E vërteta e pastrimit të parave në Shqipëri

1016
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Naim MËÇALLA

Lektor i së Drejtës Penale (Pjesa e Posaçme) Kolegji Universitar “Wisdom”

Lidhja e trefishtë e krimit të organizuar dhe korrupsionit me pastrimit të parave

Pastrimi i parave është element i domosdoshëm i ekzistencës së krimit të organizuar dhe korrupsionit, është jetik për të gjithë llojet e krimeve që kanë si qëllim përfitimin material, pra, për krimin e organizuar dhe veçanërisht për korrupsionin. Krimi i organizuar nëpërmjet pastrimit të parave dhe korrupsionit mund të shtie në dorë institucione bankare dhe atëherë rreziku për ekonominë është shumë i madh. Sistemi ekonomiko – financiar mund të bjerë në duart e grupimeve kriminale. Nga ky këndvështrim, qëllimi i këtij shkrimi është të analizojmë lidhjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit me pastrimin e parave dhe format e mënyrat e ndryshme të kësaj lidhjeje. Paraja për krimin e organizuar dhe korrupsionin është jetësore për vetë ekzistencën e tyre. Për realizimin e fitimeve të tjera nga krimi është e domosdoshme paraja, që nevojitet për shpenzimet e aktivitetit kriminal, për të korruptuar zyrtarët e ndryshëm, për t’i shpëtuar ndjekjes, etj. Për të qarkulluar paratë e akumuluara nga krimi, kriminelët duhet t’i paraqesin ato si të ligjshme. Momenti i kalimit të produkteve të krimit në dorë të personave, përbën inkriminimin e tyre. Kjo përbën provën ligjore për t’i akuzuar për veprën penale të pastrimit të produkteve të krimit. Për t’u shmangur nga inkriminimi, autorët e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të fshehin, maskojnë burimin dhe pronësinë e parave. Kështu do të sigurohen, se paratë e paligjshme nuk do të shërbejnë si provë për t’i ndjekur penalisht. Fitimi i nxjerrë nga krimi, konfiskohet, prandaj autorët e veprave penale për të ruajtur të ardhurat e nxjerra nga aktivitetet e tyre kriminale kërkojnë të maskojnë apo tjetërsojnë pasuritë, duke i regjistruar në emër të të afërmeve, apo dhe në emra anonim, ose duhet t’i bëjnë ato që të duken si të ligjshme. Për realizimin e këtyre synimeve kriminale është e domosdoshme legjitimiteti apo legalizimi i këtyre pasurive me prejardhje të paligjshme. Këto kapitale që futen në ekonomi, të cilat edhe mund të “kontribuojnë” për një moment të caktuar, janë produkt i krimit dhe se ato do të jenë në radhë të parë në shërbim të qëllimeve të atyre që i zotërojnë dhe që përfaqësojnë interesat e krimit e jo në shërbim të ekonomisë kombëtare. Ata e shfrytëzojnë atë për të bërë pastrimin e kapitaleve të tyre kriminale dhe për të vënë në kontroll të plotë ekonominë kombëtare dhe atë ndërkombëtare në të ardhmen. “Pastrimi i parave me prejardhje kriminale, për krimin, përveç të tjerave, ka për qëllim jo vetëm që me këto mjete monetare të përballojë shpenzimet e aktivitetit kriminal, por edhe të zgjerojë kapitalin legal dhe ilegal të biznesit të ngritur prej tij”.

Përse pastrimi i parave është i domosdoshëm për krimin e organizuar dhe korrupsionit?

Pastrimi i parave është domosdoshmëri për krimin e organizuar dhe korrupsionit dhe njëkohësisht pasojë e tij. Paratë e fituara nga veprimtaritë kriminale nuk mund të qarkullojnë në transaksionet legale të tregut të biznesit dhe në veprimtarinë e bankave dhe bursave. Prandaj, grupet kriminale dhe individët tentojnë me të gjitha mjetet e mënyrat që ato para “të pista” t’i shndërrojnë në para “të pastra”. Në thelb, veprimtaria e pastrimit të parave është një veprimtari antiligjore, e paramenduar dhe e organizuar mirë, me të gjitha tiparet e krimit të organizuar, është element i domosdoshëm i ekzistencës së krimit të organizuar. Krimi i organizuar mund të fusë në dorë institucione bankare dhe në këto raste rreziku për ekonominë është edhe më i madh. Ky është edhe qëllimi i krimit të organizuar, të kapë firmat e fuqishme ekonomike. Sistemi ekonomik e financiar mund të bjerë në duart e grupimeve kriminale. Për organizatat kriminale, si dhe për individë të veçantë, i vetmi sistem i vlefshëm për pastrimin e fitimeve të paligjshme dhe për investimin e tyre në aktivitete ligjore është infiltrimi i tyre në sistemin bankar.  Investimet në ekonominë legale nga organizatat kriminale shërbejnë si për të kamufluar veprimtarinë e ngritur dhe të ardhurat kriminale, ashtu edhe për të rifutur në qarkullim pa asnjë rrezik paratë apo pasuritë e pastruara. Kjo për faktin, se paratë që duhen për të përballuar kapitalin e paluajtshëm legal dhe investimet në biznesin apo ekonominë legale, duhet të jenë tërësisht legale. Krimi i organizuar është i detyruar të aplikojë këtë skemë për shkakun e funksionimit të një sistemi mbrojtës me rregulla dhe norma ligjore e financiare strikte si dhe kontrolleve rigoroze që ushtrohen në ekonominë botërore të tregut për të shmangur rreziqet që i vijnë çdo ekonomie nga pastrimi i këtyre parave. Këto shërbime e kontrolle kërkojnë detyrimisht e në mënyrë të rreptë e të vazhdueshme njohjen e burimeve investuese dhe verifikimin përkatës të tyre. Në rrafshin kriminologjik, legalizimi i mjeteve monetare dhe pasurive të fituara në rrugë joligjore vlerësohet si etapa kulmore e operacioneve kriminale të krimit te organizuar për faktin se me të përfundon etapa finale e veprimtarisë kriminale, me të cilën kurorëzohen përpjekjet dhe veprimet e bëra dhe merren rezultatet e synuara. Krimi i organizuar i kushton vëmendje të veçantë kësaj veprimtarie e cila zhvillohet me një konspiracion të plotë. Kjo është arsyeja që gjurmimi  i  veprimtarisë  kriminale  për legalizimin e mjeteve monetare dhe pasurive të fituara në rrugë kriminale është sa i vështirë, aq edhe i ndërlikuar. Ai kërkon dije jo vetëm të artit të gjurmimit por, për specifikën që paraqet ky lloj kriminaliteti, kërkon edhe njohje të disiplinave të  shkencës së ekonomisë dhe instituteve të veçanta të saj.

Ku qëndron lidhja e dyfishtë e korrupsionit me pastrimin e parave

Korrupsioni është një ndër faktorët destabilizues dhe më të rrezikshëm për shtetin në përgjithësi dhe për ekonominë e sigurinë në veçanti. Në të gjitha rastet e korrupsionit janë prezentë disa elementë të përbashkët, si: dhunimi i ligjit, i rregullit apo i normave etike, dëmtimi i interesave publike, etj. Ai realizohet aty ku interesat publike priten me interesat e individëve, gjithmonë në favor të këtyre të fundit. “Korrupsioni është shpërdorimi i pushtetit të marrë me delegim për qëllime private”. Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë janë bërë përcaktime ligjore të plota për korrupsionin, në Nenet 244, 245, 259, 260, në përputhje me Konventat Ndërkombëtare.

Cilët janë disa faktorë që favorizojnë korrupsionin?

Në shoqërinë shqiptare ndeshemi me dukuri të ndryshme dhe të shumta, si:  varfëria, papunësia, vështirësi sociale, reformat, globalizimi dhe shumë rrjedha të tjera të pashmangshme, të cilat mbartin edhe elementë negativë që dëmtojnë progresin.

  • Burokracia tradicionale dhe mos funksionimi i ligjit,
  • autoriteti i gjerë,
  • përgjegjshmëria e ulët institucionale dhe mungesa e transparencës,
  • të ardhurat e pakta dhe gjendja e rëndë ekonomike e sociale,
  • papunësia në masë të madhe, etj. shërbejnë si shtrat i ngrohtë për rritjen e kriminalitetit dhe të korrupsionit në veçanti.

Korrupsioni mbërthen ato veprimtari të bazuara në hapësira ligjore, përfaqëson posedimin e paligjshëm të pasurisë, kryerjen e çdo pune nëpërmjet parave, shfrytëzimin e funksionit për realizimin e  favoreve të paligjshme. Prania e korrupsionit pengon investimet e brendshme dhe të jashtme, pasi ka paqartësi dhe pasiguri në ambientet e biznesit. Ai rrit koston efektive të investimeve, ai vepron në destabilizimin e sigurisë në radhë të parë nëpërmjet humbjes së besimit publik ndaj shtetit, duke rrezikuar stabilitetin politik. Zhvillimi i përgjithshëm i një vendi, së pari varet nga siguria dhe më pas vazhdojnë sfidat e tjera. Korrupsioni ul rritjen ekonomike të vendit pasi investimet janë në nivel minimal dhe rritja e GDP-së është relativisht më e ulët. Korrupsioni dobëson sistemin financiar, pasi ai forcon ekonominë informale dhe lehtëson pastrimin e parave. Krimi i organizuar gjeneron shuma të mëdha parash, nga ana tjetër korrupsioni dhe skemat e pastrimit të parave nxisin krimin e organizuar, duke “legjitimuar” paratë e pista. Individi ose grupet e përfshirë në aktivitete kriminale duhet të gjejnë mënyra për kontrollin e fondeve pa tërhequr vëmendjen për aktivitetin themelor ose personat e përfshirë. “Kriminelët e bëjnë këtë duke maskuar burimet, duke ndryshuar forma, ose duke lëvizur fondet në një vend ku ata tërheqin më pak vëmendjen”. Interesat e krimit të organizuar dhe korrupsionit janë drejtuar para së gjithash në sferën ekonomike duke i krijuar mjedise të favorshme zhvillimeve të aktivitetit kriminal, nga i cili përfitojnë dhe pasurohen shpejt jo vetëm organizatat e krimit të organizuar, por edhe sipërmarrës apo zyrtarë të korruptuar, të cilat përbëjnë edhe pikën e kontaktit të veprave penale të korrupsionit me atë të pastrimit të parave. Problemet që krijohen nga lidhjet e trefishta të krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave kanë një ndikim shkatërrues mbi ekonominë e sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Banka Botërore dhe FMN e konsiderojnë korrupsionin si pengesën më të madhe për të nxjerrë miliona njerëz nga varfëria. Ato janë në bashkëjetesë të vazhdueshme, jo vetëm se kanë tendencë të ndodhin njëkohësisht, por më e rëndësishme është fakti se prania e njërit krim promovon kryerjen e krimit tjetër. Ryshfeti ka një ndikim të madh në institucionet financiare, duke lehtësuar pastrimin e parave të fituara nëpërmjet korrupsionit. “Aktivitetet e pastrimit të parave mund të korruptojnë pjesë të sistemit financiar dhe të minojnë administrimin e bankave, pasi drejtuesit e tyre janë korruptuar nga shumat e mëdha të parave të përfshira në procesin e pastrimit, si edhe mbikëqyrësit bankarë mund të jenë të korruptuar apo të frikësuar dhe si rezultat do të zvogëlojnë efikasitetin e supervizionit”. Korrupsioni lehtëson pastrimin e parave, ashtu sikurse edhe pastrimi i parave gjeneron korrupsionin.

 

Cilat janë mundësitw e pastrimit të parave në Shqipëri?

 

Kalimi i shpejtë në ekonominë e tregut nga një ekonomi e planifikuar, provokoi edhe në Shqipëri, si edhe në vendet e ish sistemit socialist, dukuri të tilla si: privatizime të menjëhershme, shembje të sistemit të prodhimit, rritje të varfërisë, shtim të korrupsionit, që krijuan situatë të përshtatshme për krimin ekonomik, ku thelbi është pastrimi i parave. Qëllimi i subjektit të krimit në pastrimin e parave është të krijojë veprimtari ekonomike ku të maskohet transferimi i kapitaleve. Pastrimi i parave që të ekzistojë si një krim ekonomik, kërkon veprimin në ekonomi. Transaksionet e përdorura për pastrimin e parave janë bërë gjithnjë e më komplekse, shpesh duke përfshirë institucione të shumta dhe të ndryshme financiare nga shumë vende, si zyrë këmbimi, agjenci sigurimi, agjenci shërbimi, agjentët, tregtarët, etj. Gjithashtu, përdorimi i bizneseve të ndryshme dhe tregjeve për pastrimin e parave është në rritje, duke përfshirë jo vetëm institucionet e paligjshme, kompanitë guaska të krijuara si instrumente të pastrimit, por edhe kompanitë e ligjshme, ku fondet e paligjshme janë integruar me fonde të ligjshme. Shqipëria nuk konsiderohet një “parajsë financiare”, por ajo mbetet në rrezik të vazhdueshëm për pastrimin e parave. Burimet kryesore të të ardhurave kriminale në vend janë vepra penale të trafikimit dhe korrupsionit zyrtar. Korrupsioni dhe krimi i organizuar përbëjnë burimet më të rëndësishme të pastrimit të parave, por niveli i saktë në të cilin këto aktivitete të ndryshme ilegale kontribuojnë në të ardhurat e përgjithshme të krimit dhe pastrimit të parave është i panjohur. Kriminelët shpesh investojnë paratë në pasuri të patundshme dhe në zhvillimin e biznesit. Shqipëria ka një histori të krimit të organizuar me rrjete të organizuara në baza klanore dhe hierarkie. Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si një bazë e operacioneve për kryerjen e aktiviteteve kriminale në vende të tjera dhe shpesh kthehen fitimet e tyre të paligjshme në Shqipëri. Të ardhurat nga këto aktivitete mund të pastrohen lehtësisht në Shqipëri për shkak se ajo është ende një ekonomi cash dhe flukset e parave nga jashtë në formën e remitancave janë të zakonshme. Sipas Bankës së Shqipërisë rreth 20℅ e parave në qarkullim është jashtë sistemit bankar. Pavarësisht zgjerimit të sektorit bankar, një pjesë e rëndësishme e remitancave, rreth gjysma e dërgesave, hyn në vend nëpërmjet kanaleve jozyrtare. Vlerësohet se në vitin 2009 remitancat përbënin rreth 9% të produktit të brendshëm bruto të Shqipërisë (PBB). Në mënyrë të ngjashme Qeveria e Shqipërisë vlerëson, se të ardhurat nga sektori informal llogaritet rreth 30 – 50% të GDP e Shqipërisë. Ekonomia informale e bazuar tek paratë CASH lehtëson pastrimin e parave dhe gjenerimin e të ardhurave të krimit.  Mundësitë për të pastruar para në Shqipëri janë të mëdha edhe për shkak se ekonomia e vendit është informale dhe e bazuar në transaksionet CASH. Lehtësira më të mëdha për pastrimin e parave paraqiten më së shumti në agjencitë imobilare, kazinotë dhe sipërmarrjet private. Gjithashtu pastrimi i parave bëhet edhe në transportimin e parave CASH jashtë vendit, ku është i përfshirë edhe sistemi financiar i vendit. Pavarësisht, se në Shqipëri ka institucione dhe janë të licencuara aktivitete financiare, ende tregu i këmbimeve mbetet informal. Kambistët janë një mundësi e pastër për pastrimin e parave. Gjithashtu aktiviteti i kazinove është një nga kanalet themelore ku pastrohen paratë në Shqipëri dhe organizatat kriminale janë të përfshira në biznesin e lojërave të fatit. Është bërë një punë e madhe në digjitalizimin e pikave kufitare dhe sidomos porteve, por fenomeni i transportit të parave CASH nëpër këto pika mbetet i lartë duke kaluar normat e lejuara të parashikuara në ligj. Në Shqipëri pastrimi i parave bëhet në shumë linja, autoritetet janë mbërthyer vetëm pas sistemit bankar, por duhen  rritur vëzhgimet dhe kontrolli edhe në sektorët të tjerë të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni, si noterët, gjyqtarët, avokatë, dhe ndaj personave ndryshëm, si  zyrtarë apo ish zyrtarë  të cilët fshehin origjinën e parave kriminale.