Engjëll Musai: Që 2020-ta të jetë viti i shqiptarëve dhe çështjes kombëtare

557
Sigal

Që 2020-ta, të jetë viti i shqiptarëve dhe çështjes kombëtare

Engjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Të dashur vëllezër dhe motra, nëna, baballarë, gjyshër, nipër dhe mbesa, miq kudo jeni.
Të dashur bashkatdhetarë kudo jetoni dhe punoni.
Te nderuar emigrantë shqiptarë që jeni larguar prej papunësisë, mbijetesës apo për një jete më të mirë për familjet tuaja:

Qoftë ky një vit i bekuar për Ju dhe familjet tuaja të ngushta dhe ato më të gjerë, të shoqërisë, miqve dhe mbarë Kombit!

Qoftë ky një vit plot jetë të lumtur, shëndet dhe begati, por edhe qetësi dhe vëllazërim për një bashkëpunim më të thellë për zgjidhjen e problemeve të vendit me Maturi, Drejtësi dhe Dashuri. Syçelur dhe mendjemprehtë ndaj atyre që nuk na duan ose dëshirojnë të na shohin keq e më keq, të huaj dhe të brendshëm në bashkëpunim me ta.

Mirënjohje pa fund për të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë së sotme dhe atyre që na mbështetën që nga dita e parë e themelimit dhe Pavarësisë Kombëtare.

Mbetemi me shpresën për një vit të mbarë për të gjithë, por në veçanti për familjet e prekura nga tërmetet e muajit maj 2019 në qarkun e Korçës dhe të Shtator -Nëntorit në Shqipërinë e Mesme.

Lutemi për jetët e humbura dhe ato familje që kanë mbetur pa banesa.

Së fundmi, Zoti mos na lëntë pa miq strategjikë, por mbi gjithçka, të jemi të bashkuar si popull, pa dallime fetare, krahinore, ngjyre dhe race. Në të kundërt politikanët antishqiptarë, oligarkët dhe qeveritarët vendas do tallen dhe luajnë teatër me ne si popull. Aktualisht kemi një parlament që nuk funksionon. Kemi një sistem ekzekutiv nga qendra në bazë që “vihet në rresht” nga një “Njësh” dhe jo nga “Shumë”. U trumbetua për Reformën në Drejtësi, u harxhuan miliarda nga taksapaguesit e BE-së dhe SHBA-ve, por baronët e drogës dhe oligarkët janë të paprekshëm. Ligjin e bëjnë “maliqët” kurse vendimet e organeve të drejtësisë janë krejt pa vlerë, sepse nuk ekzekutohen pa urdhër të padrinove të qeverisë. Varfëria është ulur këmbëkryq, të gjithë mendojnë të ikin nga sytë këmbët nëpër botë, sepse ajo që është më e shenjta dhe më e shtrenjta “SHPRESA”, ka humbur. Ndaj apeli për shqiptarët përpara se të shkojmë në fundin e humnerës është: Të bashkohemi për shqiptarizëm, për ndjenjë kombëtare, për investim të vlerave intelektuale dhe të aftësive fizike në interes të çështjes kombëtare, që Shqipëria të zërë meritueshëm vendin që i takon në Evropë dhe më tej!!!

Si gjithmonë, Ju falënderoj nga zemra!