Sigal

Të punosh për shtetin që nuk ekziston! Ky ishte një nga komentet e veçanta që një profesor i nderuar kishte bërë në një nga statuset e gazetarit dhe publicistit vlonjat Ergys Alushi, pas rrëfimit të gazetarit i cili kishte biseduar me një “mik që i do të mirën” duke e këshilluar që të mos ishte kaq kritik ndaj qeverisë së ‘Rilindjes”.Ja statusi i plotë i Ergys Alushit, që mban datën 14 gusht 2018 , i shoqëruar më poshtë me një tjetër shkrim i tij, ku përsëri miqtë e “këshillonin”, plot 3 vjet më parë, më 14 gusht 2015.

“Po ti – më thoshte një njeri me pushtet – do punosh ndonjëherë në shtet?”
Dhe qeshte. Nga ato qeshje që shoqërojnë pyetjet retorike kur je i sigurt me faktin që e di, që unë nuk mund të punoja në shtet. Ishte fjala për “shtetin” e partisë së tij. Ai, ashtu si dhe unë, e dinte që nuk mund të punoja ne “shtetin” e partisë së tij, për shkak të shkrimeve dhe qëndrimeve të mia kritike ndaj “shtetit”. Dhe të mendosh që me njeriun me pushtet, dje në opozitë, kishim qenë bashkë, ai më nxiste të shkruaja kundër “shtetit” të partisë tjetër, duke i përgatitur dhe ndonjë deklaratë për shtyp! Modestisht kisha dhënë kontributin tim në ngjitjen e tij në karrierë. Ashtu si shumë të tjerë që sot janë në poste drejtuese apo në nivele të ndryshme të administratës, që sot e lexojnë statusin tim, janë me mua, por punësimi në “shtetin” e tyre nuk i lejon as për një ‘like’! Sot, ai e përqeshte pamundësinë time për të punuar në shtet, për shkak të “biografisë” time të keqe nga “shteti” i partisë së tij, me të cilën në opozitë kishim qenë bashkë! Unë nuk kam komplekse të punoj në shtet, sepse dua të kontribuoj për mbarëvajtjen e tij, por edhe sepse kam se çfarë të jap, të kontribuoj. Por ai, që në opozitë më nxiste të mos kompromentohesha me “shtetin” e partisë kundërshtare në pushtet, sot, më përqesh moskompromentimin me “shtetin” e partisë së tij në pushtet, duke më kujtuar më “të qeshur” se “Po ti, do punosh ndonjëherë në shtet ?” (nuk ke për të punuar përderisa na kritikon). Duke punuar për librin “Trazuar 2”, me të pathënat e të padukurat e ngjarjeve politike e të ndryshme, të ndodhura në Vlorë gjatë periudhës 2011-2015 !