Engjëll Musai: Bulevardit të Tiranës i rikthehen Dëshmorët e Kombit

931
Sigal

Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”

Lufta Nacional-Çlirimtare do të mbetet padyshim një nga ngjarjet më të lavdishme në historinë e popullit shqiptar, e cila u kurorëzua me fitore, në 29 Nëntor 1944. Kjo Luftë ishte një luftë çlirimtare, e cila filloi që në 7 Prill 1939, ditën kur ushtria e Musolinit zbarkoi në territorin shqiptar dhe u kurorëzua me fitoren e lavdishme të koalicionit të madh antifashist ku bënin pjesë; ish-Bashkimi Sovjetik, SHBA, Anglia, Franca dhe vendet e tjera me rezistencën e tyre. Por ajo që është ndoshta më e rëndësishmja ka të bëjë me faktin, që Shqipëria ishte i vetmi vend që u çlirua tërësisht nga bijtë dhe bijat e këtij populli dhe pa ndihmën e forcave të huaja. Madje partizanët shqiptarë luftuan edhe për çlirimin e vëllezërve kosovarë dhe brigadat e tij partizane luftuan deri në Vishegrad. Kjo luftë nuk ishte luftë për pushtet, as për partitë e kohës. Kjo luftë ishte një luftë Çlirimtare, pa dallim feje, krahine dhe ideje. Ishte një luftë që bashkojë gjithë shqiptarët, nëna dhe baballarë, të moshuar dhe fëmijë të cilët u organizuan në forumet e tyre me qëllimin final çlirim e vendit nga bishat nazi-fashiste dhe kolaboracionistët që iu bashkuan pushtuesve, duke krijuar qeveritë kuislinge. Ndaj dhe LANÇ meriton të qëndrojë në majën e piedestalit pasi çlirimi i vendit dhe fitorja erdhi jo si dhuratë, por ajo u nënshkrua me gjakun dhe sakrificat e bijve dhe bijave më të mirë të këtij vendi. Kjo Luftë u udhëhoq nga PKSH dhe Shtabi i Përgjithshëm i LANÇ, rreth të cilit u ofruan të gjithë shqiptarët . Rreth 28 mijë bij dhe bija u vranë, u gjymtuan, u plagosën, u burgosën, u internuan, u masakruan, por ata dhe familjet e tyre nuk u trembën nga reprezaljet, pasi për ta Liria e vendit ishte e pa negociueshme. Ndaj dhe në këtë 75-vjetor të Çlirimit të Atdheut ata që derdhën gjakun, heronjtë e luftë partizane nderohen njëlloj si dëshmorët amerikanë, sovjetikë, anglezë, francezë dhe të tjerë partizanë që luftuan për vendet e tyre kundër bishës hitleriane dhe këmishzinjëve të Duçes. Kushdo që mundohet të hedhë baltë mbi heronjtë është i dështuar. Cilido që kërkon dhe tenton të mbulojë gjurmët e kriminelëve të Luftës, bashkëpunëtorëve të nazi-fashizmit do të mbajë mbi supe turpin që po mbajnë dhe do të mbajnë paraardhësit e tyre. Ndaj dhe shteti duhet të ndëshkojë cilindo pinjoll të fashizmit dhe nazizmit që mbron krimet e Hitlerit. Gjermania, sot dhe kësaj dite po çon para drejtësisë nazistët e fshehur nëpër botë, edhe pse janë në moshë tepër madhore. Këtë gjë duhet të bëjë edhe drejtësia shqiptare dhe jo të ngrejë në monumente për fashistët, ballistët, zogistët dhe të gjithë bashkëpunëtorët e Hitlerit dhe Musolinit. Dekorimi i turpshëm dhe ceremonia shtetërore për kryeballistin, ministrin e qeverisë fashiste dhe simbolin e mbështetjes së regjencës, është një tradhti për heronjtë, gjakun e bijve të popullit, pasardhësve të familjeve të dëshmorëve dhe të gjithë shqiptarëve të ndershëm që, pavarësisht bindjeve të sotme politike, nderojnë dhe respektojnë LANÇ. Bustet e tradhtarit Ahmet Zogu dhe kryeballistit Mit’hat Frashëri janë “thika” pas shpine që Edi Rama për qëllimet e tij personale dhe karrieriste u bën pasardhësve të dëshmorëve dhe partisë së vërtetë Socialiste, të uzurpuar nga “kolaboracionistët e rinj” me emrin ‘Rilindje’. Të mbrosh gjakun e heronjve të vendit tënd, të nderosh nënat, baballarët, të cilëve nuk iu është tharë ende loti nga sytë është detyrim për të gjithë, por në veçanti për “ballisto-zogisti” e “Rilindjes” dhe Edi Ramën. Ndaj është koha t’u tregohet vendi cilitdo që kërkon të hedhë poshtë luftëtarët e lirisë, për të fshehur gjurmët e krimit kolaboracionist. Tashmë “rilindasve“ dhe Ramës nuk i ka ngelur gjë tjetër veçse të dëmshpërblejë tradhtarët e kombit dhe t’u ngrejë një monument nazistëve të Hitlerit dhe fashistëve të Duçes. Sipas kësaj logjike, burrat, djemtë dhe vajzat më të poshtër paskan qenë dëshmorët dhe partizanët që luftuan dhe dhanë jetën në lulen e rinisë?! Koha në të cilën po jetojmë kërkon qetësi, mençuri dhe fisnikëri. Në 29 Nëntor do të festohet me madhështi 75-vjetori i Çlirimit të Atdheut dhe do të nderohen “Heronjtë e Popullit” me karafila të kuq që u vaditën me gjakun e trimave partizanë. Do kujtohen luftëtarët, partizanët dhe të gjitha familjet e dëshmorëve që nderuan Shqipërinë. Por kjo ditë duhet të jetë edhe një apel për paqe dhe bashkim mes shqiptarëve, për të qenë një Komb vital brenda trojeve që historia na i copëtoi padrejtësisht. Duhet të mos harrojmë heronjtë dhe trimat por duhet të bashkohemi sipas idealit të tyre pa dallime partiake, fetare dhe krahinore. Shqipëria është masakruar nga serbët, grekët dhe pushtuesit, por liderët tanë takohen e përqafohen. Ndërsa ne, shqiptarët me njëri tjetrin, ende nuk po bashkohemi për t’ia lënë historinë, ta bëjnë me dinjitet dhe realizëm historianët dhe akademikët. Shqipëria mbi të gjitha dhe mbi gjithçka! Lavdi heronjve dhe dëshmorëve të Kombit në shekuj!