Dr. Kujtim Drishti: Ndërkombëtarët dhe Shqiptarët

830
Sigal

Ndërkombëtarët dhe shqiptarët

Kujtim Drishti

Për një gjë nuk ua hamë hakun atyre: Ata e respektuan natyrën tonë. Pyllit tonë nuk i prenë as edhe një pemë. Por edhe asnjë, nuk i mbollën.

E hoqët qafe sistemin komunist?
Bravo!
Tani çfarë doni? Na pyetën ata.

Liri! U thamë ne. Vetëm liri! Liri, të bëjmë ç’të duam.

Lirinë e keni midis jush! Thanë ata që e njihnin Skënderbeun.

Dhe pylli u rrit. Dhe barishtet dhe shkurret morën përpjetë. E filluan t’i hipin njëra-tjetrës. E filluan të degëzohen. Pylli u bë aq i dendur nga degët, barishtet dhe shkurret sa edhe drita nuk po hyn më.

Ata ndjekin me satelit nga lart zhvillimin natyror të pyllit shqiptar. Biologët marrin të dhënat biometrike nga sateliti dhe e dinë, se cilat nga pemët më të larta janë të kalbura.

Por ato respektojnë natyrën.

E pemët e vogla ankohen, që në pyll nuk ka drejtësi. Ankohen se u merret ushqimi nga pemët shumë të trasha e kanë shpresë se kopshtarët ndërkombëtarët do të vinë të sharrojnë pemët e padrejta, sidomos atë me të gjatën, e sidomos atë më të shtrembrën.

Ahhhhh – thonë ndërkombëtarët. Ne ju pyetëm çfarë doni? E ju deshët vetëm liri.

Nuk mund t’ua hamë hakun ndërkombëtarëve. Me një sedër dhe njohuri shkencëtarësh ekologësh ata….
Ata po respektojnë natyrën tonë.

Dhe sipas shkencave të natyrës, një pemë e kalbur nuk quhet mbeturinë ose pleh që të hidhet në koshin prej plastike të plehrave.
Natyra riciklon çdo gjethe, degë ose pemë të kalbur. Për natyrën nuk ekziston koncepti i mbeturinës.

Kështu ndërkombëtarët nuk kanë përse të bëhen merak ose të harxhohen për pemët e kalbura të pyllit tonë.
Ato do riciklohen!