Dokumenti/ Akademia e Shkencave ngatërron 75-vjetorin e Çlirimit me antifashizmin, Fuga: Mediokriteti po përçudnon historinë kombëtare

677
Sigal

Akademia e Shkencave të Shqipërisë bën gafë me datat dhe emërtimet e konkursit për veprën shkencore më të mirë, në tri dekadat e fundit.

Njoftimi për hapjen e konkursit, publikuar online në faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave

Përmes një njoftimi, ASH njofton shpalljen e konkursit për veprën shkencore më cilësore për “Antifashizmin në Shqipëri”, botuar në periudhën 1991-2019. Deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë dhe kushdo mund të mendojë se në këtë garë do

të paraqiten të gjitha veprat, që lidhen thjesht dhe vetëm me antifashizmin, si u shfaq ai në Shqipëri, çfarë përfaqësonte, si u përhap, si u zhvillua në krahasim me vendet e tjera të Europës etj., etj., (pa u hyrë detajeve, të cilat i dinë më mirë studiuesit).

Por në vendimin e marrë më shumë se dy javë më parë, Akademia e Shkencave cilëson edhe rastin për të cilin hapet ky konkurs dhe pikërisht këtu gabon institucioni më i lartë shkencor në vend, i cili u bë vite tanimë që tenton të reformohet.

Në vendim thuhet se “Akademia e Shkencave, në kuadër të përkujtimit të 75-vjetorit të antifashizmit në Shqipëri, përmes vendimit përkatës të datës 24 korrik 2019, vendosi shpalljen e konkursit retrospektiv për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, botuar në periudhën 1991- 2019”.

ENVER HOXHA, GJATE PARADES SE ÇLIRIMIT ME 28 NENTOR 1944, NE TIRANE

Siç shihet, hartuesit e tekstit dhe bashkë me ta edhe ata që e miratuan, gabojnë kur e quajnë “75- vjetori i antifashizmit në Shqipëri”, pasi siç e dimë, këtë vit, në nëntor përkujtohet 75-vjetori i çlirimit të vendit nga pushtuesi nazifashist.

(Edhe sot e kësaj dite vazhdon debati i datës kur u largua gjermani i fundit nga Shqipëria). Koncepti “antifashizëm” është shumë më i gjerë dhe shkon përtej segmentit kohor ku e ndryjnë akademikët. Të mos harrojmë se Shqipëria është pushtuar nga Italia fashiste në 7 prill të vitit 1939 dhe nëse do të merrnim si datë të lindjes së antifashizmit ditën e pushtimit, atëherë do të kishim 80-vjetorin e tij.

Por edhe kjo do të ishte e gabuar, përderisa rrymat fashiste e antifashiste qarkullonin përpara se pushtimi i Shqipërisë të ndodhte de jure ushtarakisht. Ndikimi italian në politikën, ekonominë dhe kulturën e vendit kishin nisur shumë më herët. Është e habitshme se si Akademia e Shkencave, e cila po lufton fort për miratimin e ligjit të ri reformues, që është në qendër të vëmendjes, që synon të ketë një rol të rëndësishëm në jetën shkencore të vendit, mund të bjerë në një nivel të tillë.

ÇMIMET QË AKORDOHEN

Akademia e Shkencave njofton se konkursi do të ndajë disa çmime, të cilat do të kenë edhe një shpërblim monetar: Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga autorë vendës; Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga autorë të huaj; Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga studiues të rinj.

Të drejtën e propozimit të veprave për konkurrim e kanë: institucionet akademike-universitare, botuesit dhe vetë autorët.

Për organizmin e këtij konkursi pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ngrihet dhe funksionon një juri ndërkombëtare e specializuar, me studiues vendës e të huaj. Kjo juri ngarkohet që në mënyrë autonome të bëjë përzgjedhjen, nominimin dhe shpalljen e tre fituesve, sipas përcaktimeve të pikës 3 të këtij vendimi. Pranimi i veprave konkurruese mbyllet më datën 30 shtator 2019, duke depozituar në zyrën e protokollit të Akademisë së Shkencave: kërkesën për pjesëmarrje në konkurs, 2 kopje të botuara të veprës, deklaratën e origjinalitetit të punimit të paraqitur, CV-në e autorit dhe listën e punimeve.

Nominimi i të përzgjedhurve shpallet nga juria jo më vonë se data 20 tetor 2019. Ceremonia e ndarjes së çmimeve organizohet më 13-16 nëntor, në kuadër të konferencës shkencore akademike “Antifashizmi popullor i shqiptarëve”.

Ndarja e diplomave të nderit dhe e shenjës së fituesit të konkursit bëhet me një ceremoni publike. Për secilin nga fituesit, Akademia e Shkencave akordon një shpërblim në masën 300.000 lekë.

Fuga letër akademikëve: Antifashizmi s’ka lindur në 1944

Akademiku Artan Fuga ka “kapur” gafën e Akademisë së Shkencave me emërtimin e konkursit për veprën më të mirë shkencore në “75-vjetorin e antifashizmit në Shqipëri” dhe nuk e ka kaluar në heshtje, por ua ka vënë në dukje edhe drejtuesve të saj.

Përmes një letre, ai argumenton se ku gabojnë akademikët. “Ndofta hartuesit e shkresës nuk e dinë që antifashizmi në Shqipëri ka nisur përpara vitit 1944, madje edhe përpara vitit 1941, madje edhe përpara vitit 1939 dhe është produkt i të gjitha forcave demokratike të kohës.

Duke e titulluar gabim, Akademia e Shkencave përçudnon historinë e vendit”, thotë Fuga në një letër dërguar ASH-së.

Por vërejtjet e tij nuk lidhen vetëm me termin “antifashizëm”, por edhe mënyrën e organizimit, kohën kur janë realizuar veprat dhe çmimet e ndara sipas grupmoshave. Më poshtë, letra që akademiku Fuga i ka dërguar Akademisë së Shkencave.

ARTAN FUGA/ Lidhur me shkresën e dërguar si vendim kryesie për hapjen e konkursit në kuadrin e 75-vjetorit të çlirimit, konstatoj se ka pasaktësi metodologjike dhe shkencore të rënda, të cilat duhen korrigjuar:

1. Nuk mund të thuhet si është shprehur, se konkursi bëhet në kuadrin e “75-vjetorit të antifashizmit”, sikurse është thënë në nëntitull. Kjo shprehje është pa kuptim. Nuk jemi në 2019 në 75-vjetorin e antifashizmit.

Ndofta hartuesit e shkresës nuk e dinë që antifashizmi në Shqipëri ka nisur përpara vitit 1944, madje edhe përpara vitit 1941, madje edhe përpara vitit 1939 dhe është produkt i të gjitha forcave demokratike të kohës. Duke e titulluar gabim, Akademia e Shkencave përçudnon historinë e vendit.

2. Nëse do të ketë si fokus periudhën ‘39-‘44 sikurse thuhet, atëherë nuk duhet të flitet vetëm për Luftën Antifashiste, por edhe atë kundër nazizmit. Pra, duhet rithënë: “antinazifashizmit”. Dihet se beteja në Shqipëri në ’44- ën edhe disa muaj më parë nuk kishte më lidhje me fashizmin.

3. Koncepti “luftë antifashiste” e ngushton në kohë, kuptim dhe baza sociale e organizative atë, sepse përballja me nazifashizmin në Shqipëri ishte edhe “nacionalçlirimtare”. Koncepti “antifashiste” e kufizon gabimisht në planin metodologjik.

Pastaj, duhet mbajtur parasysh se ngjarjet e viteve ‘39-‘44 nuk kanë vetëm karakter antifashist, aty është brenda edhe një lëvizje nacionalçlirimtare, por edhe një rezistencë patriotike me synim vendosjen e një demokracie perëndimore pas lufte, si edhe elementet e një revolucioni të frymëzuar komunist, si edhe një aleancë me fuqitë aleate, po ashtu edhe një përballje me kolaboracionizmin dhe një fillesë lufte civile e mirëfilltë.

Akademia është nisur nga dogma të cunguara, duke treguar në konkurs një paraprirje ideologjike, duke cenuar lirinë e autorëve për studime shkencore të lira dhe të pavarura.

4. Aq më shumë që masat me karakter antinazifashist në planin social, politik e juridik vazhduan edhe pas 1944. E gjithë periudha pas 1944-ës e për disa vjet kishte vazhdimësi me atë që ndodhi në periudhën e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Nga ana tjetër, shtrirja e një konkursi për punime për një kohë kaq të gjatë e bën problematik konkurrimin.

Një vepër, ta zëmë në vitin 2009, mund të duket më e mirë dhe më e plotë se ajo e një vepre botuar në vitin ‘93, por vepra më e vonët mund të ketë përfituar nga vepra më e hershme dhe kështu nuk mund të krahasohen këto të dyja, sepse janë në vazhdimësi të njëra-tjetrës.

Vepra shkencore vlerësohet në kontekstin e saj kohor dhe jo jashtë tij.

Ndarja në çmime për autorë të pjekur dhe të rinj në moshë nuk ka kuptim, sepse mosha nuk ka lidhje me vlerësimet e arritjeve shkencore. Aq më tepër që një 35- vjeçar i 30 vjetëve më parë sot është 65-vjeçar dhe nuk ka pikë kuptimi të vlerësohet për vepra të rinisë së tij.

Veprat duhet të ndahen sipas gjinive të studimeve dhe jo sipas moshës ose sipas kombësisë së autorit, sepse kjo ndarje e fundit madje është edhe me nuanca izolacioniste dhe ksenofobe.

Mbi të gjitha, Asamblesë i duhen paraqitur të gjitha dokumentet rregulluese të konkursit dhe jo vetëm vendimi iniciues.

Mbi të gjitha, Asambleja duhet të aprovojë edhe jurinë e konkursit, e cila duhet të përbëhet nga studiues të fushës dhe personalitete të pakontestuara të studimeve jo vetëm historike, por edhe sociologjike, politologjike, strategjike etj..

Meqë është rasti, pyes se përse nuk vihen të gjitha shpenzimet e konkursit, pra të jurisë etj.. Sa paguhet një anëtar jurie?

Po ashtu, duhet patjetër të parashikohen dy ose tre recensentë të jashtëm nga juria për çdo vepër të paraqitur.
***
“Të anulohet juria, ta vendosë Asambleja”

Vetëm një ditë pasi është marrë vendimi për shpalljen e konkursit, Akademia e Shkencave ka ngritur edhe jurinë, që do të vlerësojë veprat që do të paraqiten në garë. Anëtarët e jurisë janë përfaqësues të Akademisë sonë të Shkencave, asaj të Kosovës, të Universitetit të Tiranës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike. Ata janë: akad. Floresha Dado, akad. Jusuf Bajraktari, prof. dr. Valentina Duka, dr. Mario Brunetti dhe prof. dr. Hamit Kaba Akademiku Artan Fuga është shprehur kundër kësaj jurie, madje ka kërkuar anulimin e saj.

Fuga shprehet se nisur nga rëndësia e konkursit, juria duhet të aprovohet nga Asambleja e Akademisë së Shkencave dhe se propozimet duhet të vijnë nga mbledhja e Seksionit të Shkencave Shoqërore e Albanologjike, çka nuk rezulton se është bërë.

“Anëtarët e jurisë janë shumë pak dhe mendoj se ajo juri duhet të ketë një numër më të madh personash, së paku 11 ose 15”, shprehet Fuga në një letër drejtuar Akademisë së Shkencave. “Kërkoj që të jepen CV-të e anëtarëve të jurisë për të parë se sa përputhen studimet e tyre me fushën ku do të japin çmimin.

Përndryshe, arbitrare caktimi i jurisë dhe arbitrar edhe caktimi i anëtarëve të jurisë. Shoh që për një çmim të Akademisë, juria ka vetëm një anëtare Akademie dhe atë, pavarësisht studimeve të saj shumë dinjitoze jashtë fushës, gjykoj se nuk ka studime në këtë fushë. Unë propozoj që kjo juri të formohet për një çmim të përbashkët nga Akademia, Departamenti i Historisë së UT-së dhe nga Qendra Albanologjike.

Përndryshe, ne bëjmë një punë të sipërfaqshme dhe krejt pa cilësi. Akademia e shkencave nuk ka asnjë kompetencë të japë çmim, kur në jurinë e saj nuk ka historianë, politologë, sociologë që janë marrë me këtë periudhë. Kërkoj anulimin e jurisë dhe rishikimin e kritereve për këtë çmim”, shprehet akademiku Artan Fuga ndër të tjera.

JURIA E KONKURSIT

1. Akad. Floresha Dado, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ASHSH

2. Akademik Jusuf Bajraktari, përfaqësues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ASHAK

3. Prof. dr. Valentina Duka, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë
4. Dr. Mario Brunetti, Itinerari Gramsciani

5. Prof. dr. Hamit Kaba, Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, ASA