Dopolavorot fashiste në kokën e kryeministrit

787
Sigal

Nga K.P.TRABOINI

Ja çfarë thotë e shkruan kryeministri i vendit tonë, kryeqeveritari i një populli që në saj të udhëheqësisë së “ndritur” po merr arratinë nga sytë këmbët në këto ditë të nxehta korriku: “…historisë së teatrit kombëtar. E cila s’ka asnjë lidhje me muret prej tallashi të karakatinës së “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane, si një ngrehinë e përkohshme për argëtimin pas pune./ Edi Rama, 27 korrik 2019” .

Ky kryeministri ynë, që pretendon të jetë artist e të ketë qenë pedagog arti, as nuk merr mundimin ti referohet historisë sepse shkon sipas avazit të Luigjit të XIV “Shteti jam unë” dhe rrjedhimisht vetëm çfarë them unë është e vërtetë. Shqetësues është fakti se nuk është hera e parë që bën kësisoj. Por le ti referohemi vetëm rastit të fundit ku ai e quan ndërtesën e Teatrit Kombëtar “karaktinë e “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane”. Ndërtesa nuk ka të bëjë në asnjë sens me ato që thotë zoti kryeministër. Ajo është porositur nga shteti shqiptar me vendim zyrtar, me firmë e vulë dhe është projektuar në vitin1938. Po atë vit kanë nisur ndërtimi. Nuk është ndërtim i përkohshëm, siç e cilëson kryeministri, por ndërtim i përhershëm. Po a përmbledhim historinë e këtij teatri që qeveritarët i janë qepur për ta rrënuar ne kuadrin ne PPP (lexo: partneriteti privat pushtet për grabitje të pronave publike): -U porosit nga Qeveria Shqiptare më 1938. -U projektua nga arkitekti i njohur Italian Giulio Berté. -Firma projekt – zbatuese “Pater – Construzioni Edili Speciali Milano” -Ndërtesa është e stilit futurist, modern për kohën.

-Nisi punimet në vitin 1938. -U përfundua e inaugurua me 8 gusht 1939. -Një gazetë shqiptare për këtë ngjarje shkruante: “Inaugurimi në Tiranë i lokalit modern për kinema-theatër ….ka një madhësi prej 1000 vendesh të ndame në dy rende… me qëllim që t’ u japi spektatorëve zbavitje në kryeqytet në një seli të denjë zotnijsh dhe elegante.” Tani i nderuar kryeministër a mund ti shpjegoni komunitetit e artistëve dhe artdashësve shqiptarë ku është tallashi, ku është karakatina, ku është ngrehina e përkohshme dhe kush e ka projektuar, arkitekti i madh italian, Giulio Berté apo ushtarët e dopo-lavoros tënde që një zot e di se ku e ke gjetur? A është në stilin e stallave të kuajve apo e stilit modern futurist për kohën. Zoti Kryeministër, kur mbani fjalime të pafundme e të pandalshme, kur shkruani pa u lodhur e rraskapitur natë e ditë në Facebook dhe në Twiter, është mirë të mbash pranë një kovë akull… se vapa e korrikut mund të ndikojë në superxhiron e mendimeve e të dalin jashtë kontrollit. E këto ndër ne nuk janë gjëra të pa ndodhuna. Se edhe Flamurin e Deçiqit ja hoqe Ded Gjo Lulit dhe bashkëluftëtarëve të tij, në mes të cilëve edhe im atë, dhe pa tu dridhur syri ja faturove dy endacakëve, Lolit dhe Colit nga fshatrat e jugut. Këtë shënim, zoti Kryeministër, më kot u mundova ta vë në morinë e faqeve të tua elektronike, sepse nga të gjitha më keni bllokuar, ju personalisht ose nga sejmenët e tu që i mban me bukë me qëllimin e lartë fisnik që të lëvrijnë si viruse elektronike.