Evdal Nuri: Shifrat e plakjes dhe varfërimit të shqipërisë

821
Sigal

Shqiptarët lindin 1-2 fëmijë, në krahasim me vitin 2014, kemi 3000 lindje më pak
Shqipëria, po plaket e varfërohet

Më ka mbetur në mend një thënie klasike! Njeriu para se të merret me punë, art, kulturë, sport, politikë ,dashuri, tregti e ….ka nevojë që të plotësojë disa nevoja të domosdoshme, si ushqim e ujë. Pasi plotëson këto është i gatshëm për gjithçka. E kemi provuar shpesh herë kur kemi nevojë, s’kemi qenë në gjendje për asgjë. Të pangrënët, të pastrehët i quajmë të varfër. Ata i kemi prezent kudo në familje, rrugë e kudo! Varfëria i bën që të gënjehen më një trastë miell, ca lekë, një premtim. Të dëgjojnë më shumë e bëjnë si i thua në votime apo protesta! Kjo është arsyeja që fitorja i “buzëqesh “ më të fortit, mbase fukarenjtë e hedhin votën tek ajo forcë politike që ka aftësi t’i gënjejë e t’i bëjë për vete më plotësimin e një minimumi nevoje.

Nevoja për ekzistencë, vërehet dhe tek bota shtazore. Kafsha më e fortë shfaros të dobëtin. Një rast që më befasoi! Isha ulur tek “Tre Vëllezërit Frashëri”. Disa harabela e pëllumba të etur për të ngrënë na vinin te këmbët e na shikonin në sy, sikur donin të thoshin, na jepni diçka, se po ngordhim! Dukeshin shumë të uritur, por dhe të urtë e pa asnjë lloj frike. Vajzës i erdhi keq, vajti tek kioska, bleu një panine e filloi t’ua ndajë. Të gjithë u sulën duke hapur krahët se kush të rrëmbente copën më të madhe. Filloi një ‘luftë “ për ekzistencë. Pasi hëngrën mirë e mirë, pëllumbat filluan të këndojnë, kurse harabelat u larguan në pemët të shkrifur e të gëzuar! Kaq ishte nevoja e tyre, e filluan të mos afrohen e t’na “luteshin “ tek këmbët si më parë! Këto sjellje në forma nga më të ndryshme i shikojmë dhe në shoqërinë njerëzore. I varfri është më i urtë, i dëgjueshëm, të sheh në sy, sikur fjala tënde është gjithmonë e drejtë dhe duhet zbatuar! I pasuri të duket më i zoti, i mençur, i fortë edhe pse mund të mos jetë i tillë! Këtë “privilegj “ua siguron forca e parasë, prandaj me të drejtë thonë: “Paraja hedh ujin përpjetë!

1- Ku duket varfëria tek ne?

Në ç’do drejtim, në jetesë, veshje, mendimet e kudo! 53% e familjeve kanë të ardhura 17 mijë deri në 50 mijë lekë në muaj. Në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, kostot e jetesës në Shqipëri janë bërë më të shtrenjta. Shqipëria për vitin 2019 u bë më shtrenjtë se Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Interesant është fakti, se ndërsa kostot e jetesës kanë shënuar rritje në Shqipëri, indeksi i fuqisë blerëse ka rënë. Ky indeks është përkeqësuar gjatë 6 muajve të parë të 2019-s, ku Shqipëria është renditur e dyta në Evropë për fuqinë blerëse më të ulët të vendasve, duke u renditur pas Moldavisë. Të bësh pazar në Shqipëri kushton më shtrenjtë se në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi. Edhe pse është fundi i korrikut, një kg domate e bleva 120 lekë, kurse një kg bamje 280 lekë. Shkalla e varfërisë në Shqipëri arriti në vitin 2018, në 35.2% . Papunësia e të rinjve është aktualisht mbi 30%. Fakti se 40% e popullsisë jeton me 6 USD në ditë është e vërtetë e s’mund të anashkalohet . Kriza ekonomike çon drejt falimentimit mbi 6100 biznese. Nga 163 mijë biznese, 90% e tyre janë të vogla me nga 3-4 punëtorë. Tjetër, 28 % e familjeve shqiptare kanë vështirësi në pagesën e faturave mujore, si uji e dritat. Mbi 6% e shqiptarëve, nën pushtetin e varfërisë ekstreme. Një raport i Bankës Botërore përforcon varfërinë e shqiptarëve. Mbi 181 mijë persona jetojnë me 3 dollarë në ditë. Nga këta, mbi 20 mijë jetojnë akoma më keq, me 1.9 dollarë në ditë.

2- Shqipëria po plaket.

  1. a) Shqipëria po plaket nga pakësimi i lindjeve

Shqipëria po përballet me një krizë të paprecedentë demografike, duke shënuar rënien e tretë më të shpejtë të lindshmërisë që është regjistruar ndonjëherë në historinë botërore. Rënia e lindjeve po sjell plakjen dhe rrudhjen e shpejtë të popullsisë shqiptare, një fenomen që ka pasoja jo të vogla për të ardhmen e ekonomisë dhe financave të shtetit. Aktualisht popullsia shqiptare është në pakësim dhe në plakje të shpejtë.

Shqiptarët lindin 1-2 fëmijë! Në krahasim me vitin 2014, kemi 3000 lindje më pak. Ato janë barazuar me vdekjet, kështu që rritja e popullsisë është 0%! Pakësimi i lindjeve nuk është një rast i izoluar, por një tendencë disavjeçare tashmë e shndërruar në shqetësim madhor për të ardhmen e Shqipërisë. Vitin e kaluar, numri i lindjeve në vend regjistroi nivelin më të ulët në gati 100 vjet. Numri i fëmijëve nën 14 vjeç, aktualisht 522 mijë, pritet të bjerë më tutje gjatë viteve të ardhshme ndërkohë që numri i shqiptarëve mbi 65 vjeç, pritet të rritet me shpejtësi. Një faktor tjetër për pakësimin e lindjeve është dhe gjendja e vështirë ekonomike. Arsyeja, se nuk mund t’i mbajnë me të ardhurat minimale që kanë! Tani kohët kanë ndryshuar. Të varfrit kanë qëllim të largohen e të krijojnë familje jashtë, mbase këtu e shohin të pamundur rritjen e fëmijëve.

  1. b) Nga emigracioni masiv

390 mijë shqiptarë kanë marrë një pasaportë të vendeve të BE në 15 vitet e fundit, rekord në Ballkan. Rruga e shpresës dhe shpëtimit, mbetet emigrim nga varfëria e pashpresë. Në 10 vitet e fundit kemi një reduktim me 333 mijë banorë dhe kryesisht kjo vjen nga emigrimi, por edhe ulja e lindjeve. Vetëm në tre muajit e parë të 2019, rreth 40 mijë shqiptarë braktisën vendin për të emigruar jashtë kufijve. Është e çuditshme, se për këtë fenomen ka një heshtje ta pajustifikuar nga organet shtetërore! Në dy javët e para të korrikut rreth 2 800 studentë kanë aplikuar për studime jashtë vendit. Në projeksionet afatgjata të popullsisë, INSTAT parashikonte sipas të gjithë skenarëve që emigracioni të jetë 100-300 mijë persona deri më 2030. Në pjesën e të madhe janë të rinjtë ata që po ikin. Janë të grupmosha nga 18 deri në 34 vjeç që përbëjnë gati 45% të totalit të azilkërkuesve për Shqipërinë. Këta janë moshat e reja që do të rritin e “freskojnë “ Shqipërinë. Pikërisht këta e kanë mendjen për t’u larguar nga Shqipëria! Së fundi, në Lotarinë Amerikanë këtë vit u regjistruan 367 mijë persona, kryesisht moshat e reja. Statistikat e reja të publikuara nga Departamenti i Shtetit tregojnë se gati 13% e popullsisë provoi fatin duke aplikuar për lotarinë amerikane dhe aplikuesit janë shtuar nga viti në vit. Shifrat tregojnë se Shqipëria po shkon drejt rrezikut të plakjes së popullsisë si pasojë e efektit të kombinuar të rritjes së jetëgjatësisë, uljes së lindshmërisë dhe emigrimit në rritje të moshës së re.