Çfarë mund ta rrezikojë shtetin shqiptar?!

597
Sigal

Artan Fuga

Pa qëndrueshmërinë e Bashkimit Evropian, Pa aleancën midis ShBA – BE, Pa interesimin e ShBA për stabilitetin e kufijve të Ballkanit, Me rritjen e nacionalizmit në vendet e Ballkanit, në rast të një krize të përgjithësuar politike e gjeostrategjike, shteti i sotëm shqiptar, me dobësinë ndaj fuqive të tjera, nuk qëndron dot asnjë orë në këmbë, ja 24 orë, por në çdo rast jo më shumë se 48 orë. Skenari i pritshëm imagjinar do të mund të ishte edhe ky: Grekët zbresin në Korçë dhe në Gjirokastër dhe ngrenë flamurin në kala, Italianët kapin zotërimet e Venedikut dhe marrin në kontroll Durrësin deri në Lezhë, Serbët mësyjnë Shkodrën dhe nxitojnë t’i presin rrugën forcave të tjera, Aleanca e mundshme bullgaro-maqedonase zbret përreth liqenit të Ohrit dhe deri në Dibër, Turqit kapin menjëherë Pashalimanin dhe rimarrin përsëri Krujën duke marrë peng për jeniçerë të gjithë djemtë e parë të anëtarëve të këshillit bashkiak.

Mbetet shteti i Qemal Beut, trekëndëshi Vlorë – Berat – Elbasan. Kryetar i regjencës vihet Mit’hat Frashëri, tashmë i rikthyer në Atdhe. Me ato tre autoblinda te Pallati i Kongreseve që pashë në ekspozitë, më shumë për të shpërndarë me ujë turma manifestuesish para bashkisë të Tiranës, me atë helikopterin për të sjellë në maternitet gra shtatzëna, si edhe me ato tre xhipet kinezë a sovjetikë nga Lufta e Parë Botërore, si vështirë ta mbrojmë kufirin. Uroj të ketë të tjera armatime. Çunat dhe gocat shqiptare duhet një kohë për t’i sjellë nga Gjermania ku kryejnë zanatet e infermierit dhe mamisë të fshatit dhe stërvitur ata si tankistë. Prandaj kujdes, ju kam rixha, se do të ikin koka si e Ali Pashës drejt e rrokullisur shkallëve të Kalasë të Janinës. Mos i fryjmë shumë nacionalizmit, se do dalim; si rruar, qethur.