Evdal Nuri: Natën të rrethuar, ditën të pushtuar

465

Tek ne po zbatohet parulla kineze: “Fshati të rrethoi qytetin”?!

Që të bindemi. Çdo ditë në Tiranë, zbresin nga fshatrat rreth 50-60 mijë persona. Arsyeja, për ndonjë punë! Çdo ditë, Tirana shtohet me 70 veta! Tirana një nga qytetet më dendësi më të madhe në nga vendet e para vendet për shogun. Kemi mbi 474 fshatra të braktisura, kurse 754 të tjerë të venitur me 7-10% të banorëve! Si ka ndryshuar raporti fshat qytet? Në 1920, 80% e popullsisë jetonte në fshat e vetëm 20% në qytet. Nga gjeografia e Shqipërisë në shkollën e mesme në vitet ’70, më ka mbetur në mendje shifra, se 64% jetonin në fshat e 36 % në qytet. Në këto vite popullsia rurale në Shqipëri po pëson tkurrje vit pas vit. Në vitin 2016 popullsia në fshat përbënte rreth 40 %, kurse në qytet 60 %. Po t’i referohemi shifrave të mësipërme, gjendja është si më poshtë:

Qafë Molla e “helmuar” dhe e harruar..!

Të flasim për një, që të kuptojmë e besojmë qindra të tjerë. Kisha dëgjuar, se në Qafë –Mollë ishin magazinuar 116 ton kimikate të rrezikshme, të mbyllura hermetikisht në fuçi dhe të vendosura në kontejnerë e që do të zhvendoseshin. Ishin kryesisht të periudhës komuniste. Ato përbënin një rrezik të madh për banorët e zonave përreth si dhe një kërcënim për ndotjen e ambientit. Mësova më shumë për të, kur shoqëria civile u ngrit në protesta të papara dhe detyrojë qeverinë të gjunjëzohet. Do të ishte mirë që protesta të tilla të bëheshin dhe për varfërinë, pensionet, papunësinë e plot halle që kanë shqiptarët, por ia që s’bëhen! Është e lehtë të organizosh një demonstratë me 100 mijë qytetarë të palumtur në Tiranë. Në fshatra është e vështirë që njerëzit të mobilizohen dhe të formojnë një grupim apo parti politike gjë që do të vendoste në vështirësi qeverinë. Ndaj qeveritë injorojnë zonat rurale. Kisha dëgjuar se në Qafë Mollë ku shoku im S. Dardha, kishte bërë ushtrinë, se ka depo ujë që furnizojnë Tiranën, por asnjëherë s’kisha qenë. Ditë më parë u gjenda atje e për çka pashë e dëgjova, mendova të shkruaj disa rreshta për ta ditur se sa e dëshpëruar ishte gjendja edhe pse është vetëm 20 km larg Tiranës, prapa Dajtit.

2- “Mrekullia e braktisur…?!”

Që në fillim dua të theksoj se natyra ishte mbresëlënëse. Kodra të mbuluara me pisha e drurë të tjerë që i jepnin kësaj zone një bukuri të veçantë. Këto pasuri i kemi dhuratë nga paraardhësit tanë, por dhe nga Zoti që ka “qëndisur” këto kodra më gjelbërim gjatë gjithë vitit. Zonë e shkëlqyer për zhvillimin e turizmit malor, por pak e frekuentuar! Nga reparti ushtarak në fabrikën e ujit rruga e keqe. E shkatërruar plotësisht deri në fshat, jo më tepër se 3 km. Kjo gjendje ka frenuar zhvillimin jetës, ekonominë, prodhimet bujqësore, shkollimin, shëndetësinë, turizmin e gjithçka që i duhet njeriut!

3- O mik vëllai, jemi fukarenj!

Nga biseda që pata me dy banorë, të cilët kishin mbetur aty, them kishin mbetur, se të tjerët ishin larguar. Këtu banonin 45 familje, më sqaron Ramazani. Tani kemi mbetur vetëm tetë. Rruga na ka ndarë nga bota, por kemi dhe halle të tjera. Toka është e pakët, por s’kemi edhe mjete për ta punuar. Unë me tre vëllezërit kemi tre dynym tokë. Ata që janë larguar e kanë lënë djerrë. Duhet makineri bujqësore. I kemi rënë lapsit dhe punimi i tokës e proceset e tjera që do bima, kushtojnë më tepër se sa vlera e prodhimeve. Mbjellim ca fasule, domate, qepë e diçka tjetër. Toka prodhon dhe patate, misër, por do punuar e ujitur. Ne s’kemi takat, mbasi me krahë s’mundemi. Ka mjaft mollë të egra, gështenja, arra, lajthi, manaferra e bimë mjekësore, por duhen njerëz për t’i mbledhur. Ne kemi mbetur 16 vetë. Kam një lopë e disa pula. Kohët e fundit na është shpifur dhe skilja (dhelpra ) e nga 40 kanë mbetur 5-6, theksoi shoku që e shoqëronte. Kohë më parë e kishim gjetur mënyrën për t’i mbrojtur. Në oborr vinim një magnetofon dhe hapnim me zë të lartë. Ajo kishte frikë e nuk afrohej. Me kalimin e kohës, duket e kuptoi se s’e gjente gjë, na i shfarosi. Unë i besova për këtë gjendje, sepse e pashë me sytë e mi, dhe m’u kujtua një emision televiziv ku një specialist arsyetoi kështu. Një familje në fshat duhet të ketë deri në 5 ha tokë që të sigurojë nga prodhimet mesatarisht 5000 lekë në muaj. “Kjo është gjendja, në daç të na dalin, në daç të mos na dalin ne këto kemi, jemi të varfër byrazer. Unë s’e kuptoj shkollë s’kemi e taksë shkolle paguajmë.

Ku ka pastrim tek ne, e ne paguajmë taksë pastrimi etj. Ca na i kanë venë tek drita e ca tek uji. Për qendër shëndetësore, s’bëhet fjalë. Po u sëmure, keq e kemi! Ne kemi ujë, por Selba me 50 familje, Darshani e Murthi me 20 dhe Shkalla me 25 familje vuajnë dhe për ujë. Edhe nga këto fshatra kemi largime për në qytet.” Këta banorë qaheshin, jo vetëm për varfërinë ku jetonin, por dhe për pa mundësinë se ku mund të shkojnë. Djalin e kam çuar në Babrru, sqaroi Ramazani, se këtu s’ka ç’të bëjë! S’ka shkollë e kjo i ka detyruar 37 familje të largohen. Dy fëmijë shkojnë në fshatin Mojsit, duke ecur më tepër se një orë në këmbë. Shumë na u premtua në fushatë, por asgjë s’është bërë! Le që kush pyet për votat e disa shtëpive të braktisura! Kryetari i Bashkisë, s’na ka ardhur asnjëherë. Atë në një farë mënyre, mund ta quajmë “Kryefamiljar” dhe i takon që jo vetëm një herë në katër vite të pyesë dhe për ne! Nuk është e rregullt që ca t’i shohë “si bij e ca si të njerkës”.

4- Si Qafë Molla ka shumë!

Duke filluar që nga Kapinova e gjer në Dardhë e Qafë – Dardhë, një krahinë nga të shumtat. Në pjesën perëndimore, në prehër të malit të Tomorrit, ndodhen sup më sup 14 fshatra, dikur kishin mbi 1600 familje e 6500 banorë. Tani kanë mbetur shumë pak! Ka dhe më keq. Në një fshat në zonën e Gramshit, i cili quhet Ulova, 20 km larg këtij qyteti, është i banuar vetëm nga 3 familje të cilat shprehen se dikur fshati i tyre kishte mbi 47 familje. Fshatrat e njësisë administrativë Konak në Skrapar, prej vitesh vuajnë braktisjen. “Nuset ikin te burri si në Mesjetë, me kalë, se nuk ka rrugë”. Por ka dhe kështu. Një fshatarë nga Backa më tregonte Sh. Bego ishte larguar e jetonte në Tiranë. Mendonte se do të gjente “Parajsën”. Papunësia, qiraja, dritat, ujë, taksa e detyruan që brenda vitit t’i harxhojë gjithë paratë që kishte marrë. “Mbeta në mes të rrugës. S’kisha rrugë tjetër dhe u ktheva në Backë. Gjeta ca lekë e bleva 35 dele. Iu futa punës. Tani më janë bërë 200. Lodhem, por kush është i zoti e nxjerr paranë nga dheu. Jam i kënaqur se jetoj mirë.” Fshatrat në Shqipëri vazhdojnë të jenë akoma shumë të varfra dhe me pak banorë. Shumica e njerëzve janë dyndur në qytete me shpresën e një jete më të mirë. Në fakt kanë gjetur atje; papunësinë, varfërinë, krimin, pasigurinë dhe shpërfilljen. Të rrënuar psikologjikisht, ekonomikisht, të denigruar moralisht, të pambrojtur e të shpërfillur nga shteti, pa asnjë shpresë për ndryshim me këtë klasë politike, shqiptarët po ikin për të shpëtuar veten dhe fëmijët e tyre! Ish-qytete punëtore e të tjerë, janë katandisur sa një lagje banimi. Familje e individë, po marrin arratinë për të gjetur punë dhe garantuar bukë, siguri, duke lënë pas një tokë të shkretuar! Kjo është gjendja, këto janë fakte. Të tjerat janë lojëra fjalësh…!