Engjëll Musai: Si e ktheu Rilindja shtetin në OJQ

96

Shqipëria është i vetmi vend në botë pa gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë, Prokuror të Përgjithshëm të Përhershëm, Guvernator me mandate të dyshimtë dhe në kundërshtim me vetë Kushtetutën, me KLSH që i ka përfunduar mandati, me gjysmë Parlament dhe pa opozitën brenda saj, pa këshillin e Lartë gjyqësor, dhe pa gjithçka që i jep ngjyra jetës dhe shtetit të barabartë për të gjithë. Ne zgjedhim drejtuesit e universiteteve por ato i shkarkon firma e një njeriu që është shumë larg novacionit dhe dijes duke harruar apo qëllimisht se shkatërrimi një populli bëhet më shpejt dhe më i sigurt duke i shkatërruar arsimin. Na mungon truri, sepse ai po emigron çdo ditë, na mungon elita intelektuale sepse ata përçmohen fyhen dhe diskriminohen. Dhe ne harrojmë pa këto institucione shteti është një ngrehinë që shumë shpejt do na zërë të gjithëve brenda. E ndërsa hidhja këto rreshta ditën e djeshme si për çudi më shqetësonte fakti që mediat ndërkombëtare prej muajsh por sidomos dje prestigjiozja gjermane zbardhte përgjimet e atyre që kanë për mision të ndërtojnë shtetin dhe jo ta rrënojnë atë, tu shërbejnë qytetarëve dhe jot ë kthehen në rrëmbyes të tyre, ku në krye të kemi sojliun dhe sojsëzët, të kemi udhëheqës dhe jo udhë-dreqësin. Ky vend ka nevojë të distancohet menjëherë nga krimi dhe të bëhet dallimi mes vrasësit dhe viktimës, mes engjëllit dhe djallit, mes të keqit dhe fatkeqit, mes njeriut që premton në fushatë dhe ti lidh besën dhe të pabesit, mes vjedhësit dhe atij që vidhet dhe që në rastin konkret është populli fukara, i cili ka mbetur në mes të udhës nga të paudhët e qeverisë të tepsisë vetëm. Reformat e premtuara nga Rama kanë plagosur shpresën e vogël dhe tashmë që po zbardhen video-përgjimet po vdesë edhe shpresa e madhe duke i detyruar të gjithë të rinj e të moshuar të ikin nga sytë këmbët, pasi ky shtet nuk bëhet më. Shqiptarët ikin sepse të vetmen armë që ka në dorë një popull është vota. Por kur vota e sovranit nuk ka vlerë sepse në fund ato i numërojnë banditët,rruga e vetme është ose të arratisemi ose të protestojmë. Ndaj një shprehje e urtë popullore thotë ‘më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr pa fund. Po vetë gjermanët si u rimëkëmbën dhe janë sot simbol i ligjit dhe lokomotiva e trenit evropian dhe botëror? Në fund të këtyre radhëve modeste do t’u tregoj se si Gjermania i edukon shtetasit e vet me Kushtetutën, barazinë përpara ligjit.

Djepi bosh – shejtani mbledh vota për “rilindjen”

Më mirë djepi bosh se sa shejtani brenda tha para pak kohësh në një deklaratë të tij Kryeministri Rama njëkohësisht edhe kreu i mazhorancës shqiptare. Një deklaratë të tillë nuk do ta bënte asnjë njeri i zakonshëm dhe jo më kreu i qeverisë dhe personi i cili ka marrë përsipër nëpërmjet premtimeve elektorale forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ai i ka pasur të gjitha mundësitë për më shumë se 6 vite që të ngrinte institucione solide ku drejtësia të ishte konsoliduar dhe ligji të ishte gardiani i çdo individi, institucionit dhe mbarë shoqërisë. Por kur dëgjon një deklaratë të tillë ndjen trishtim. Aq më tepër kur këto fjalë dalin nga goja dhe mëndja e personit i cili nuk është votuar në atë detyrë për të bërë deklarata ,por për të dhënë zgjidhje në kohë dhe hapësirën e përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. SHBA-të sot e 88 vite më parë kanë përqafuar deklaratën e Presidentit amerikan Franklin Ruzvelt të 06 janar 1941, i cili shpalosi dhe firmosi deklaratën mbi katër liritë themelore: “Ne shpresojmë të shohim një botë të mbështetur mbi katër liri themelore:

e para – lirinë e fjalës dhe të shprehjes ;

e dyta – të drejtën që kushdo mund të nderojë Zotin sipas dëshirës dhe besimit;

e treta – zhdukjen e varfërisë;

e katërta – çlirimin nga frika.

  • A jemi ne në të njëjtin ritëm ose, të paktën, në ndjekje dhe arritje të këtij rrugëtimi?
  • Ku jemi sot ne shqiptarët me lirinë e fjalës, varfërinë dhe drejtësinë z. Kryeministër?

Ju shkatërruat sistemin e drejtësisë me emërimet skandaloze që bëtë duke i “shitur” postet dhe më tej e përdorët si karrem për t’i marrë paratë krimit të ricikluara me kulla dhe PPP sipas modelit që quhet sistemi (pa)drejtësisë.

Po si ka mundësi që shumica e drejtuesve të prokurorisë dhe gjyqësorit të djeshme të shumëpërfolur nga ndërkombëtarët u pozicionuan politikisht në strukturat e larta qeveritare, parlamentare dhe politike të Rilindjes? Ju sot po na ofroni drejtësinë e modelit tuaj dhe atij “sorosian” duke e kapur dhe shkatërrur qëllimisht Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë për interesat tuaja personale dhe një grupi oligarkësh që një ditë do japin llogari. Demagogjia e politikës suaj me investimet dhe tualetin kur kemi mijëra të papune dhe invalidë rrugëve apo një gjyqësor që nxjerr vendime të ‘pastra’ për deputetë dhe kryebashkiakë të inkriminuar dhe korruptuar, dhe nga ana tjetër njollos ata që nuk iu vijnë për shtat, përbën një turp. Klasa politike që ju sollët me të ashtuquajturën”Rilindje” ka bërë ç’është e mundur për t’u vetë pasuruar, çka ka sjellë si pasojë varfërimin e pandalshëm të pjesës dërrmuese të popullsisë dhe, sidomos, të më shumë se një gjysmë milioni pensionistësh.

  • Ju i fyet, përdhosët dhe mashtruat socialistët e ndershëm. Ju bëtë që 360 mijë persona të largohen vetëm kur në krye të qeverisë jeni Ju. Mbi 400 mijë të tjerë kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane.
  • Ju do mbaheni mend si kryeministri në kohën e të cilit Shqipëria u mbush e tëra me hashash.
  • Ju do të kujtoheni për blerjen e votave, futjen ne fushatën zgjedhore të policisë me thirrjen nga podium elektoral, presionin ndaj votuesve, kodin zgjedhor të njëanshëm, sistemin zgjedhor favorizues, punësimet elektorale dhe klienteliste, deputetet e inkriminuar, drejtorët apo të fortët e fushatave të lidhur me bandat dhe reformën administrative që i kthehu kryebashkiakët si bejlerët e dikurshëm.

Kjo mund të jetë Shqipëria që doni ju, por jo ajo që duan shqiptarët

Ju nuk erdhët në pushtet për të bërë shtet, por për ta kthyer shtetin në OJQ. Ne e shohim përditë kur portalet tuaja kanë zëvendësuar armatën me 115 mijë nëpunësve dhe rrogëtarëve që hanë në kurriz të qytetarëve, pensionistëve dhe atyre që ikin nga sytë-këmbët nëpër botë. Fakti që disa “call-center” zëvendësojnë edhe ministrin është më shumë se një fatkeqësi kombëtare.

Shteti ka tre pushtete dhe një i katërt është ai i medias dhe shtypit të lirë. Por ju i sulmuat mediat qëllimisht me të ashtuquajturin “kazan” dhe ndërtuan superkazanin tuaj.

  • Po VOA-s, çdo t’i bëni?
  • Po Bid-it?
  • Po mediave evropiane perëndimore, austriake, franceze, angleze, holandeze, zvicerane, italiane etj?!
  • Ku ka kryeministër në botë që kur vjen në pushtet ngre televizion privat?
  • Ku ka në botë që bashkëshortja e kreut të qeverisë bëhet anëtare e bordit të bankës më të madhe në vend?

Ju e shkatërruat qëllimisht Gjykatën Kushtetuese, sepse ajo do bllokonte aventurizmin e VKM-ve dhe vendimmarrjes politike. Dhe ju këtë e dini mirë, sepse kur ishit në opozitë depozituat 22 kërkesa në Kushtetuese dhe kjo gjykatë që ju e shani, ju dha të drejtë për 18 raste. Ju nuk e doni Gjykatën e Lartë, sepse bandat do ndëshkohen dhe qytetarët do fitojnë të drejtat apo do iu hapej rruga për t’iu drejtuar pas këtij vendimi gjykatave evropiane.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, asaj të Lartë dhe e opozitës në Parlament, bënë që të humbasë nocioni i shtetit dhe ky i fundit të kthehet në OJQ.

  • A mundet të qëndrojë një tavolinë me tre këmbë në një të vetme?
  • A ka vend në botën demokratike që bënë zgjedhje pa opozitën?

E pra kjo i intereson Ramës për t’u mbajtur mënd, duke na kujtuar diktaturat dhe diktatorët fati i të cilëve ka qenë përjetësisht tragjik. Rama kërkon të gjejë ngushëllim në këto iniciativa në disa pseudo –diplomatë, të cilët i kanë shkelur të gjitha rregullat dhe normat e akreditimit. Sondazhet e prestigjiozes IPR-marketing kanë folur qartë dhe me shifra të sakta. Kësaj i thonë “populli e jep, tellalli diplomatik i Tiranës nuk e shet” . Në hyrje të këtij shkrimi deklarova se ku qëndron fuqia dhe madhështia e Gjermanisë – Shteti gjerman të parën gjë që i mëson fëmijëve në librat e parashkollorit është një histori e lashtë me Mbretin Gjerman. “Kur mbreti udhëtonte në territorin e mbretërisë së tij, njëri nga shërbëtorët e mbretërisë i thotë që t’i marrim mullirin e një mullixhiu, sepse atje ka edhe fushë edhe shumë ujë për karvanin e mbretërisë. Dhe mbreti urdhëroi të bisedonin me mullixhiun dhe t’ia blinin. Por mullixhiu nuk pranoi. Atëherë për të biseduar me mullixhiun shkoi vetë mbreti, por  jo me uniformën mbretërore dhe që mullixhiu të mos e kuptonte se ky ishte vetë mbreti. Ai i thotë mullixhiut, se ne do ta blejmë mullirin me gjithë tokë, dhe po nuk pranove ta shesësh do ta marrim me forcë. Jo i thotë mullixhiu, nuk e merr dot. Përse i thotë mbreti se marr dot? Sepse tokën dhe mullirin tim ma garanton Kushtetuta e Mbretit. Mbreti u habit dhe e pyet mullixhiun: Deri tek ty paska mbërritur kushtetuta e mbretit, o mullixhi? Po i thotë ai. Dhe pas kësaj mbreti vendosi që mulliri bashkë me tokën të mos preken, Sot e kësaj dite ky mulli qëndron si zonë e veçantë për të treguar se Kushtetuta është e SHENJTË”.

Tek ne rilindja u fuqizua financiarisht, dhe pas partisë morën peng shtetin për ta shpërfytyruar dhe degraduar si leckë edhe ndërkombëtarisht, duke e kthyer shtetin në OJQ.

Nga Engjëll Musai, Drejtor i gazetës “Telegraf”