfshinin kërkesa politike në manifestin me tetë kërkesat. Kryevepra e tyre ishte refuzimi i dialogut me qeverinë, jo si shenjë moskuptimi, paqartësie apo papjekurie në kauzën e tyre, por si shprehja më e fortë e mosbesimit popullor në moralin dhe seriozitetin e politikës dhe qeverisjes. Pastërtia studentore ­çarmatosi çdo kamikaz partiak dhe e detyroi qeverinë të ishte serioze (me aq sa mundej) në angazhimet e veta. Por mosngrirja, mos pezullimi i përkohshëm i ligjit për arsimin e lartë (një mundësi që nuk u konsiderua nga qeveria), për të disiplinuar qeverisjen e papërgjegjshme të universiteteve publike, vë në pikëpyetje serioze pastrimin e sistemit. Gjithçka nuk mund të përfundojë vetëm me përgjysmimin e tarifave dhe vendet e gatshme në administratën publike për studentët e ekselencës. Dhe me premtimin e heshtur të dekanateve se nuk do të persekutojnë studentët protestues (?!). Absurditete të tilla nuk ka pse pranohen. Nga ana tjetër, vetëm vettingu i titujve shkencorë nuk mjafton. Çdo pedagog i denoncuar nga studentët duhet të “vettohet”, të kontrollohet nëse ka marrë ryshfete apo jo. Sistemi i shëmtuar i sekserëve të provimeve duhet rrëzuar njëherë e përgjithmonë. Po ashtu edhe ai detyrues i kurseve private të po këtyre pedagogëve shtetërore, të cilët jo drejtpërdrejtë u lënë të nënkuptojnë studentëve se po nuk pagove privatisht në kurs profesorin apo profesoreshën, ai apo ajo nuk ta jep notën kaluese në provim.

Pedagogët abuzues janë mjeshtër në bërjen e pyetjeve të provimit qëllimisht të vështira ose që nuk mund t’u gjendet literatura e duhur, që studentët të jenë plotësisht në dorën e tyre. Asnjëherë nuk janë kontrolluar dhe evidentuar për këtë abuzim. Aq më pak, dënuar për poshtërsinë që bëjnë dhe devijimin monstruoz të detyrës fisnike të mësuesit. Më grykësit mes tyre kanë sekserët që e kryejnë këtë punë me kohë të plotë 24 orë në 24, të njohur nga të gjithë studentët dhe madje edhe një pjesë e prindërve. Janë sekretarja, portieri, pastruesja, shoferi e me radhë. Janë me mijëra studentët dhe studentet që punojnë jashtë orëve të mësimit, vetëm për të paguar “tarifat” jo vetëm të shkollës (se ato shumicën ua paguajnë ua paguajnë prindërit), por edhe të këtyre pedagogëve abuzues në “bursën” e shitjes së provimeve. Arsimi ynë i lartë publik është shndërruar në një biznes të madh privat të pedagogëve që shesin provimet. Kjo “data base (bazë të dhënash)” është e plotë, më e mira që mund të sigurojnë institucionet shtetërore të përgjegjshme, pse është “shkruar” në kurriz të viktimave të pafajshme të abuzimit monetar dhe madje edhe seksual të jo pak pedagogëve perversë. Protesta studentore duhet të qëndrojë si një institucion, që sistemi ynë i arsimit të lartë të pastrohet nga themelet. Pa këtë shpatë Demokleu mbi kokë, qeveria do të harroje në pak muaj kërkesat studentore, Si dhe shumicën e atyre që sot ka marrë përsipër. Protesta studentore duhet të jetë “vigjilente” aty për të kërkuar me forcë se sa nga paratë e tarifave të tyre kanë shkuar realisht për përmirësimin e kushteve të mësim-dhënies, të fjetinave, apo për kërkimin shkencor dhe për shërbimet studentore. Ta kërkojë këtë nga Ministria dhe kontrollorët e inspektorët e saj. Në rast se kjo nuk merr përsipër ta bëjë, të izolojë publikisht pedagogët e përfolur nga studentët, t’i vendosë në një listë të saj të zezë dhe t’i bëjë subjekte kontrollesh të vazhdueshme dhe selektive, atëherë ka pushuar së qeni një zyrë në shërbim të studenteve. Për mënyrën se si do të realizohen angazhimet qeveritare me Paktin për Arsimin e Lartë dhe për të ardhmen e zbatimit ose jo të ligjit për arsimin e lartë të vitit 2015, tejet i parakohshëm për ne, institucioni i protestës studentore duhet të jetë gati për ndërhyrje të reja. Ndryshe kjo qeveri e trazuar në themele nga vrulli studentor, seriozitetin e zbatimit të angazhimeve të veta mund ta harrojë vetëm pas pak muajsh.