Dr.Kujtim Drishti: Shoqëria civile e vetmia shpresë e jona

711
Sigal

Ne Shqiptarët morëm të drejtën e MENDIMIT Të LIRË dhe kujtuam se po ndërtojmë Demokracinë.  E kuptuam se gabuam. Kjo ishte vetëm themeli i ndërtesës. Ne ndërtuam PARTITË dhe kujtuam se ndërtuam Demokracinë. E kuptuam se u gabuam, sepse kishim përfunduar aty ku ishim: Fatet e kombit u varën në dorën e vetëm një njeriu. Dhe ky njeri ndërtoi Drejtësinë e tij. Atëherë ne kuptuam se mendimi i lirë në themelet e ndërtesës demokratike nuk ishte i mjaftueshëm pa Kushtetutë dhe pa Boshtin e saj: Drejtësinë që do të krijonte Shtetin e së Drejtës. Por ajo që ne NUK NDËRTUAM ISHTE SHOQËRIA CIVILE, e vetmja forcë opozitare, më e madhe, përballë çdo partie dhe çdo pushteti, që do të qëndronte në mbrojtje të Kushtetutës e të Drejtat e Njeriut, ndoshta më mirë se vetë Gjykata Kushtetuese. Shoqëria Civile është ndërgjegjja demokratike e një populli, e strukturuar në organizime shoqatash, profesionale ose jo profesionale rreth parimeve të Kushtetutës dhe Deklaratës së të Drejtave të Njeriut. Shoqëria Civile i qëndron mbi kokë e mbi ndërgjegje të gjitha partive. Kështu partitë, e akoma më pak, shefat e partive nuk mund ta konsiderojnë veten mbi popullin ashtu siç ndodhi në këto 30 vjet të humbura. Çështja shtrohet: Ose një Shoqëri Civile me ndërgjegje demokratike, ose Diktature e një partie, për ironi të zgjedhur nga populli, që dashuron Shefin e jo idetë e Kushtetutës Demokratike. Shoqëria civile është e vetmja shpresë e jona kundra psikologjisë së klanit që na solli në ditë ku rinia e pa shpresë kërkon të lërë vendin.

Mësimi kryesor që del nga këto 30 vjet është:

Nuk mund të ketë shoqëri të drejtë e demokratike vetëm me parti e pa shoqëri civile.

Shoqëria vetëm me parti harroi Shqipërinë dhe popullin e saj.

Shoqëria civile e ndërtuar rreth Kushtetutës dhe të Drejtave të Njeriut është opozita e parë e çdo partie e çdo pushteti. Është kjo opozitë që çdo parti duhet të futë në ndërgjegjen e saj për të kontrolluar veten.

  • U bëj thirrje të gjithë profesioneve të çfarë fushe qofshin, të organizohen për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të popullit  duke përdorur Kushtetutën dhe të Drejtat e njeriut si udhëheqësin e tyre.
  • U bëj thirrje të dalin nga logjika e partive e të shpëtojnë Kushtetutën. Bëj thirrje në radhë të parë Avokatëve të Shqipërisë dhe njerëzve që për vokacion profesional kanë Drejtësinë. Avokatët dhe njerëzit e rinj të këtij profesioni do të jenë në gjendje të konfrontojnë praktikën e Shtetit me parimet e Kushtetutës., për rrjedhojë dhe shkeljet e saj ose tradhtinë e saj.
  • U bëj thirrje të gjithë pedagogëve të Universitetit Publik e atyre të Universiteteve private
  • U bëj thirrje të gjithë mjekëve të Shqipërisë që nëpërmjet Urdhrit të tyre
    të mobilizohen rreth Kushtetutës
  • U bëj thirrje të gjithë shkrimtarëve dhe artistëve të dalin nga guaskat e tyre për interesat e popullit e të lidhen me Kushtetutën për ta shpëtuar atë.
  • I bëj thirrje padronëve të të gjithë Shtëpive Botuese të Shpëtojnë Kushtetutën.
    Kushtetuta nuk është një Copyright e Shtetit ajo është një copyright e popullit.
  • I bëj thirrje të gjithë popullit të dalë në rrugë i qetë me qirinj të ndezur pa violencë , në heshtjen e fuqishme të tij

Për të shpëtuar Kushtetutën Dhe të Drejtat e njeriut. Deri tani populli ka heshtur i shpërndarë.
Le ta grumbullojmë e përqendrojmë heshtjen në rrugë e Bulevarde, ditën e natën me qirinj.

Heshtja e grumbulluar dhe e përqendruar është forca më e madhe se violenca .
Heshtja e grumbulluar dhe përqendruar do të tregojë pjekurinë e një populli që ka kuptuar se armiqësitë e udhëhequra nga partitë kanë harruar interesat e Shqipërisë.

Vetëm një parullë Mbrojtja e kushtetutës së tradhtuar dhe mbrojtja e Shtetit të së Drejtës së braktisur. Një manifestim i drejtuar nga shoqëria civile do të plotësojë kuptimin e Demokracisë dhe Paqes dhe jo violenca. Partitë tani për tani mbajnë vetëm urrejtjen e dy Klaneve , urrejtje që ato duan të injektojnë në popull siç e kanë tashmë injektuar në skenat qesharake të parlamentit.

Urrejtja nuk është ndërtuese, ajo është vetëm shkatërruese

Vetëm duke mbrojtur Kushtetutën populli do të mbroje veten. Partitë nuk e mbrojtën popullin. Parti të reja me njerëz të rinj, me reflekse demokratike, me dashurinë për Shqipërinë , e me bosht Kushtetutën do të jenë perspektiva më e sigurt. Guri i provës për çdo parti, për çdo organizim duhet të jetë Kushtetuta e Republikës dhe Shteti i së DREJTËS.

Le ta fillojmë nga e para

Të mos fillojmë pa ndërtuar Shtetin e së Drejtës. Shtet ligjor kishte dhe Zogu dhe E. Hoxha, por jo Shtet të së Drejtës. Për 30 vjet Drejtësia është varur nga shefat e klaneve që morën peng anëtarët e partive. Mbrojtja e Kushtetutës është mbrojtja e Shtetit të së Drejtës.

E Drejta është kuintesenca e Shtetit Demokratik

Manifestimet në heshtje, në paqe, që kanë për parulla vetëm Mbrojtjen e Kushtetutës dhe të Mbrojtjes së Shtetit të së Drejtës, manifestime të organizuara nga shoqëria civile e jo nga partitë do kenë një forcë më të madhe bindëse për vetë popullin e bashkuar rreth kushtetutës duke treguar se neni i parë i saj është “Populli Sovran”.Populli nuk mund të jetë sovran, nëse ai nuk ka organizuar shoqërinë civile që do të jetë opozita e parë për çdo pushtet. Kjo nuk është një thirrje e imja, personale. Kjo është një thirrje që bën zemra e popullit e ndërgjegjësuar, se 30 vjet ishin boll për të kuptuar që udhëheqësi ynë i vërtetë do të jetë dashuria për Shqipërinë e jo urrejtja midis nesh, urrejtja që harroi principet e larta të Demokracisë të kristalizuara në Kushtetutë dhe Deklaratën e të Drejta të njeriut. Ka ardhur koha që populli të tejkalojë veten e të sfidojë forcat e errëta që e kanë futur në kaos dhe padrejtësi.

Uroj me zemër të rrojë Kushtetuta Demokratike në zemrën e popullit e jo individët në krye të klaneve! Nuk mund të ketë shoqëri të lirë pa një shoqëri civile. Shoqëria vetëm me parti harroi Shqipërinë.  Vetëm Shoqëria Civile mund t’i a kujtojë këtë. Vetëm Shoqëria Civile mund të mbajë mbi shpatulla Historinë e vjetër të popullit, me korrigjimet më të bukura. Fati ka dalë në derë e po na pret. Përndryshe, do të jetë përsëri diktatura.