Ëngjëll Musai: Heronjtë e 5 Majit dhe hipokritët e votave

967
Sigal

Heronjtë e 5 Majit dhe hipokritët e votave të qershorit

Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës Telegraf

Nesër është 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Është dita e të rënëve dhe luftëtarëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Është dita, kur bashibozukët dhe pseudo-historianët morën goditjen vdekjeprurëse, pasi teoritë e tyre për ta quajtur luftën e shqiptarëve, kundër nazi-fashizmit, si luftë vëllavrasëse, apo civile me pushtuesin në të gjithë Shqipërinë mori fund. Sot do shohim politikanë që organizojnë takime dhe shpërndajnë tasat e supës, dhe nesër më shumë se kurrë do të shohim politikanë të të gjitha ngjyrave, të flasin të mallëngjyer për heronjtë, madje aq të mallëngjyer, saqë edhe drejtuesit e Komitetit të Familjeve të Dëshmorëve do t’i kenë zili. Do flasi kryeqeveritari i Rilindjes që nderoi me protokoll shtetëror, kryeballistin Mithat Frashëri, por që nuk pranoi ta konsideronte vitin 2019, si vitin e Babait të Flamurit Ismail Qemali dhe të 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Këta politikanë, këtë vit do të flasin, sepse ky është vit elektoral dhe atyre u duhen votat e të majtës tradicionale dhe familjeve të dëshmorve. Po pse kaq “dashuri” për heronjtë e kombit nga politika aktuale, këtë 5 Maj?! Pse e harruan të majtët e rinj – pa mirë të djathtët – e Shqipërisë luftën partizane në tërë këto vite? Përse nuk morën pak shembull nga krenaria e Francës, Anglisë, Amerikës dhe ish-Bashkimit Sovjetik, të cilët jo vetëm që i nderojnë, por edhe ndihen shumë krenarë për gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Me përjashtim të Presidentit Ilir Meta, politikanëve të tjerë u vjen zor dhe turp të vendosin shallin e kuq të partizanëve që e ngjyrosën me gjakun e dëshmorëve, bijtë dhe bijat më të mirë të këtij Kombi. Kemi vite që nuk kemi parë politikanë pranë Varrezave të Dëshmorëve dhe kaq shumë kurora e karafila që të vendosen pranë “Nënës Shqipëri”, sa do të shikojmë këtë vit zgjedhjesh. Madje, sot do ketë edhe një drekë për veteranët në Pallatin e Brigadave, pikërisht aty ku qeveria aktuale zhvilloi ceremoninë e dasmës së pinjollit të Ahmet Zogut të vetëquajtur “Princ”. Po sa të sinqertë janë këta politikanë me veten dhe të rënët e kombit? Vërtetë i duan kaq shumë ata, apo duan votat e pasardhësve të tyre?! Le t’i marrim me kujdes ngjarjet dhe zhvillimet në këto 27 vitet e fundit. Në vitin 1992, bashkë me të zhvarrosurit e krimeve komuniste, për balancim u zhvarrosën nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe ato të rretheve, edhe luftëtarët që u ekzekutuan nga Hitleri. Dhe fatkeqësisht, të dyja palët politike heshtën, dhe sot e kësaj dite nuk kanë kërkuar ndjesë për këto akte makabre apo të zhbëjnë atë që bëri PD në 1992-in. Dhe masakra ndaj atyre, që na renditën në pjesën e fitimtarëve dhe që na lanë ballëlartë në Evropë, vazhdoi pa ndërprerje. Pasardhësit e kolaboracionistëve,- bëhet fjalë për ballistët dhe zogistët – i prishën, shkatërruan dhe hodhën në erë me tritol lapidarët e heronjve. Dhe kjo, që të harrohej jo thjeshtë lufta partizane, por të harroheshin kriminelët dhe bashkëpunëtorët e Duçes dhe Hitlerit. Dhe duke u harruar dhe fshehur këta të fundit do të merrnin pronat, të cilat Ligji i Luftës dhe Marrëveshja e Atlantikut (Rusvelt-Stalin-Çurçill) ua ndaloi dhe i quajti të konfiskuara, për shkak të tradhtisë kombëtare dhe bashkëpunimit me nazistët. Por sikur të mos mjaftonte kjo e të djathtëve, të majtët e pushtetit lokal dhe sidomos në Tiranë (ish-kryebashkiaku Edi Rama) prishi të gjitha shtëpitë muzeale dhe bazat historike të luftës. Në vend të tyre u ndërtuan pallate shumëkatëshe, megjithëse ligji për veprat muzeale dhe historike e pengonte një gjë të tillë. Me gjithë këto prapësi, “Baballarët e Kombit” do të venë nesër paturpësisht dhe do të vendosin kurora tek martirët e luftës pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Është turp, për të gjithë ata faqezinj, që me veprimet apo heshtjen e tyre, i përdhosën heronjtë, dhe sot duan vota dhe tregohen “patriotë”. Hipokrizia me Dëshmorët e Kombit duket pikërisht në faktin, ku bulevardit kryesor me emrin “Dëshmorët e Kombit” i hiqet një pjesë e emrit dhe i vendoset emri i tradhëtarit Ahmet Zogu, njeriu që më 7 Prill 1939, iku si frikacak për të shpëtuar lëkurën e tij, me valixhet me florinj me vete. E pra, të barazosh Ahmet Zogun me Dëshmorët e Kombit është turp dhe marrëzi. Të gjithë e kemi parasysh 17 Nëntorin e 2013, kur Tirana kishte ditën e Çlirimit. Pikërisht në atë ditë, Qeveria vendosi të sjellë eshtrat e tradhëtarit Ahmet Zogu në Tiranë, ndërsa e Majta me Ramën në krye ikën për takime me mësuesit në fshatrat e Korçës, pikërisht në rrugën që ndoqi edhe vetë Ahmeti kur e la Shqipërinë në mëshirë të këmishëzinjve të Duçes. Është e pafalshme, që të gjithë kolaboracionistët u rehabilituan nga i njëjti person që sot do të kërkojë votat e së majtës. Është e patolerueshme që Komiteti i Veteranëve të LANÇ, justifikohet me disa letra që i ka dërguar kreut të qeverisë dhe nga ana tjetër i premtojnë votat?! Pse nuk flitet, dhe pse nuk kujtohen për Heroin e Popullit Avni Rustemi, i cili para pak ditësh kishte përvjetorin e lindjes? Apo se ekzekutoi dajën e Ahmet Zogut dhe spiunit të Serbëve. Pse nuk i rikthyet “5 Heronjtë e Vigut” në shtëpinë e tyre? Pse i keni katandisur ushtarakët si mos më keq, pa status dhe me pensione qesharake? Po SHQUP-in që e premtuat pse e harruat, apo se ua dhatë vetë lejen e ndërtimit përballë ish-PD-së dhe bëtë marrëveshjen e turpit. Si mund t’i ngrihet monument Ahmet Zogut, të cilit vetë Hitleri i fali si peshqesh për dasëm një “Mercedez” në shenjë miqësie? Ju hapët qëllimisht një debat me rehabilitimin e Mithat Frashërit z. Rama. Dhe e bëtë që njerëzit të harronin hallet e përditshme dhe varfërinë, ndërkohë që rifutët në sherr shqiptarët dhe përdhosët gjakun e heronjve. Po milionat kush ua dha pinjollëve të fashizmit që përdhosën gjithë Komandantët dhe dëshmorët e LANÇ, duke i quajtur kriminelë? Sa turp, jo për Ju, por për ata që kanë për detyrë të mos bëjnë kompromis me amanetin e heronjve të luftës dhe të punës. Po e mbyll me një një postulat të njërit nga fitimtarët e Luftës së Dytë Botrore Winston Curcill, e cila do të mbetet e pavdekshme, që thotë se “Historia shkruhet nga fitimtarët”