Sigal

Majlinda KETA

Ballkanit Perëndimor, në këto ditë të përvëluara gushti, duket se i janë ngritur ‘temperaturat’ edhe prej politikanëve të tij të lodhur nga korrupsioni dhe padija. Kësaj “thatësire” dhe “përvëlimi” të tyre, mos qoftë e shkruar, t’i bashkohet edhe BE-ja me politika “stimulim” zjarri. Kjo sepse historikisht në Ballkan zjarri shuhet me zjarr, ndërsa sot ai nuk i vlen as vetë BE-së. Thuhet, se si moshë mesatare është pjesa më rinore e kontinentit të vjetër por që po “vjetrohet” shumë shpejt. Në Ditën e sapo kaluara Ndërkombëtare të Rinisë, atij i nevojitej shumë freski që të rinjtë e tij të mendojnë kthjellët e ta gëzojnë denjësisht shtëpinë e tyre të përbashkët që në mbi 25 vite besohet se po rindërtohet me standardin “Made in BE” dhe që pretendohet se po fuqizohet demokracia dhe shteti i së drejtës në to. Po për fatin e keq të të gjithëve, gjykoj se rinia e tij nuk është as e kthjellët e, për më tepër, nuk jeton denjësisht në këtë shtëpi të vetën. Për më tepër temperaturat te larta dhe idetë mes politikanëve ballkanas perëndimore duket se po përfshihen në “flakë”. Mes tyre më përvëluesja po më duket teza që qartësohet dhe errësohet nën frazat.. herë si “ndryshim kufijsh”, herë si “korrektim kufijsh” apo “qartësim territoresh”… Mendoj se do të ishte gabim për vetë filozofinë europianiste kjo mënyrë të menduari, pra ajo që Integrimin e shteteve te Ballkanit Perëndimor do të mund ta kalojnë edhe përmes shkëmbimit të territoreve nën ndërmjetësim, mentim dhe asistencë negociuese të BE-së!!!

Do të ishte fatale. Kjo, pasi secili prej shteteve aspirante për anëtare në BE gëzon sovranitetin e vet, të njohur ndërkombëtarisht. Me të nuk mund të luajë e ta cenoje askush. E tillë është edhe Kosova apo dhe Serbia. Vendimmarrjet për kufijtë mes tyre do të cenonin këtë cilësi sovraniteti të njohur ndërkombëtarisht. Për më tepër vendimmarrje të tilla nuk mund të zënë fill nga dëshira udhëheqësish, kushdo qofshin ato dhe çfarëdo niveli organizimi në shtetet respektive përfaqësofshin. Sovraniteti është mbi të gjithë këto politikanë. BE-ja duhet te jete modeli i politikes se ruajtje se sovranitetit te tyre. Për më tepër çfarë do të ndodhë me njohjet ndërkombëtare mbi këtë cilësi sovraniteti territorial? Do të zhbëhen? Do të rinisin njohjet nga e para? Do të iniciohen Rambuje dhe do gjendet Ahtisarë negociatorë nga e para? E pamundur kjo për t’u bërë e vetme nga vetë BE-ja. nuk mund të asistohet, premtohet Integrimi i Madh, ndërsa vetë këto kërkesa, pas kaq vitesh rrugëtimi për integrim, në një farë mënyre pohon Dështim të integrimeve të vogla të arritura deri më sot në shtetet e rajonit. BE-ja tani ka një histori të sajën afro 70-vjeçare, e cila për Ballkanin duhet të vijë e “pastruar” nga mësimet që ajo ka marrë nga pësimet e ndërsa rritej.

BE është projekti që u ngrit mbi kufijtë, këto të fundit dihet se vetëm i ndajnë njerëzit, qofshin këto edhe brenda një kombi. Ai është projekti i vlerave të përbashkëta, hapësirave të përbashkëta të zotërimit dhe përdorimit të tre nga qytetarët, është projekti I institucioneve të përbashkëta nga ekonomia tek politika, i politikave të përbashkëta për shtetin e së drejtës dhe demokracinë….. ndaj kjo që po “mentohet” për dy shtete aspirante për anëtare, Serbisë dhe Kosovës, shkon në të kundërt të asaj që kanë prodhuar dhjetëra vite histori BE-n. Bashkimi Evropian nuk mund dhe nuk duhet të prodhojë një “rrugë specifike” për anëtarësim për vendet e Ballkanit Perëndimor pasi kjo në vetvete është “diskriminim” qoftë ky edhe pozitiv. Zgjerimi nuk mund të vijë përmes diskriminimit. cilësia e këtij mega-projekti të zhvillimeve “të paqme” politike, institucionale, humane pas 2 luftërave, i zbatuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor pas shembjes së Murit të Berlinit, në cilësinë ë arritur është përgjegjësi e Brukselit Zyrtar po aq sa e shteteve dhe qeverive respektive. Nëse mentimet e fundit do të arrijnë ta prishin këtë cilësi “paqeje” atëherë kjo është humbje për vetë BE edhe cenim i mundshëm i sigurisë dhe paqes në Evropë. Kosova pavarësinë dhe sovranitetin e saj si shtet e ka arritur me gjakun e bijve të vet dhe me mbështetjen e Aleancës Euroatlantike. Rikthimi në një Kosovë dhe Serbi të konfliktit do të gjeneronte dhe dëshmonte në këtë kohë për “konflikte” shumë më madhore (se ky i kufijve) ndërmjet shteteve të mëdha që prodhojnë politikën ndërkombëtare por dhe mes organizatave ndërkombëtare vendimmarrëse të paqes, sigurisë dhe zhvillimit në botë. Kjo nuk i leverdis kurrkujt.

……………………………

BE-ja vetë nuk duhet të lejojë të shtrohet problemi i korrektimit apo shkëmbimit të territoreve apodhe korrektimit të kufijve. Ky do të ishte një precedent që do t’i hante kokën vetë mega-projektit që e ruajti nga lufta kontinentin e vjetër dhe shumë më gjerë se ai politikën ndërkombëtare qysh nga 1945-sa. Pas BREXIT, BE-ja duhet të funksionojë e merret si vendim i një SMART-i projekt, kjo për shumë arsye që lidhet me ekzistencën e tij. Për mbi të gjitha, SMART BE i duhet të punojë shumë më tepër për rininë ballkanike, e cila duhet të ndjehet e sigurt në shtëpi të vet e më pas të jetë promotore e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Deri më tani jemi në të kundërt të këtij pretendimi. Kjo rini ballkanike ende po “mbetet” kampione e rekordeve në numër emigrantësh nëpër botë (menjëherë pas rinisë që emigron nga shtetet e përfshira në luftë), rekord për nivele papunësie, për nivele përfshirje në krimin e organizuar apo potencialisht edhe pre e fundamentalizmave të çdo lloji. Ajo çdo ditë e më shumë po i kthen krahët vlerave të tilla; si familja apo morali shoqëror. Nuk e di nëse Bashkimi Evropian e njeh apo e ka studiuar faktin që qeveritarët këtu në Shqipëri ia kanë lënë të sigurt edhe pleqërinë nën dhimbje pengu kësaj rinie përmes borxhit që kanë krijuar me maniak-politikat e tyre të PPP-ve. Kësaj i thonë, iu kanë mundësuar rini dhe pleqëri “All inclusive” nën gunë të pasigurisë dhe luftës. Kjo edhe këtë 12 gusht në Ditën e tyre Ndërkombëtare. Kjo nuk duhet të ishte sot “historia” e rinisë ndër vendet tona ballkanike…në këtë gusht të Ballkanit që është gati të digjet.