Sigal

Lajmi për një shitje të mundshme të Telekom Albania nga Deutsche Telekom zgjoi shume interes dhe polemika. Megjithëse kompanitë e telekomunikacionit mobil në vend kanë qenë gjithmonë në duar të kompanive të huaja, mundësia e shitjes së Telekom Albania tek një kompani Serbe apo Bullgare shkaktoi një paranojë rreth problemit të sigurisë kombëtare duke qenë se kompanitë telefonike përveçse zotërojnë një bazë të dhënash të popullsisë kanë gjithashtu në dorë instrumentet e përgjimit dhe gjurmimit të personit. Duke mos dashur të zgjeroj analizën drejt një fushe që është jashtë ekspertizës time profesionale dhe duke i marrë deri në një masë seriozisht shqetësimet e mësipërme, unë do të ndalesha tek oportuniteti që shfaqet në këtë skenar për të rikthyer një investim strategjik në duart e shqiptarëve apo thënë në terma ekonomik për të mbajtur këtë kapital brenda vendit. Kjo mund të realizohej nëpërmjet një IPO-je pra e thënë më thjeshtë nëpërmjet një shitje të aksioneve në publik, gjë që do të mundësonte edhe një shpërndarje më të madhe të pronësisë dhe do të lejonte shumë investitorë vendas të përfshiheshin në këtë investim. Rikthimet nga ky investim në këtë mënyrë do të siguronin një shpërndarje më të gjerë të pasurisë që padyshim do të ndikonte në rritjen e kërkesës agregate në vend. Gjithashtu mundësia për të investuar në një kompani të madhe të kësaj natyre do të ishte e mirëpritur nga shumë investitorë vendas të cilët në mungesë të ideve dhe mundësive për investime atraktive shkojnë dhe i hedhin kursimet e tyre në investime joproduktive. Për këtë mjafton të shohim ndërtimet që shtohen edhe pse kërkesa për to është në rënie, kafenetë, qendrat tregtare dhe modelet e ngjashme të bizneseve të tipit copy-paste, të cilat dëshmojnë gjithmonë e më shumë konfuzionin e ekonomisë vendase. Shitjet e aksioneve në publik bëhen në bursë, por siç dihet nga të gjithë Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka një treg funksional të kapitalit apo siç njihet nga të gjithë një Bursë. Theksoj funksional pasi në 20 vitet e fundit kemi pasur në fillim Bursën e Tiranës e cila mbas 12 vjetësh aktivitet i mbylli dyert në vitin 2014 pa regjistruar asnjë kompani dhe pa shitur asnjë aksion dhe ndërkohë kemi Bursën e Shqipërisë (ALSE) e cila u licencua në 2017, por për momentin tregton vetëm Bono të thesarit por jo aksione korporative. Një ndër arsyet që bursat në Shqipëri nuk kanë funksionuar është edhe humbja e shansit të kanalizimit të privatizimeve nëpërmjet tyre, mënyrë kjo që rezulton të ketë qenë faktor i suksesit të bursave të Kroacisë, Hungarisë, Polonisë, etj. Nisur nga kjo eksperiencë e suksesshme e këtyre vendeve shoh një oportunitet për të korrigjuar një gabim të së shkuarës që na ka kushtuar dhe do të na kushtojë shtrenjtë nëse nuk e rregullojmë.

Për këtë arsye në këtë rast kërkohet ndërhyrja e shtetit i cili duhet ta kanalizojë këtë transaksion nëpërmjet bursës, por në të njëjtën kohë duke mos lejuar përqendrim të pronësisë në duart e një investitori të vetëm. Për të siguruar këtë qeveria mund të ndërmarrë qasje të ndryshme duke mos përjashtuar edhe përfshirjen e saj në blerjen e një pjese të këtij kapitali. Në këtë mënyrë do të arriheshin dy qëllime njëkohësisht, do të sigurohej kontroll mbi kompaninë për sa i përket rëndësisë së kontrollit mbi influencën dhe sensivitetin e të dhënave që ai administron dhe nga ana tjetër do të krijohej precedenti dhe eksperienca e një tregu funksional i kapitalit që do të mundësonte një alternative të munguar për financim duke ulur në këtë mënyrë dhe pozitat dominuese të sektorit bankar në ekonominë e vendit.