Engjëll Musai: Sot Republika përballet me anëtarët e Dosjes “184”

508
Sigal

Sot Republika përballet me anëtarët e Dosjes “184”

Gazeta “Telegraf”

Ora 09 e 59 e ditës së sotme Presidenti i Republikës Ilir Meta do të trokasë në derën e kryesisë së Kuvendit për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të Komisionit Hetimor Parlamentar, ngritur nga mazhoranca me qëllim shkarkimin e tij nga detyra. Kreu i Shtetit do te shoqërohet nga këshilltarët e tij më të afërt, Bahri Shaqiri këshilltar për Çështjet e Sigurisë Kombëtare në Presidencë dhe Bledar Dervishaj, këshilltar për Çështjet Ligjore në Presidencë, ndërsa rrugën drejt Kryesisë së Kuvendit do e bëjë në këmbë. Por ajo që do jetë interesante në dëshminë e tij pritet të jetë fakti se Presidenti Meta do të paraqesë disa prova, që sipas Presidencës, përbëjnë shkelje të Kushtetutës nga ana e institucioneve në varësi të qeverisë. Madje disa fakte të këtyre shkeljeve të Kushtetutës nga institucionet shtetërore u theksuan edhe nga OSBE-ODIHR-i në raportin përfundimtar të 30 qershorit. Ministria e Drejtësisë është një nga institucionet që e ka bërë këtë shkelje të Kushtetutës, duke mos botuar në Fletoren Zyrtare datën 13 tetor. Po kështu edhe anëtarët e PS në KQZ që nuk e morën parasysh as anulimin e datës 30 qershor dhe as datën e dytë 13 tetorin, shkelje kushtetuese që e konstatoi edhe Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për 30 qershorin. Raporti i OSBE-ODIHR-it theksoi se kushtetueshmërinë për të gjykuar dekretet e Presidentit të Republikës për procesin zgjedhor e kanë vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila, siç dihet, ka 3 vjet që nuk funksionon. Pra, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese Presidenti i Republikës është i vetmi institucion i mbrojtjes së Rendit Kushtetues. Nuk mundet që Parlamenti të cilësojë shkelje të Kushtetutës dekretin e Presidentit, i cili është ende në fuqi, kur Gjykata Kushtetuese nuk e ka gjykuar. Duket paksa ironike, që Komisionin Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës ta kryesojë Ulsi Manja, deputeti i cili është protagonist në vidiopërgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për blerjen e votave në Dibër në 2016, të publikuara nga “Bild”, për të cilat Prokuroria ka 3 vjet që nuk i ka hetuar. Madje, raporti i OSBE/ODIHR-it për 30 qershorin 2019 thekson se prokuroria nuk ka ndëshkuar krimet zgjedhore. Edhe raporti i Bundestagut gjerman, hetimin e zgjedhjeve të 30 qershorit , vendimmarrjen  antiligjore të  kolegjit  zgjedhor, KQZ dhe dosjen “Ulsi-184” i vendosi si dy kushte shtesë për integrimin e vendit. Presidenti  i Republikës, me vendimin e marrë për anulimin e zgjedhjeve , kreu detyrimin si mbrojtës i   Unitetit  Kombëtar, duke shmangur një tragjedi  të mundshme.