Sigal

Vangjush Saro

‘Gërr-mërri’, është bërë këngë e vendit tim. (“Lëkundet një varkë/ dhe mes erërave qan me të madhe…” H. Hesse) Pas këtij pohimi të trishtë, po e risjell pyetjen që është edhe titulli i këtij shkrimi, jo thjesht për kandidatin për Ministër i Punëve të Jashtme, z. Gent Cakaj, por për të gjithë ata që përzgjidhen të drejtojnë institucionet, ministritë, vendin… Këto ditë, është shkruar shumë për mënyrën se si ‘përzgjidheshin’ ministrat në kohë të monizmit, që pastaj niste tallavaja, edhe atyre vetë u shkonin punët si mos më keq, dridheshin përpara eprorit, sidomos atij që të këpuste kokën. Me një fjalë: Ku ishim? Askund! Pyetja sot shtrohet: Ku jemi?

Po e (ri)them me zë të lartë: Ka ikur koha e ‘të fortëve’ dhe e ‘të përkëdhelurve’, që në fakt mund të cilësohen edhe ndryshe: anonimë. Mirëpo dikush (zakonisht ai që bën përzgjedhjen) druan se ai që mund të vijë në kabinet është vetja. “Këndon fjalët që s’duhen…” (Xh. Xhojs) Prandaj, ‘rreshti’ shikohet me shumë kujdes. Ka ndodhur e njëjta gjë, me pak ndryshime, edhe gjatë tre dekadave të tranzicionit. ‘Përzgjedhja’ e ministrave, madje jo vetëm e tyre, por tej e tej administratës, bëhej duke marrë në sy disa kritere të habitshme:

Si i ka punët me partinë?

Di të mos flasë e të bindet?

Është spiun apo ka ndonjë dosje, ku mund të kapet, në rast se…ehë, në rast se i shkrepet ta hapë gojën?

Tre dekada, shkuam nga shkuam, mbetëm po te kjo mënyrë përzgjedhjeje; sado që në rastin e të riut kosovar Gent Cakaj – temë më vete ‘përzgjedhja’ e zyrtarëve nga Kosova – në rastin e tij, pra, duket sheshit se janë në peshore edhe terma të tjerë:

Rishikimi i kufijve;

afrimi i qershorit të… negociatave me BE-në;

loja me këto institucionet, bizneset dhe ‘shkronjat’ e kohëve të fundit, si Veting, PPP, etj.

Sidoqoftë, në përmbajtje dhe në etikë, problemet tona mbeten të natyrës së ‘gërr-mërrit’, folklor i ditës. Presidenti, herë pas here, ushtron ‘fort’ kompetencat e tij, por në një vijë a tragë që flet për moskuptime jo edhe aq të lehta midis krerëve të institucioneve kryesore të vendit. Kryeministri bën ‘me kokën e vet’, duke parë herë nga partia, herë nga ‘të fortët’ e biznesit, herë përtej Atlantikut e, ndonjëherë edhe nga Brukseli… Pastaj fillon e qahet e sulmon e nuk di të pushojë, duke qenë i pranishëm kohë e pa kohë në mediat sociale, madje lëshohet fare edhe para diplomatëve, duke i përcjellë pa shumë diplomaci konfliktet që ka me politikanët dhe drejtuesit e tjerë të vendit…

Jam shprehur edhe në ndonjë shkrim tjetër të mëparshëm, për dy nga episodet më të vështira dhe më të habitshme të tranzicionit tonë të përjetshëm, episode ku, për çudi, gjithnjë përplasim kokën.

E para, që ka ardhur koha të jenë në udhëheqje të vendit dhe në poste zyrtare jo më ‘të fortët’, siç ka qenë zakon deri më sot, por ‘teknikët’. (Nuk do të bëjmë gara, por pohoj me këtë rast se ky opinion është shprehur nga autori i këtyre radhëve edhe në një shkrim tjetër, përpara se një historian mik amerikan të formulonte pak a shumë të njëjtën ide.) Pra, që nga Sali Berisha, te Edi Rama, ‘fati’ i shqiptarëve janë ‘të fortët’. Vetë ndjekësit e tyre i quajnë ‘të fortë’, madje një thënie e z. Pandeli Majko mund të jetë ende nëpër faqet e shtypit, kur e quante kryeministrin e tij me një epitet që nuk po ndërmend dot tani, por pak a shumë kështu, ‘I fortë’, që vetëm ky… mund t’ia dilte Berishës (!)

Më herët, po ai ‘fat’ absurd ka ndjekur shqiptarët: ‘të fortët’ Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha, gjithashtu kanë qeverisur shumë gjatë vendin; (sidomos diktatori komunist). Problemi është se këta, me përjashtime të rralla – mbase Ahmet Zogu ishte më burrë shteti e më kërkues në përzgjedhjen e ministrave – këta pra, krijojnë kabinete ku vetë flasin e vetë vulosin. Kurse koha është që të drejtojnë ata, të cilët kanë karakter, orientohen nga dituritë dhe zhvillimet konkrete, në vend e në rajon a më gjerë; gjithnjë duke i lënë vend vetes të përcjellin si duhet në publik ç’kanë marrë përsipër.

Fjala ‘teknik’ nënkupton një njeri të formuar mirë, në të gjitha aspektet, një njeri që mund të jetë edhe partiak, por para së gjithash është një profesionist, është ndër emrat e përzgjedhur në fushën e vet, është dikush te i cili mund të kesh besim se po shkon (bie fjala në ekonomi) në rrugën që tregojnë parimet kryesore të drejtimit ekonomik e, kështu dhe në fusha të tjera. Teknik do të thotë që, kur kryeministri apo një tjetër ‘i fortë’ jashtë qeverisë ose edhe jashtë vendit, tenton të tregojë kulisën apo shtegun e gabuar, ti të ndalosh, të argumentosh gremisjen dhe të tregosh, me analiza, ku dhe si duhet ecur. (“Të përmbushësh punë të mëdha e të rëndësishme, duhet jo vetëm të veprosh, por gjithashtu të ëndërrosh; jo vetëm të planifikosh, por edhe të besosh…” Anatol Frans) Mirëpo… nuk duan kështu, iu pëlqejnë delet. Dhe populli e një pjesë e intelektualëve, ndonjëherë edhe të huajt, ngrenë supet (!)

Episodi tjetër, për të cilin gjithashtu kam folur herët dhe që lidhet ngushtësisht me të parin, ka të bëjë me individët që përzgjidhen për t’u bërë zyrtarë të lartë. Më sipër, u shpreha që është koha për të afruar në qeveri e në institucione njerëz që janë më shumë teknikë dhe më pak partiakë apo puthadorë të njërit e të tjetrit. Përveç kësaj, mirë është këta individë të kenë ndonjë kontribut në shoqëri e në media, të mos jenë… studentë, mësues a përkthyes që nuk kanë qenë asnjëherë përballë publikut me mendimet e tyre, me ndonjë punë a shkrim, ku të shihet sa mend e ç’ide ka… ai ose ajo që po bëhet ministër a ministreshë. Vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar, bie fjala se ai që ka propozuar për Ministër i Punëve të Jashtme… ‘ende s’ka folur’. Çfarë nënkupton kjo? Që është i ditur, i zoti në fushën e vet, por nuk i është dhënë mundësia? Apo është i vonuar? Shumë i ri? I ndrojtur? Ku janë pasqyruar idetë e tij, përvoja, punët, kontributet si intelektual? (Mbase vetëm në mendjen dhe paranojat e kryeministrit?!)

E përsëris, nuk duan kështu; iu pëlqejnë delet. Dhe populli e një pjesë e intelektualëve, ndonjëherë edhe të huajt, ngrenë supet (!) Se, më në fund, çfarë lanë pas, teksa iknin, disa individë të tillë, miq a udhëndjekës të kryeministrit, të kryeministrave: Në kulturë, në arsim, në ekonomi? Duhet shumë më shumë se modesti, të gjesh ndonjë gjurmë pune e mirësie të tyre… (“Të besosh në progresin, nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.” F. Kafka)

Prandaj, përpara se të përzgjidhet e, përpara se të pranojë të përzgjidhet, vetë ministri a ministresha duhet t’i përgjigjen disi pyetjes: “Cili jeni ju z. Ministër?” Jo me CV të sajuara, ku vetëm të qenit Krisht nuk shkruhet, por me bindje, me emrin dhe veprën e tyre në media a në një kontribut shoqëror ose teknik. Nuk drejtohet vendi me anonimë, për më tepër që, në kohë, shumë prej tyre nuk kanë treguar asgjë, përveçse kanë vënë kokën bash në mes të sherrit. Sherri është një mënyrë për të shkuar përpara me shumë kujdes – kujdes për veten, familjen, klanin – paçka se vendi, koha, kërkojnë tjetër ritëm.