Dr. Vili Minarolli: Ardhja e Frontex nuk i jep ndonjë vlerë të shtuar qeverisë, por tregon mungesën e besimit tek organet ligjzbatuese

681
Sigal

Pse tani kufijtë e Republikës së Shqipërisë u vunë nën kontrollin e policisë speciale të BE, Frontex?

Dr.Vili Minarolli

Krerët më të lartë të qeverisë shqiptare dhe drejtues të lartë të Komisionit Evropian, në një ceremoni zyrtare njoftuan se tashmë kufijtë e vendit tonë do të monitorohen dhe kontrollohen nga 50 policë të Frontex-it. Kjo strukturë policore ka mandat për të vepruar në kufijtë e vendeve anëtare të BE. Mjetet e propagandës pranë qeverisë e njoftuan si një “sihariq” dhe “kujdes” i BE për Shqipërinë në kuadrin e dhënies të statusit të Kandidatit për në BE. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy shtete që presin të marrin statusin e vendit kandidat në BE dhe në të tilla kushte kundrejt të dy vendeve duhej të zbatohej i njëjti standard. Aq më tepër se një veprim e tillë nuk është marrë më parë në ato vende që kanë qenë në këtë fazë të integrimit siç jemi ne, ose në prag të anëtarëmit në BE.

Pra është e dukshëm që ky standard i BE-së është një precedent që zbatohet për herë të parë në vendin tonë dhe s’ka të bëjë me atë eufori që prezantoi qeveria shqiptare në ceremoninë e rastit të para disa ditëve. Shqipëria në vitin 2010 fitoi të drejtën e lëvizjes të lirë të qytetarë të saj në vendet e ‘Shengenit’. Kjo ishte një fitore mjaft e rëndësishme për qytetarët shqiptarë dhe një meritë e qeverisë të asaj kohe që arriti të plotësojë kërkesat që të hapej drita jeshile. Shqiptarët nuk dyndën vendet e Evropës ku tani mund të shkonin lirshëm pa viza, siç u pretendua nga ata që nuk i gëzoi kjo arritje, përkundrazi në dy tre vitet e para të lëvizjes pa viza ishte i papërfillshëm numri i atyre që nuk e zbatuan rregullin e qëndrimit tre muaj në një vend të BE-së. Por në Shqipëri në këto vite të fundit mori zhvillim të paparë trafiku i drogës që vinte nga Amerika Latine dhe Azia dhe mbushte tregjet ilegale të vendeve të BE. Shqipëria u bë vendi i sigurtë për strehimin e kriminelëve të dënuar nga gjykatat evropiane dhe më tej dhe policia shqiptare, e urdhëruar nga lart, i fshihte njoftimin e Evropolit dhe Interpolit për kriminelë në kërkim e pse jo edhe për pjesëtarë të rrezikshëm të grupeve kriminale apo edhe terroristë. Në tre katër vitet e fundit toka bujqësore në Shqipëri u gjelbërua nga prodhimi i Kanabis Sativa duke e shndërruar vendin në atë që me të drejtë u quajt “Kolumbia e Evropës”. Në Shqipëri janë futur sasi të mëdha kokaine dhe kanë qenë strukturat ligj zbatuese te vendeve evropian dhe më tej që kanë arritur të zbulojnë një sasi të vogël të saj, ndërsa pjesa tjetër, nga ana e krimit të organizuar, ka mbushur tregun ilegal evropian. Në Shqipëri janë zbuluar po nga shërbimet e huaja laboratorë të drogës dhe fakti që autorët e tyre janë dënuar nga gjykatat shqiptare më lehtë se ata që për shkak të varfërisë nuk kanë paguar faturën e dritave, flet qartë se kush e drejton këtë dukuri negative. Kjo tregti e paligjshme është tërësisht e njohur nga qytetarët shqiptarë, nga strukturat ligj zbatuese shqiptare dhe ato shtetërore por nuk ka mundur të parandalohet, jo sepse këto struktura janë të paafta, jo vetëm se ka munguar vullneti politik dhe detyrimi ligjor për ta parandaluar, por siç është provuar tashmë këto struktura kanë qenë të angazhuara dhe në mbrojtje të prodhuesve dhe trafikimit të drogës dhe krimit, duke përfituar beneficet që i siguronte kjo veprimtari.

Në Shqipëri shteti dhe krimi i organizuar janë bërë njësh. Nuk është e rastit që kjo veprimtari antiligjore ka qenë e drejtuar nga anëtarë të qeverisë dhe më kryesorët nga ata që e kishin për detyrë funksionale parandalimin dhe goditjen e saj, siç është rasti i dy ish-ministrave të brendshëm apo i drejtuesve më të lartë të policisë të shtetit, disa prej të cilëve i janë shmangur përballjes me drejtësinë.

Ardhja e strukturës të Frontex-it nuk i jep ndonjë vlerë të shtuar qeverisë shqiptare, por tregon mungesën e besimit tek shteti dhe organet e tij ligj zbatuese. Sot tek ne një forcë policore evropiane ka nxjerrë në hije strukturat e policisë për ruajtjen e kufijve te vendit dhe ato të kontrollit doganor për trafikimin e paligjshëm të drogave dhe të klandestinëve me anë të cilave krimi i organizuar dhe së bashku me të edhe politika ka siguruar burime të mëdha financiare, me anë të cilave i pari është përhapur gjerësisht në Evropë dhe në vend ka krijuar shtresën e oligarkëve ndërsa e dyta ka mundur të realizojë privatizimin e shtetit nga shteti duke krijuar një shtet oligarikik dhe jo demokratik. Në qoftë se në këtë moment BE i bëri këtë lëshim , jo qeverisë shqiptare por popullit shqiptar, për të mos anuluar vendimin e liberalizimit të vizave për ne, kam frikë se nuk do jetë e largët ajo ditë që edhe kjo të ndodhë.

Dhe së fundi i dashur lexues, ndoshta më ndihmoni të mund t’i jap përgjigje një pyetje, edhe pse njohuritë e mija në këtë fushë nuk janë të pakta:

E gjitha kjo veprimtari kriminale, në këtë simbiozë të krimit të organizuar dhe pushtetit nuk ka qenë as e fshehtë dhe as e panjohur për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri sepse është zhvilluar në dritë të diellit. Në qoftë se sot ka seli diplomatike që i bëjnë thirrje popullit që është ngritur në protestë të mos dëmtojë pronën publike, që mund të jetë një xham i thyer apo një derë e djegur e një institucioni (dhe me të drejtë) si ndodhi në këto protesta, po këto seli diplomatike nuk thanë një fjalë për kapjen e shtetit nga krimi i organizuar? A mos ndoshta dëmi publik që shkaktohet nga kjo veprimtari është më i vogël se ai i thyerjes të një xhami në një institucioni të korruptuar që shet dhe shpërdoron pasurinë publike? Për më tepër kjo nuk përfshihet në detyrën e tyre funksionale dhe aq më tepër kur kjo thirrje bëhet nga një titullar misioni në një kohë që gjysma e kryeqytetit të vendit të vet është venë në flakë nga qytetarët protestues.

Në qoftë se doni të na ndihmoni, të nderuar diplomat, bashkohuni me të drejtën për të luftuar të keqen, që jo pak u ka sjellë dëm edhe vendeve tuaja dhe ndihmoni të ndërtojmë një shtet demokratikë dhe jo një karikaturë demokratike. Ose ndryshe heshtni.