Dr. Qemal Lamaj: Shqipëria të pranojë marrëveshjen Kosovë – Serbi, pa e prekur sovranitetin e territorit të Kosovës

756
Sigal

Marrëveshje vetëm duke respektuar sovranitetin e territorit të Kosovës

Në takimin tradicional me diplomatët e huaj, kryeministri, i cili mori përsipër edhe postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, deklaroi se Shqipëria do të pranojë marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, në rast se do ta miratojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Pikë.

Mendojmë se ishte rasti të theksohej qëndrimi zyrtar në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Të theksohej me forcë se, Shqipëria nuk pranon ndarjen e Kosovës.

Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë e kanë detyrë kushtetuese mbrojtjen e interesave të mbarë kombit shqiptar. Kjo detyrë kushtetuese ishte e domosdoshme të zinte vendin e saj edhe në mbrojtjen e të drejtës së paprekshmërisë territoriale të Kosovës, si dhe për të përcaktuar pozicionin e qartë edhe në planet e bisedimet për marrëveshjen.

Qëndrimi zyrtar i Shqipërisë bëhet i domosdoshëm, jo vetëm që të realizohet një marrëveshje e drejtë, por edhe për të mbështetur Qeverinë e Kuvendin e Kosovës dhe mbarë opinionin publik të kombit shqiptar që shqetësohen nga presionet për të arritur me çdo mjet marrëveshje me Serbinë dhe toleruar kërkesat e saj për ripushtimin e Mitrovicës së rikolonizuar me njerëz të mbledhur nga Serbia e ish-Jugosllavia, pranimin e Asociacionit të Komunave Serbe që do të ligjëronte krijimin e një Skrpske tjetër, brenda shtetit të Kosovës. Qartësimi kundër ndarjes së Kosovës, do të ndikonte pozitivisht edhe diskutimet për kandidaturën e ministrit të Jashtëm. Një ministër i Jashtëm shqiptar nga Kosova, në kushtet aktuale, është në fakt vlerësim për Kosovën, por kur plotëson kushtet dhe ka mbështetje të gjerë politike.

Kombi shqiptar është më i ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e bashkimit në shtetin e vetëm të natyrshëm dhe garantimin e të ardhmes së sigurt. Për këtë qëllim vlerësohen si të domosdoshme strategjia kombëtare dhe aleancat me partnerët tanë strategjikë SHBA-BE-NATO. Kështu do të përballen me sukses edhe zhvillimet politike në rajonin dhe rreziqet që kanosen nga aleancat e deklaruara apo të fshehta të shteteve ballkanike.

E shtrojmë me përgjegjësi këtë problem, për vetë nevojën që kemi për të bashkëpunuar dhe në miqësi me shtetet fqinjë, por edhe për të mbrojtur interesat themelore të drejta e të ligjshme në marrëveshjet që kërkohet të realizohen, sidomos me Serbinë dhe Greqinë.

Në situatën e tanishme, është me vend të rikujtojmë rreziqet, gjenocidin, dëbimet, asimilimin, shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe copëtimin e territoreve për ta hequr Shqipërinë nga harta gjeografike dhe fuqizuar shovinizmin serb, grek, bullgar etj.

Marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë që nuk publikohet, ka rrezikun e lëshimeve territoriale të hapësirës detare. Po të jetë kështu, nuk do të pranohet nga populli dhe kombi shqiptar.

Marrëveshja e Kosovës me Serbinë është e domosdoshme dhe mbështetet, por pa ndryshuar kufijtë ekzistues, pa u pranuar ndarja e Kosovës për të plotësuar pasionet antishqiptare të shovinistëve serbë.

Mitrovica është jetike për Kosovën dhe Shqipërinë nga ana ekonomike dhe strategjike

 

Mitrovica me rezervat e mëdha minerale lakmohet dhe kërkohet me çdo mjet të merret nga Serbia dhe, në fakt, nga Rusia. Përkrahësve të kësaj ideje të rrezikshme ju themi se nga Mitrovica merret një prodhim që përbën 25 për qind të produktit të përgjithshëm.

Më qartë, nënvizojmë se sabotohet ekonomia dhe të ardhurat financiare buxhetore. Grabitja e Liqenit dhe hidrocentralit të Ulmjanës, do të ishte një goditje tjetër e rëndë ekonomike, energjetike dhe të furnizimit me ujë.

Problemi më themelor qëndron në paprekshmërinë e identitetit territorial të Kosovës. Mitrovica ka qenë e banuar nga shqiptarët. Serbia e pushtoi më 1913-n, kur donte edhe të pushtonte Shkodrën por u detyrua të tërhiqet nga ultimatumi ndërkombëtar. Pushtuesit fashistë italianë ia rikthyen shqiptarëve Mitrovicën. Pushtuesit nazifashistë gjermanë e mbajtën vetë nën administrim Mitrovicën. Territori gjeografik etnik është i patjetërsueshëm. Pushtuesit na kanë copëtuar dhe katandisur në shtete të vogla, përballë fqinjëve të mëdhenj me meritoret e popullsinë e asimiluar shqiptare. Është tradhti kombëtare, në rast se tolerohet falja e territorit të Kosovës Veriore. Kjo tradhti është edhe më e rëndë, pasi shqiptarët do të pranonin në fakt që pushtuesve t’u falen territore dhe nuk do të kishin të drejtë morale në të ardhmen për të kërkuar të drejtat e mohuara prej shekujsh.

Marrëveshja më e drejtë midis shqiptarëve e serbëve është njohja pa kushte e pavarësisë dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës nga Serbia. Qeveria dhe Kuvendi i Serbisë është e domosdoshme të njohin realitetin politik e gjeografik në Kosovë, të kërkojnë falje për pasojat e rënda të politikës së tyre antishqiptare dhe të kenë guximin për të hedhur vështrimin drejt së ardhmes së përbashkët në integrimin evropian. Për këtë qëllim, ka vend të rikujtojmë edhe qëndrimin ndërkombëtar kundër gjenocidit ndaj shqiptarëve. Politikanë e ultranacionalistë serbë, analizoni me qetësi përgjegjësinë dhe reflektoni për paqen e miqësinë me shqiptarët. Do tu ndihmonte edhe opinioni ndërkombëtar i viteve 1912-1913.

Sipas gazetës “New York Times” (1912-1913) ajo që u ndodhi shqiptarëve është e tmerrshme dhe e papranueshme. Në afërsi të Prishtinës, pesë mijë arnautë gjetën vdekjen në duart e serbëve, jo në luftë të ndershme, por me anë të vrasjeve të pajustifikuara. Për të kryer këto krime, ushtarët e përfshirë nga çmenduria shpikën metoda të reja mizorie për të kënaqur epshin e tyre për gjak. Në shumë fshatra, të gjitha shtëpive iu vu zjarri dhe, kur banorët fatzinj përpiqeshin t’u shpëtonin flakëve, ata qëlloheshin si të ishin minj. Burrat pushkatoheshin në sytë e grave dhe të fëmijëve dhe pas kësaj, gratë detyroheshin të shikonin sesi ua copëtonin fëmijët me bajoneta.

Historia dëshmon se marrëveshjet e aleancat ballkanike kanë pasur në platformën e tyre antishqiptarizmin dhe pasojat më të rënda i kanë vuajtur shqiptarët. Aleancat ballkanike kanë qenë gjithmonë në dëm dhe në kurriz të shqiptarëve. Ato janë ideuar e mbështetur nga Rusia dhe toleruar nga shtetet e fuqishme të Evropës. E kësaj natyre ishte Liga ballkanike, Serbi-Greqi-Mali i Zi e Bullgari, kundër Perandorisë Osmane dhe shqiptarëve. Liga shënoi fitoren e saj, me 14 janar 1913, kur u mund Perandoria Osmane në Bizani.

Ka rëndësi të analizohen me objektivitet pasojat e së kaluarës

Humbja e Perandorisë Osmane, ishte humbje edhe për shqiptarët. Gjenocidi ndaj myslimanëve në Ballkan mbeti platformë shtetërore ushtarake e shteteve të Rajonit, të angazhuar në Ligën midis Greqisë, Serbisë, Bullgarisë e Malit të Zi. Propagandohej e pretendohej zyrtarisht se këto shtete po luftonin kundër Perandorisë Osmane, për çlirimin e tyre. Në realitet përligjnin gjenocidin e organizuar ndaj shqiptarëve dhe pushtimin e territoreve etnike shqiptare.

Duke iu referuar në të dhënave të Justin McCarthy, para luftërave ballkanike të viteve 1912-1913, përveç Shqipërisë në tokat e marra nga pjesët e Shtetit Osman në Evropë jetonin 2 milionë e 315 mijë e 193 myslimanë. Pas luftërave ballkanike, kjo shifër u pakësua me 62 për qind dhe ra në 1 milion e 445 mijë e 179. Në këtë proces, 632 mijë e 408 myslimanë vdiqën dhe 812 mijë 771 migruan në Anadoll.

Është e nevojshme të theksojmë e të qartësojmë se këta myslimanë ishin shqiptarë, shqiptarë që mbronin identitetin e tyre apo të asimiluar dhe deklaruar si turq. Me shqiptarët e asimiluar rritej demografia e Turqisë, Greqisë, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Bosnjës etj.

Edhe në kushtet e sotme janë krijuar aleanca të disa shteteve ballkanike duke lënë mënjanë Shqipërinë për t’iu kundërvënë dhe sabotuar pavarësinë e sovranitetin e Kosovës. Greqia dhe Rumani, së bashku me tre shtete të tjera anëtare të BE-së vazhdojnë të mos njohin shtetin e Kosovës.

Qëndrimet e drejta të Qeverisë dhe mbarë shqiptarëve kanë rëndësinë e tyre edhe për politikën e partnerëve tanë kryesorë strategjikë. Shqiptarët me më shumë se 98 për qind proamerikanë janë populli që dallohen për mbështetjen e fuqishme ndaj SHBA. Me këtë rast, do tu bënim thirrje edhe disa zyrtarëve të lartë amerikanë që kanë mendimin për ndarjen e Kosovës. Fondacionit të Sorros, do t’i thoshim që të respektojë të drejtat e shqiptarëve dhe të mos ndërmjetësojë për një marrëveshje në dëm të kombit shqiptar.