Dr. Qemal Lame: Gjermania me rol të fuqishëm për brexit

499
Sigal

Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare janë të zhgënjyera me Brexit-in dhe qëndrimet e politikës britanike për marrëveshjen e shkëputjes sipas kritereve të nenit 50 të Traktatit të Lisbonës. Për këtë qëllim, ndiqen me vëmendje dhe shqetësimin e merituar qëndrimet e Qeverisë e të Parlamentit të Britanisë së Madhe. Me të drejtë në politikën evropiane dhe atë britanike shtrohet interesimi nëse do të ketë efektivitet me më shumë ndërmjetësim nga Angela Merkel e qeveria gjermane.

Gjermania dhe kontributi i Kancelares Angela Merkel vlerësohen si partnerë të fuqishëm me ndikime pozitive në kushtet e krijuara me Brexit-in anglez. Për të vlerësuar drejtë mundësinë e këtij ndikimi pozitiv, është e nevojshme të mbahet parasysh:

Së pari, realiteti se politika gjermane është në bashkërendim me Bashkimin Evropian, me veprimtarinë e përditshme që zhvillohet nga Përfaqësuesja për Politikën e Jashtme, me një politikë të jashtme të unifikuar të shteteve të tij anëtare.

Së dyti, Gjermania bashkëpunon ngushtë me Francën për koordinimin e qëndrimeve të përbashkëta, duke dëshmuar unitetin në politikën e tyre dhe ndihmesën në forcimin e bashkësisë evropiane. Së treti, Gjermania vlerëson drejtë edhe përparësitë që ka si fuqi botërore e suksesshme dhe me marrëdhënie të ngushta me Britaninë e Madhe për të dhënë ndihmesën e mundshme e të kërkuar edhe në respektimin e qëndrimit britanik për Brexi-n, të respektimit të Traktatit të Lisbonës dhe realizimin e drejtë, të ndershme e me pasoja sa më të vogla të ndarjes.

Qëndrimi gjerman ndaj Brexit është i përcaktuar, i qartë e i njohur: Gjermania respekton vullnetin e anglezëve në referendum dhe dëshiron të ruajë marrëdhëniet e ngushta e të gjithanshme edhe pas Brexit. Për arritjen e Marrëveshjes së Ndarjes, si dhe gjithë veprimtarinë e ardhshme të Bashkimit Evropian me Britaninë e Madhe, të vendosen rregullat e sakta që dallojnë bashkëpunimin e partneritetin nga përparësitë e mëparshme si vend anëtar, të mos mbrohen interesat evropiane nga kërkesat britanike për ruajtjen e privilegjeve të njohura si vend anëtar për marrëdhëniet ekonomike, financiare, doganore etj. Britania e Madhe edhe pas Brexit do duhet të qëndrojë sa më afër Bashkimit Evropian si partner i rëndësishëm tregtar dhe rolit të madh që ka Londra si një aktor i rëndësishëm në politikën e jashtme. Gjermania do të vazhdojë të ruajë unitetin brenda Bashkimit Evropian.

Për këto arsye, kancelarja Merkel u shpreh hapur, në qershor 2018, se “nuk ka vetëm përzgjedhje të asaj që dëshirohet, por kritere të përcaktuara të marrëdhënieve të partneritetit dhe dallime nga favoret si vend anëtar i BE-së”. Me këtë qëndrim të drejtë motivues, Merkel dëshmoi Gjermani mbronte pozicionimin rigoroz në vlerat e përbashkëta të bashkësisë dhe transmetoi mendimet për domosdoshmërinë e marrëdhënieve të anëtarësisë me dallime nga ato të partneritetit, qartësim për disa zëra me ide të presionit hidheshin pa përgjegjësi nga disa individë në politikën e shteteve evropianolindore të cilat kërkohej të vlerësonin më shumë realitetin evropian, rolin e vendin e tyre dhe të kuptonin përgjegjësinë se nuk duhet të inkurajoheshin të ndiqnin shembullin e britanikëve.

Bisedimet maratonë midis Brukselit dhe Londrës u mendua se morën formën më të mirë të mundshme me marrëveshjen përfundimtare. U bënë edhe disa përmirësime me sqarimet për disa kritere të marrëveshjes sidomos ato kufitare e doganore të domosdoshme për kufirin me Irlandën si vend që nuk pranon shkëputjen nga BE. Marrëveshja do të siguronte unitetin në BE dhe do të vendoste bazën ligjore të bashkëpunimit të mëtejshëm ekonomik me Britaninë si partner i rëndësishëm ekonomik e tregtar. Në këto ndryshime në caqet e lëshimeve të mundshme për bashkësinë, pati rëndësi ndërmjetësimi e deri imponimi me arsye i Gjermanisë.

Dështimi i miratimit të marrëveshjes në Parlamentin e Britanisë, zhgënjeu dukshëm Bashkimin Evropian dhe vetë Gjermaninë ndërmjetësuese. Në këto rrethana, shtrohet alternative që Londra të sqarojë zyrtarisht se çfarë dëshiron?!

Është e qartë se Bashkimi Evropian dhe Gjermania nuk dëshirojnë dhe tregohen të gatshëm për lëshime të reja. Propozimi i ri i kryeministres May vlerësohet si i “pamjaftueshëm”. Deklaratat e May-t nuk i përgjigjen asaj që pret bashkësia kur thuhet se ‘Britania e Madhe duhet të sqarojë, se çfarë do’”. Parlamenti britanik duhet të sqarojë, se çfarë dëshiron. Ndërsa kancelarja Merkel bëri të ditur përmes zëdhënësit të saj, se “qeveria gjermane pret që qeveria britanike të bjerë në ujdi për propozimet, që mbështeten nga shumica e Dhomës së Ulët.”

Është krijuar bindja se përfaqësuesit e Brexit të ashpër kërkojnë e do të vazhdojnë të kërkojnë lëshim e favore të papranueshme nga BE dhe kriteret e nenit 50 të shkëputjes. Prandaj shikohet i rrezikshëm për BE-në dhe vetë Britaninë e Madhe dështimi i marrëveshjes me mendimet se duhet negociuar një marrëveshje më e mirë në favor të britanikëve e në dëm të bashkësisë.

Gjermania synon të arrihet një Brexit i kontrolluar dhe me marrëveshje midis BE-së dhe Britanisë. Ndërsa May nuk arrin të bindi Parlamentin dhe kritikohet se po “luan me kohën”, po bëhet një “lojë me zjarrin”. Britania duket se ka marrëveshje të shumta në grupimet politike dhe ato parlamentare pro dhe kundra Brexsit.

Për të kontribuar në këtë situatë të vështirë e të paqartë për politikën britanike, ka mendime se është i nevojshëm përsëri roli i rëndësishëm i Gjermanisë në BE. Në mediat britanike është përmendur e përsëritet një telefonatë mes kancelares Merkel dhe kryeministres May, ku është folur për “lëshime”. Por një zëdhënës i qeverisë gjermane e hodhi poshtë këtë njoftim.

Megjithatë, kërkohet një qëndrim i moderuar dhe gjetur një rrugëzgjidhje. Kristian-demokratët në pushtet, mendojnë nuk kanë për të lëvizur gjërat pa iniciativën gjermane. Për të mënjanuar një Brexit të pakontrolluar, Gjermania nuk duhet t’i lërë bisedimet “vetëm në kanalet zyrtare”. Eurodepuetët gjermanë refuzojnë një dalje në radhë të parë të Gjermanisë.

Qeveria gjermane vepron me një politikë të përbashkët evropiane dhe nuk dëshiron rol të veçantë e as të përballet me surpriza. Në dhjetor u përgatitën projektligje, që të përgatisin vendin si për një Brexit të kontrolluar ashtu edhe të pakontrolluar. Në konferencën e shtypit të qeverisë në Berlin u theksua edhe njëherë, se po punohet “me intensitet të lartë” që të jemi të përgatitur për të gjithë skenarët.” Dhe se po mbahet kontakt me ekonominë.

Dihet se në negociatat në BE, gjithmonë është kujdesur për bisedime me përfundime pozitive deri në minutën e fundit. Në ditët e ardhshme pritet të ketë lëvizje për këtë çështje.

Në politikën britanike dhe atë evropiane dëgjohet më fuqishëm kërkesa për një referendum të dytë. Kjo vlerësohet si zgjidhja më e mirë për britanikët, të cilët kanë reflektuar në pasojat e rreziqet e Breksit, nxitimet në referendumin e parë të pa përgatitur e sqaruar mirë, influencat e dyshimet për ndërhyrje nga jashtë në vendimin për referendumin etj.

Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë mbështetje të plotë nga Britania e Madhe dhe Gjermania. Këtë e ndjejmë me mirënjohje edhe për deklarimin e qartë për mos ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe mos pranimin e kërkesave të padrejta të Serbisë për marrëveshje të kushtëzuar me shqiptarët.

Për vetë kontributin e këtyre dy shteteve në politikën evropiane e botërore, dëshirojmë të arrihen përparime në qëndrimin përfundimtar britanik ndaj BE-së.