Faik Kreshpa, djaloshi patriot i “Daulles së telit”

1079
Sigal

Besnik Velaj

Faik Kreshpa në vitin 1912 punonte në postën e Vlorës telegrafist. Lajmin e Shpalljes së Pavarësisë e dha me telegramet e formuluara prej tij, në të gjitha qendrat që kishin lidhje telegrafike. Dhe më pas ua përcolli kancelarive evropiane njoftimet për aktivitetin dhe kërkesat e Qeverisë së Përkohshme. Faik Kreshpa, djaloshi që i përcolli Evropës dhe Fuqive të Mëdha, lajmin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ishte pinjoll i një prej familjeve më të vjetra të Vlorës. Studiuesit, historianët thonë se familja Kreshpa është një prej familjeve më të vjetra të Vlorës, ka një histori më se 400 vjeçare të lidhur me qytetin e Vlorës. Në një mjedis qytetar, plot kulturë, edukatë, tradita të shëndosha patriotike, lindi dhe u rrit Faik Kreshpa. Ai u dërgua për të studiuar në Selanik, u shkollua pikërisht për specialitetin me të cilin u bë i njohur, telegrafin.

Në Vlorë, shërbimi i postë-telegrafit, njihej në ato vite të zjarrta me emërtimin: “Daullja e telit”. Ishte ngritur qysh në vitin 1862, kur në këtë qytet funksiononte zyra përkatëse, që ishte ndërtuar nga Perandoria Osmane në Vlorë, si në të gjitha vendet e pushtuara prej saj. Në vitin 1909, Faik Kreshpa përfundoi studimet në Selanik dhe u kthye në Vlorë, qyteti i tij i lindjes, ku filloi punë në specialitetin e tij, në Zyrën e Postë-telegrafit. Ishte viti fatlum 1912 për shqiptarët dhe Shqipërinë, kur Faik Kreshpa, 22-vjeçar, do të bëhej i njohur, i famshëm dhe do të mbetej emër i njohur, protagonist i atyre ditëve të fatlumtura. Pas vendimit dhe nënshkrimit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Ismail Qemal Bej Vlora, Kryeministër, dorëzoi tekstin e njoftimit për Fuqitë e mëdha dhe shtetet ballkanike. Teksti u përcoll tek zyrat e Postë-telegrafit, që prej pak ditësh, ishin vendosur pak metra më tej, në katin e parë të godinës së njohur të Sharrajve, e cila ka “mbijetuar” deri në mesin e viteve 1980. Përgjegjësi i kësaj zyre ishte Vait Janina, një emër i njohur në rrethet patriotike të kohës, besnik i Ismail Qemalit. Vait Janina ishte baxhanak, me truprojën më të afërt të Ismail Qemalit, Kodhel Zilen, ndërkohë që bashkëshortja e tij, kryente detyrën e kuzhinieres së Kryetarit të Qeverisë së Pavarësisë. Gjithsesi, me tekstin e njoftimit në dorë, Vait Janina iu drejtua njërit prej punonjësve të kësaj zyre, Faik Kreshpës, djaloshit 22-vjeçar, të cilit i ra fati i madh të transmetonte lajmin e njoftimit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas tregimtarëve të asaj kohe: “Në vitin 1912 Faik Kreshpa punonte në postën e Vlorës si telegrafist. Lajmin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë e dha me telegramet e formuluara prej tij në të gjitha qendrat, që kishin lidhje telegrafike. Kur i dhanë lajmin e vendimit të kuvendit ai qëlloi disa herë me armë nga dritarja e postës. Për këtë, Ismail Qemali, i hoqi vërejtjen, duke i thënë: “Se nuk duhej ta festonte me pushkë këtë sihariq”. Kjo detyrë e kryer me përpikëri nuk ishte e vetmja për djaloshin e pasionuar pas poezisë së “Daulles së telit”. Ai vazhdoi të zbatonte me përpikëri, korrektësi detyrat e lëna, duke i përcjellë kancelarive evropiane, njoftimet për aktivitetin dhe kërkesat e Qeverisë së Përkohshme. Ai vazhdoi në këtë të profesion për shumë vite me radhë, madje dhe pas vitit ’1944, deri sa doli në pension. Ky emër ka mbetur i panjohur për vlonjatët dhe shqiptarët. Për 50 vjet u la në harresë, megjithëse patrioti i madh ishte një qytetar i kulturuar, i nderuar i Vlorës. Ai ka jetuar në Vlorë deri në vitin 1956, kur dhe ndërroi jetë. Të ndërrosh jetë është një proces biologjik, të merr Zoti në mbretërinë e tij, por kur bashkëqytetarët e tu nuk e dinë, se pikërisht Faik Kreshpa, ishte telegrafisti që njoftoi botën mbarë për aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ishte një nderim që nuk iu bë. Shprehja “Daullja e telit” është shumë poetike, është mbi të gjitha një lëndë e ngjeshur artistike. Artistë të shumtë janë frymëzuar e krijuar vepra në të gjitha gjinitë letrare. Komenti letrare-artistik do të ishte i gjatë, mendoj t’ia u lëmë në dorë kritikëve të fushave të artit, por nuk mund të harrojmë një vepër të madhe kinematografike, filmin “Nëntori i Dytë”. Ai është një film shqiptar i prodhuar në Shqipëri në vitin 1982. Regjisor: Viktor Gjika, skenarist: Dhimitër Shuteriqi, Kiço Blushi, muzika: Kujtim Laro. Filmi trajton një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së lavdishme të popullit shqiptar -Shpalljen e Pavarësisë së Kombit. Personalitetet më të famshëm të kombit, të udhëhequr nga patrioti Ismail Qemal Bej Vlora, pas shumë pengesash arrijnë të ngrenë Flamurin Kuq e Zi me Shkabën dy krenare dhe të shpallin Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, më 28 Nëntor 1912. Kamera e Lionel Konomit na jep të pasqyruar në ekran lojën brilante të aktorëve kryesorë: Sandër Prosi-Ismail Qemali, Reshat Arbana, Mario Ashiku, Sulejman Dibra. Aktorë të roleve të tjera: Bujar Lako, Robert Ndrenika etj.

Midis lojës profesionalisht të arritur të aktoreve,bie në sy dhe roli dytësor i aktorit që luan telegrafistin, alias Faik Kreshpa. I shkathët, i lirë në skenën e filmit, me një plastikë për t’u admiruar,me botë shpirtërore të gëzuar, me lëvizje harmonike, në marrëdhënie simbiotike me aktorët e roleve kryesore, duket se e ka studiuar mirë tipin e djaloshit patriot të “Daulles së telit”, sipas skenaristeve dhe jetës reale të Faik Kreshpës. Gjatë shfaqjes së filmit “Nëntori i Dytë” për herë të parë në publik, për çdo aktor për personazhin që luante, ka pasur një shpjegim plotësues nga këshilli artistik i filmit dhe organet e qeverisë. Për rolin dytësor të aktorit që luante telegrafistin, pati heshtje varri deri në ditët tona, sado që ky rrol për nga ana e pjekurisë profesionale-aktoriale-skenike është i barabartë me rolet kryesore në filmin “Nëntori i Dytë”. Edhe këto cilësi kulturore-artistike sipas kontekstit të mësipërm, e para, nuk kemi mësuar akoma emrin e nderuar të aktorit – telegrafist, e dyta, për djaloshin patriot me kobure në brez si Isa Boletini të “Daulles së telit”, është një nderim që nuk iu bë për herë të dytë. A nuk kërkon Faik Kreshpa (telegrafisti patriot i Ismail Qemal Bej Vlorës), sot – po sot, kujdes qeveritar nga ana e Kryeministrit, për ta shpurë në altarin e nderuar të kombit, qoftë dhe si kujtesë për Presidentin e Republikës?!