Dr. Qemail Lamaj/ Anëtarësim, jo partneritet i privilegjuar me BE. Korrigjimi i Kushtetutës zgjidh krizat politike

64

Anëtarësim, jo partneriteti i privilegjuar me bashkimin evropian

 

Dr. Qemal Lamaj

Politika evropiane reagoi fuqishëm pas votës kundër të Francës, Holandës e Norvegjisë që shkaktoi mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk u pranua as ideja e partneritetit të privilegjuar e publikuar nga Franca.

Institucionet qendrore në Bruksel dhe kancelaritë e shteteve anëtare janë përfshirë në debate për fatin e sotëm të bashkësisë së tronditur nga nacionalizmi kundër globalizmit dhe Brexit anglez për shkëputjen por që kundërshtohet nga populli që kërkon referendum të dytë.

Kundërshtarët e zgjerimit mundohen me të gjitha forcat që të mënjanojnë krizën e zgjerimit me joshjen e vendeve kandidate me partnerin e privilegjuar. Nga gazeta “Novosti”, më 29 tetor 2019, një lajm zhgënjyes, i papritur dhe i pamerituar për perspektivën evropiane të shteteve që kërkojnë të anëtarësohen në BE. Franca dhe Gjermania kanë arritur marrëveshjen për ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm në BE. Thuhej se në samitin e muajit maj 2019, BE do të prezantojë dokumentin ku parashikohen disa modele të cilat sërish përqendrohen tek partneriteti i privilegjuar në vend të zgjerimit të mëtejshëm të bashkësisë. Metodologjia e është diskutuar bashkërisht nga Franca dhe Gjermani, si dy vendet kryesore të bashkësisë.

Parashikohen dy ide për partneritetin me vendet që kërkojnë të anëtarësohen:

  1. Integrimi sektorial që do të thotë se pas mbylljes së një kapitulli, vendi përkatës hyn në sistemin e BE-së në fushën përkatëse në vend që të presë anëtarësimin e plotë. P.sh. nëse mbyllet kapitulli i transportit, vendi përkatës përfiton fondet në këtë sektor.
  2. Modeli norvegjez që parashikon në vend të anëtarësimit do të afrohet anëtarësimi në dy institucione kyç, Bashkimi Evropian për tregtinë e lirë dhe Zonën Ekonomike Evropiane, ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenstejni, Norvegjia dhe Zvicra që nuk janë anëtarë të BE-së.

Ky lajm me këto njoftime dhe me këtë propozim do të ishte një ndryshim drastik i kursit të Bashkimit Evropian që vendosi politikën e standardeve si kriter pranimi.

Me këtë ndryshim, do të ndërpritej konkretisht zgjerimi dhe forcimi i mëtejshëm i bashkësisë. Asnjë vend nuk do të pranohet më brenda bashkësisë së shteteve aktuale anëtare pavarësisht plotësimit të standardeve. Më thjeshtë e më qartë: Bashkësia mbyllet. Ndërtohet një mur i ri në Evropë. BE ripërkufizon veten sipas ndarjeve klasike!

Nuk mund ta besohet ndryshimi i menjëhershëm i politikës evropiane, sidomos të Francës dhe pranimit të ideve të saj nga Gjermania! Këto lajme nga media serbe nuk janë plotësisht të besueshme. Burimi i lajmit nuk është një qëndrim zyrtar i Bashkimit Evropian. Po të ishte në projektin e BE për samitin e majit 2020, do të ishte bërë i njohur nga vetë BE. Njoftimi mund të jetë bazuar në mendimet dhe propozimit e ndryshme që diskutohen nga disa diplomatë.

Është e arsyeshme të mbështetemi në qëndrimet që deklarohen nga personalitet e larta të Bashkimit Evropian. “Jam i bindur se rezultati zhgënjyes i Këshillit Evropian, që i refuzoi Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian shumë shpejt do të ndryshojë, deklaroi komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn.

“Rezultati zhgënjyes i Këshillit të kaluar Evropian, që i refuzoi Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian shumë shpejt do të ndryshojë”, shkruan Hahn në Twitter.

Më i vendosur në hapjen e negociatave është kryetari i ri i Parlamentit Evropian. “Bllokimi i hapjes se negociatave për Shkupin dhe Tiranën është një pengesë e vogël dhe do të tejkalohet në muajt e ardhshëm. Kështu deklaroi kryetari i ri i Parlamentit Evropian David Sassoli përpara një vizite në Maqedoninë Veriore: “Vendosa të vizitoj së pari Maqedoninë Veriore, e cila është jashtë BE-së, dhe më pas do të shkoj në Shqipëri. Kjo sepse besoj se këto dy vende kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t’u bërë anëtare të BE-së dhe mendoj se duhet ta pranojmë dhe t’i ndihmojmë ata në rrugën e suksesit. Ne nuk do të heqim dorë”, tha Sassoli për agjencinë e lajmeve MIA.

Sassoli tha se duhet të vlerësohet që Maqedonia Veriore dhe njerëzit e saj filluan reforma të rëndësishme, të bindur se kjo do t’i hapë rrugën e pranimit në BE. Ai ka thënë se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm, ashtu si edhe samiti i BE në Kroaci, i cili merr përsipër presidencën e Unionit.

“Mendoj se duhet të arrijmë në një konsensus nga pala evropiane deri atëherë. Procedimet e Komisionit të ri do të jenë gjithashtu thelbësore. Ne besojmë se Komisioni i ri do të ndjekë rrugën e Juncker. Një numër i kërkesave janë dërguar në Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë dhe tani duhet të sinjalizohen se ato janë në rrugën e duhur”, tha ai.

Surprizë është njoftimi i fundit se Holanda ka zbutur tonet për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane. Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, theksoi të hënën, më 4 nëntor 2019, se BE-ja nuk ka dyshime për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, por reformat e ndërmarra nga dy shtetet janë të pamjaftueshme. “Ne i mirëpresim hapat pozitivë të Shqipërisë. Arritje e veçantë është procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo reformat domethënëse ligjore dhe themelimi i institucioneve të reja të drejtësisë. Megjithatë, përpara hapjes së negociatave për anëtarësim, Shqipëria duhet të tregojë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë.”

Kryediplomati holandez shton se tema e negociatave do merret në konsideratë vitin e ardhshëm, dhe se kjo periudhë duhet të shfrytëzuar nga qeveritë për të bindur shtetet më skeptike me reforma të tjera.

Kujtojmë se për Holandën, moszbatimi i ligjit, korrupsioni dhe krimi i organizuar ishin disa nga fushat që kërcënuan aspiratat e vendit për negociatat në muajin tetor. Ministri i jashtëm holandez pranon tani se vendi ka bërë progres dhe inkurajon mbylljen e reformave pezull për të hapur bisedimet në vitin 2020.

Blok beson dhe jo rastësisht thekson se rreziku i tundimit të rajonit nga aktorë si Rusia, Kina apo Turqia është i ulët edhe tani që perspektivat integruese të tij janë në pritje.

Bashkimi Evropian ndien përgjegjësinë për zvarritjen e zgjerimit dhe integrimit dhe gjendjen e krijuar me moshapjen e negociatave dhe alternativës për partneritet.

Rusia ka shfrytëzuar situatën politike evropiane dhe me anë të Bashkimit Ekonomik Eurasian (EEU) është ftuar Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që t’i bashkohen këtij grupimi. Thirrja është bërë nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, gjatë Forumit Ekonomik Eurasian në Verona, Itali të premten, më 1 nëntor 2019.“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të gjejnë mirëkuptim më shpejt në EEU sesa në BE.” Ai tha, se “Unë jam i sigurt se vendet, të cilat janë kandidate për anëtarësim në BE dhe së fundmi janë” vënë në akull “nga Brukseli “mund të kenë më shumë benefite në EEU.” Ndërkohë Bjellorusia është i vetmi vend evropian që po merr pjesë në EEU.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dëshmojnë se anëtarësimi është rruga e vetme e së ardhmes dhe do të vazhdojnë reformat dhe kërkesat e shtruara nga BE. Me gjithë ofertën ruse, këto dy shtete nuk do të ndryshojnë orientimin e tyre strategjik të integrimit Euroatlantik.

Plotësimi i pritshmërisë nga BE dhe shteteve që votuan kundër na tregon edhe një herë domosdoshmërinë e mënjanimit të krizës së përfaqësimit, vënien në funksionim të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe vënien e tyre në veprimtarinë kushtetuese e ligjore. Qeveria dhe Kuvendi kanë përgjegjësinë kryesore për mbarëvajtjen e shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimin e ngushtë edhe me Presidentin e Republikës. Del e nevojshme të theksojmë arritjen e marrëveshjes së gjerë midis partive politike për reformën zgjedhore duke reflektuar në kërkesat e OSBE-së dhe garantimin e votës në zgjedhjeve të lira. Korrigjimi i Kushtetutës do të zgjidhte shkakun e krizave të zgjedhjeve, mënjanimin e pushtetit të pakufizuar të Kryeministrit, diktatin e kryetarëve të partive politike.

Kuvendi, Qeveria, Presidenti dhe gjithë partitë politikë kanë përgjegjësinë historike që të garantojnë unitetin kombëtar dhe mbarëvajtjen e reformave, me qëllim që të realizohet në kohë integrimi dhe si e kërkon edhe BE